AKTUALE

Një ushtar profesionist është kapur me 70 gram marihuanë, pas arrestimit është lënë i lirë

Një ushtar profesionist dyshohet se është kapur me drogë. Alsat ka mësuar ekskluzivisht identitetin e tij. Bëhet fjalë për Nikolla Ivanovski, i cili dyshohet se u kap me marihuanë në muajin shkurt. Sipas burimeve të tona, ushtarakut i janë gjetur të paktën 70 gram marihuanë dhe një peshore digjitale. Pas arrestimit Ivanovski është lënë i lirë, ndërsa Prokuroria Publike është njoftuar vetëm 4 ditë më vonë. Organi i akuzës ka kërkuar që provave të konfiskuara t’i bëhet ekspertizë.

“Me datë 28.02.2025 në ora 21:15, pas informacioneve të marra paraprake operative, në parkingun përballë një marketi në hyrje të Dellçevës është ndalur automjeti “Passat” me targa të Shtipit, i drejtuar nga R.S., në të cilin pasagjer ishte N.I., të dy nga Dellçeva. Gjatë kontrollit, te N.I i është gjetur pako me lëndë bimore të gjelbër dhe gjatë kontrollit në mjet është gjetur peshore digjitale para ulëses së pasagjerit. Sendet e gjetura janë konfiskuar, ndërsa për zbardhjen e rastit është zhvilluar bisedë me tetë persona”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Rastin e ka konfirmuar edhe Armata. Sipas tyre personi ndodhet në procedurë disiplinore.

“Armata ka dijeni për këtë rast dhe menjëherë pas marrjes së informacionit ka nisur procedurë disiplinore dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet konform dispozitave ligjore”, thonë nga Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Informacionet tona flasin se për lirimin e Ivanovskit, përkatësisht procedimin e tij me procedurë të rregullt edhe pse dispozitat e procedurës penale janë të qarta për persona zyrtarë, e ka kërkuar një funksionar i lartë i ushtrisë përmes personave që mbajnë poste udhëheqëse në Ministrinë e Brendshme. Në rrethana jo zyrtare mësohet se një drejtor i një muze ushtarak ka intervenuar drejtpërdrejtë më 1 mars për ta liruar Ivanovskin i cili mësohet të jetë nipi një udhëheqësi të lartë ushtarak në Shtabin e Përgjithshëm.

Related posts

Mobilizohet diaspora në Gjermani dhe Itali për VLEN: Vendlindja na thërret, të shkojmë të votojmë më 8 maj

Gjyla Halili

Britma e zemrës të një prindi për humbjen e dy gjimnazisteve tona.

Gjyla Halili

Taravari thotë se nuk ka çfarë të ndajë me Selën: Partia nuk ka prona, zyrat i kemi me qira

Gjyla Halili