AKTUALE

“Deri kur ky poshtërim në kufi?”/ Prof. Etem Xheladini denoncon ndalesat e përsëritura dhe kërkon përgjegjësi institucionale

Prof. Etem Xheladini ka reaguar publikisht pas një ndalese, siç thotë ai, të pashpjegueshme në pikën kufitare Belanoc–Stançiq, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi institucionale.

Sipas Xheladinit, më 16 korrik 2026, gjatë kalimit në kufi, ai është mbajtur për rreth 30 minuta pa marrë shpjegim, vendim apo arsye ligjore për ndalimin. Ai thekson se kjo nuk është hera e parë që përballet me situata të tilla, duke pretenduar se prej më shumë se një viti është subjekt i ndalesave të përsëritura në kufi.

“Deri kur do të vazhdojë ky poshtërim në kufijtë e Maqedonisë së Veriut?”, ka pyetur Xheladini në reagimin e tij, duke vlerësuar se një trajtim i tillë cenon dinjitetin e qytetarëve dhe parimet e shtetit ligjor.

Ai ka bërë të ditur se policët kufitarë janë sjellë në mënyrë korrekte dhe profesionale, duke theksuar se shqetësimi i tij lidhet me mungesën e transparencës dhe funksionimin e sistemit.

Xheladini ka rikujtuar angazhimin e tij shumëvjeçar në arsim dhe në jetën shoqërore, duke përmendur kontributin e tij në zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe dhe aktivitetet humanitare.

Ai u ka bërë apel përfaqësuesve politikë shqiptarë dhe institucioneve që të kërkojnë përgjegjësi dhe sqarime për rastet e ndalesave pa vendime dhe pa shpjegime.

“Unë nuk kërkoj privilegje, kërkoj vetëm atë që i takon çdo qytetari në një shtet demokratik: respektimin e ligjit, transparencën, dinjitetin dhe trajtim të barabartë”, ka deklaruar Xheladini.

Ja postimi plotë:

DERI KUR DO TË VAZHDOJË KY POSHTËRIM NË KUFIJTË E MAQEDONISË SË VERIUT

REAGIM PUBLIK

Sot unë prof.Etem Xheladini, ndiej obligim moral dhe qytetar të reagoj publikisht për trajtimin e padrejtë dhe poshtërues që përjetova gjatë kalimit në pikën kufitare Belanoc – Stançiq, më datë 16.07.2026, në orën 14:47, si dhe gjatë kthimit, në orën 20:17.
Për rreth 30 minuta u mbajta i ndaluar, pa asnjë shpjegim, pa asnjë vendim dhe pa asnjë arsye ligjore. Kjo nuk është hera e parë që përballem me një situatë të tillë.
Prej më shumë se një viti jam subjekt i ndalesave të pashpjegueshme në kufi. Madje, vetëm një muaj më parë, gjatë kalimit në pikën kufitare Qafë Thanë, zyrtarët policorë më konfirmuan se isha liruar nga çdo masë përcjelljeje.
Megjithatë, sot u përballa sërish me të njëjtin trajtim, në moshën 71-vjeçare, të mbahem i ndaluar bashkë me bashkudhëtarët e mi, pa asnjë arsye, është një përjetim i rëndë dhe fyes për dinjitetin njerëzor.
Dua të theksoj se policët kufitarë, të cilët kryenin detyrën e tyre, u sollën në mënyrë korrekte dhe profesionale. Problemi nuk qëndron te ata, por te një sistem që vazhdon të prodhojë padrejtësi pa transparencë dhe pa përgjegjësi.
Për 42 vjet ia kam kushtuar jetën arsimit shqiptar. Kam qenë ndër kontribuuesit në hapjen e paraleleve të Gjimnazit në gjuhën shqipe në vitin 1991, si ushtrues detyre i drejtorit, si dhe në hapjen e paraleleve në shkollat e mesme të Ekonomisë, Teknikës, Mjekësisë dhe Bujqësisë gjatë viteve 1993–1995, si kryetar i Këshillit të Prindërve dhe koordinator.
Në vitin 2008 menaxhova, si koordinator dhe kryetar i SHASH-it “Naim Frashëri” Kumanovë–Likovë, hapjen e Fakultetit “AB” në Kumanovë, institucion në të cilin sot studiojnë dhe diplomojnë jo vetëm shqiptarë, por edhe shumë maqedonas.
Përveç angazhimit tim në arsim, kam qenë dhe vazhdoj të jem pjesë e aktiviteteve humanitare. Edhe sot, si pensionist, prej më shumë se gjashtë vitesh kontribuoj, sipas mundësive të mia, në organizatën humanitare El-Hilal.
Prandaj shtroj një pyetje të thjeshtë, por thelbësore: Si është e mundur që një mësimdhënës, një veprimtar i arsimit dhe një humanist, i cili për 71 vjet nuk ka qenë asnjëherë i dënuar për kriminalitet, korrupsion apo çfarëdo vepre penale, të trajtohet si rrezik për shtetin.
Ky nuk është vetëm një shqetësim personal. Është një çështje e dinjitetit qytetar, e respektimit të të drejtave themelore dhe e shtetit ligjor.
Prandaj u bëj thirrje të gjithë politikëbërësve shqiptarë, deputetëve, ministrave dhe çdo përfaqësuesi institucional që flet në emër të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, mos heshtni, ngritni zërin dhe kërkoni përgjegjësi institucionale. Nuk është e pranueshme që qytetarët shqiptarë të përballen me ndalesa të përsëritura, pa vendime, pa shpjegime dhe pa asnjë bazë ligjore.
Mbi një vit zvarritje dhe vonesa në kufi nuk janë thjesht një shqetësim administrativ; ato janë cenim i dinjitetit njerëzor dhe i lirisë së lëvizjes.
Unë nuk kërkoj privilegje, kërkoj vetëm atë që i takon çdo qytetari në një shtet demokratik, respektimin e ligjit, transparencën, dinjitetin dhe trajtim të barabart.

Banner

Related posts

Shoqata Malësia e Madhe New York – Mbi 32 Vjet në Shërbim të Kombit

Gjyla Halili

Vazhdon java e tretë e trajnimit të përkthyesve dhe lektorëve në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës së RMV-së

admin

Siljanovska: Nevojiten ndryshime kushtetuese, por të mos preket preambula

Gjyla Halili