Në tërheqjen e tij, tanimë ish myftiu Qani Nesimi tha se ai tërhiqet për të ruajtur unitetin brenda institucioneve fetare
Urim HASIPI
Tetovë, 23 shtator – Tërheqja e ish myftiut të Tetovës Qani Nesimi i ka hapur rrugë myftiut Selver Xhemaili të ulet në zyrat e Myftinisë së Tetovës. Kontesti mes Nesimit dhe Xhemailit ka zgjatur rreth 20 muaj, përderisa ish myftiu Nesimi pretendonte se përzgjedhja e Xhemailit ishte jashtë rregullave të Bashkësisë Fetare Islame, kurse Xhemaili pretendonte se ishte myfti legjitim i zgjedhur pikërisht nga BFI-ja. Edhe pse Xhemaili ishte zgjedhur nga Bashkësia Fetare Islame, megjithatë ai nuk kishte mundur të hyjë në selinë e Myftinisë së Tetovës. Ndërkaq, tërheqja e Qani Nesimit, i mundësoi Xhemailit zyrtarisht të hyjë në myftininë e Tetovës. Tërheqjes së Nesimit i ka paraprirë një takim me kreun e Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Efendi Fetahu.
“Sot jemi duke bërë pranim-dorëzimin, kemi shtuar disa punëtorë të ri, arkëtarin, sekretarin, të tjerët janë pensionuar. Institucioni jonë varet krejtësisht nga donacionet, nga ndihmat që vijnë nga qytetarët tonë, prandaj duhet shumë me kujdes të menaxhohet dhe të udhëhiqet. Nisur nga fakti që jemi në një vakëf, çdo gjë është pronë e besimtarëve, ne do ta bëjmë një analizë në detaje veçanërisht për aspektin financiar, kemi disa dyshime se ka pasur keqpërdorime, qoftë brenda BFI, qoftë në institucionin shtetëror. Ne brenda kësaj periudhe nuk kemi pasur kontroll të pagesave që janë bërë, lidhur me shërbimin e varrimit dhe kryesisht pagesat janë bërë kesh dhe deri para 4-5 muajsh nuk kemi pasur kontroll as edhe në objektet që janë vakëf, mirëpo para kësaj periudhe ishin në kontrollin tonë dhe bëmë kontrata të reja me qeraxhirnjtë”, deklaroi Myftiu i Tetovës, Selver efendi Xhemaili.
Ndërkaq, Xhemaili ka thënë se janë duke bërë analiza se a ka pasur keqpërdorime, dhe nëse vërtetohen keqpërdorime do të ketë përgjegjësi. “Dyshimet për keqpërdorime janë të vitit 2022-2023, dhe bëhet fjalë për sigurimin pensional të punëtorëve gjegjësisht imamëve, aktualisht jemi duke bërë analiza për ta qartësuar çështjen është apo jo e vërtetë, dhe nëse është e vërtetë kush ka bërë keqpërdorime do të përgjigjet. Gjithçka që është pronë e jona mund të jepet me qera, pronat të cilat janë komunale përgjegjës janë ata, pronat që janë vakëf, ai që e shfrytëzon duhet të paguajë qera. Ne nuk kemi përgjegjësi për pagesa dhe rroga”, tha Xhemaili.
Në tërheqjen e tij, tanimë ish myftiu Qani Nesimi tha se ai tërhiqet për të ruajtur unitetin brenda institucioneve fetare.
“Tërhiqem vetëm se, shpirtërisht, idealisht dhe qenësisht dua që të ruhet uniteti, respekti i ndërsjellë dhe harmonia midis besimtarëve dhe hoxhallarëve në përgjithësi, dhe i institucionit të vetëm shpirtëror të muslimanëve në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht i BFI-së, në veçanti. Në detyrën time askënd nuk e kam tradhtuar, nuk e kam gënjyer dhe nuk e kam mashtruar. Asnjëherë nuk e kam bërë hesap kohën dhe lodhjen time bashkë me bashkëpunëtorët e mi. Secilit koleg, qoftë i punësuar në Myftini, në Xhami, në Medrese apo në Fakultet, në Rijaset apo në ndonjë myftini tjetër, i kam dal zot deri në pikën e fundit, pa i llogaritur pasojat. Asnjëherë dhe në asnjë rast nuk e kam neglizhuar apo keqpërdorur në asnjë moment detyrën time. Asnjëherë nuk kam menduar për pasojat që mund të kem në realizimin e punëve, kthimin e vakëfeve, realizimin e investimeve të ndryshme etj., që kanë qenë kompetencë dhe obligimi im, edhe pse shumë herë kam qenë edhe i kërcënuar”, shkroi në tërheqjen e tij ish myftiu Qani Nesimi./Koha