Shkruan: PhD. Dashnim Hebibi
Gazetar/publicist
Një vizitë e shkurtër në Kërçovë u shndërrua në një përjetim të paharruar. Ora kaloi shpejt, por mikpritja kërçovare na bëri që të ndalemi, të darkojmë dhe të kalojmë një natë të ngrohtë në këtë qytet shqiptar.
Miku ynë kërçovar, Florim Useini, kishte përgatitur befasi të shumta. Sa herë që mendonim të niseshim drejt Kosovës, vinin miq të rinj për të na përshëndetur e për të na nderuar me fjalë të ëmbla e respekt të madh. Kërçova rrezatonte kuq e zi – simbolikë e krenarisë kombëtare.
Në mëngjesin e ditës së nesërme, (sot) vizitën tonë e filluam në Komunën e Kërçovës, ku na priti kryetari Dr. Sci. Fatmir Dehari. Kabineti i tij i ngjante një muzeu të gjallë kombëtar: flamuri shqiptar, figura e Skënderbeut, portreti i Adem Demaçit, kujtimet e UÇK-së, mirënjohjet evropiane dhe shumë simbole të tjera të historisë sonë të lavdishme.
Gjatë bashkëbisedimit, prekëm tema të ndryshme, veçanërisht ato kombëtare dhe zhvillimin e Kërçovës. Miku ynë gjakovar, Meti Krasniqi, u nda i mahnitur nga mikpritja dhe vëmendja që na u dha. Por mbi të gjitha, mbeti e paharruar një fjali e kryetarit Dehari, që do ta mbajmë gjithmonë në kujtesë:
“Kërçova është kerthiza e Shqiptarisë. Shiko flamurin kombëtar – duhet të fitojë shqiptaria në zgjedhjet që po afrohen.”
Pas këtij takimi frymëzues, u nisëm drejt Shkupit, duke sjellë me vete jo vetëm kujtimet e një nate të veçantë, por edhe mesazhin e fortë se Kërçova mbetet një nga shtyllat e identitetit dhe unitetit kombëtar.
Një falënderim të veçantë ia dedikojmë Florim Useinit dhe miqve të tij, të cilët na nderuan dhe na bënë të ndiheshim si në shtëpinë tonë. Përjetimet e darkës dhe takimeve të tjera në Kërçovë dhe intervista do t’i ndajmë së shpejti me lexuesit tanë te sam24.info sepse ato meritojnë të rrëfehen në mënyrë të detajuar.
@Highlight


