Në kohë të vështira, shqiptarët kanë treguar se të bashkuar janë të pathyeshëm, ndërsa ndarjet janë vetëm hapa drejt dobësimit dhe humbjes së së ardhmes. Nuk duhet të pranojmë që të tjerët të përcaktojnë fatin tonë. Kështu shkruan Blerim Bexheti, koordinator i grupit parlamentar të Frontit Evropian, ndërsa le të kuptohet se tashmë ka një marrëveshje për listë të përbashkët pët kandidatët e Komunave midis Frontit dhe dy ASH-ve, atë të Selës dhe Taravarit, shkruan gazeta KOHA.
Me postimin e sotëm në Facebook, Bexheti ka demantuar zërat se në BDI ka përçarje, konkretisht se ai ka “kërcënuar” Ali Ahmetin se, nëse BDI heq dorë nga Saraji dhe ia jep ASH-së së Taravarit, atëherë Bexheti e braktis BDI-në.
Postimi i plotë i deputetit Blerim Bexheti:
Në një kohë sfidash më të rënda politike që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë përjetuar në 30 vitet e fundit, kur përçmimi i arritjeve tona kombëtare pas Marrëveshjes së Ohrit është i pamohueshëm dhe kur tentimet e njëpasnjëshme për ta defaktorizuar këtë marrëveshje përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për të ardhmen tonë në këtë vend, ne duhet të jemi të qartë: Nuk duhet të lejojmë askënd të vendosë për ne pa ne!
Vetëm unifikimi i shqiptarëve në vend mund të sjellë kthimin e dinjitetit dhe respektit që na takon në vendin tonë.
Në kohë të vështira, shqiptarët kanë treguar se të bashkuar janë të pathyeshëm, ndërsa ndarjet janë vetëm hapa drejt dobësimit dhe humbjes së së ardhmes. Nuk duhet të pranojmë që të tjerët të përcaktojnë fatin tonë.
Siç ka thënë Ismail Qemali: “Kombi që qëndron i bashkuar, nuk mund të thyhet kurrë.”
Le të jemi zëri i bashkuar që nuk lejon askënd të luajë me fatin tonë! Le të jemi forca që e kthen dinjitetin në realitet, jo vetëm në fjalë.
Unifikimi është obligim dhe detyrë kombëtare, betejë për dinjitet dhe e ardhme!