Shkup, 21.05.2025 – Sot, në ambientet e kabinetit të punës, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, mirëpriti në një takim pune Prof. Dr. Joost van Hoof nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Hagë, Holandë.
Gjatë takimit, rektori Fetaji, i shoqëruar nga prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili dhe nga Prof. Dr. Daniell Pavllovski, informoi për së afërmi mysafirin holandez mbi zhvillimet akademike në UNT, projektet shkencore dhe bashkëpunimet aktuale e të ardhshme me institucione ndërkombëtare arsimore e kërkimore.
Pas përfundimit të takimit zyrtar, vijuan aktivitetet në kuadër të punëtorisë dyditore të projektit shkencor ndërkombëtar “Rrjeti i Ballkanit të Lidhur për Mjedise të Përshtatshme për Moshën e Tretë (ABC Network)”, ku UNT përmes Fakultetit të Shkencave Sociale është partner rajonal për vendet e Ballkanit.
Ky projekt synon të kontribuojë në zhvillimin e qyteteve dhe komuniteteve miqësore ndaj moshës së tretë në rajon, me fokus në kërkimin shkencor, shkëmbimin e përvojave dhe promovimin e politikave efektive për një plakje aktive dhe të shëndetshme.
