AKTUALE

“E Majta” beson se Toshkovski është përgjegjës për lëshime që nuk duhen lejuar, Toshkovski thotë se nuk ka frikë nga përgjegjësia

Në Kuvend filloi debati për interpelancën e ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski të paraqitur nga grupi parlamentar “E Majta”, sepse, sipas kësaj partie, ministri Toshkovski e ka kryer funksionin e tij në mënyrë të papërshtatshme, duke vepruar në mënyrë joprofesionale, të pakujdesshme dhe të papërgjegjshme, gjë që çoi në një sërë veprimesh të paligjshme, skandale dhe transferime të personelit në MPB.
Interpelancën e shpjegoi deputeti nga radhët e “së Majtës”, Sashko Jançev, i cili tha se interpelanca është bazuar në dhjetë baza, pesë prej të cilave janë të lidhura drejtpërdrejt me aksidentin tragjik në Koçan në të cilin humbën jetën 62 persona, ndërsa afro 200 ishin lënduar.

“Ministri Pançe Toshkovski, i cili është në pozicionin e ministrit për më shumë se një vit, nga janari i vitit 2024 në të ashtuquajturën “qeveri teknike”, dhe më vonë pas Zgjedhjeve Parlamentare të vitit 2024 – dhe i rizgjedhur në qeverinë e sapozgjedhur politike të përbërë nga kuadro të VMRO-DPMNE-së, VLEN dhe ZNAM deri më sot, në vend që të ndërtojë një urë besimi midis sektorit civil dhe policisë dhe të krijojë mekanizma për respektim të vazhdueshëm të ligjeve, ai ndiqet nga një sërë veprimesh të pamatura, joprofesionale dhe për më tepër, të paligjshme, skandale dhe dështime kadrovike. Për habitusin e tij moral flejt mjaftushëm edhe fakti që deri tani ai as nuk ka guxuar të ofrojë dorëheqje për arsye morale, diçka që e kanë bërë disa ministra para tij, në situata të fatkeqësive të tilla kolektive. Në përgjithësi, ministri Toshkovski tregoi se është personalisht përgjegjës për lëshime që nuk duhet lejuar nga MPB-ja”, tha Jançev dhe u bëri thirrje deputetëve ta mbështesin interpelancën.

Interpelanca, siç theksoi, është e bazuar në dhjetë baza, pesë prej të cilave janë të lidhura drejtpërdrejt me ngjarjen tragjike në Koçan. Arsyeja e parë është mungesa e çdo kontrolli mbi diskotekën Puls, e cila është një detyrim i qartë ligjor i MPB-së. Baza e dytë lidhet me përdorimin e paligjshëm të mjeteve piroteknik, pastaj me mosdhënien e ndihmës nga nëpunësit policor, kërcënimet e papërpunuara ndaj personave që mendojnë ndryshe, gjë që është në kundërshtim me ligjin për policinë, dhe baza e pestë lidhet me ndalimin e përdorimit të dronëve – të cilët, sipas tij, u keqpërdorën nga MPB-ja për të shkelur nenin 16 të së drejtës së protestës.

Pesë të tjerat lidhen me qytetarët e arrestuar në zonën e Gostivarit të cilët po pastronin një kishë, mosveprimin gjatë djegies së flamurit maqedonas gjatë festimit të Ditës së Flamurit Shqiptar, vjedhjen e marijuanës që ruhej nga policia, rastin e arrestimit dhe ndalimit të truprojës së Kryeministrit për zbulimin e sekreteve zyrtare dhe politikën katastrofale të personelit në Ministri të mbushur me nepotizëm dhe kronizëm.

Në fjalimin e tij, Ministri Toshkovski tha se nuk ka frikë nga përgjegjësia dhe se mbetet në detyrë për t’u përballur me të vërtetën dhe për të sqaruar të gjitha dilemat.

“Para jush, nuk qëndroj si ministër, por si një njeri që e kupton peshën dhe përgjegjësinë që sjell pozicioni. Do të flas si vendimmarrës, por edhe si baba, ministër dhe prind. Më lejoni të them se më vjen keq për çdo jetë të humbur”, tha Toshkovski, duke shtuar se çdo dilemë meriton një përgjigje të bazuar në fakte, jo në konstruksione politike.

Ministri iu referua të gjitha pikave të interpelancës, përfshirë ngjarjen tragjike në diskotekën në Koçan, duke theksuar se në këtë rast MPB-ja nuk ka bërë asnjë lëshim. Ai theksoi se licenca për diskotekën “Puls” ishte e falsifikuar, ndërsa sa i përket mjeteve piroteknike, theksoi se MPB-ja vepron në përputhje me ligjin.
Toshkovski theksoi se institucionet po marrin masa për të gjitha rastet e hapura, përfshirë vjedhjen e marijuanës në Karbinc, keqpërdorimin e dokumenteve zyrtare nga një anëtar i policisë dhe protestat që lidhen me rastin me kishën në Gallate. Ai hodhi poshtë pretendimet për paragjykime etnike dhe akuzoi struktura të caktuara në BDI dhe LSDM për përpjekje për të destabilizuar vendin.

“E tëra çfarë pamë ishte etiketim i rremë. Ne duhet të udhëhiqemi nga detyrimi për të thënë të vërtetën dhe për të mbrojtur drejtësinë. Nuk po iki, nuk hesht, nuk po fshihem. Unë qëndroj këtu me gjithë peshën e detyrimit që mbaj. Çdo ditë, ky institucion do të përpiqet të sigurojë që dhimbja juaj të mos mbetet vetëm një dëshmi e heshtur e të paharrueshmes. Ndryshimet janë këtu, përgjegjësia ndihet, drejtësia është realitet”, tha Toshkovski para fundit të fjalimit të tij.

Ministri i hodhi poshtë të gjitha akuzat dhe theksoi se MPB-ja punon profesionalisht, pa përzgjedhje dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë Publike.

Kundër Ministrit të Punëve të Brendshme u inicua interpelancë edhe në janar së bashku me katër interpelanca të tjera të ministrave të qeverisë. Interpelancat u paraqitën në atë kohë nga Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI.

Related posts

Avokatët e Boki 13: Gjendja shëndetësore e tij është alarmante

admin

Hapet segmenti i ri rrugor që lidh aksin Fushë Krujë-Kamëz me Rinasin, Rama: Një akses i ri për mjetet pranë aeroportit

admin

7 Marsi/ Grubi: Themelet e ekzistencës sonë kombëtare kanë qëndruar të palëkundura falë mësuesve

Gjyla Halili