AKTUALE

KEQPËRDORIMI I LOGOS “HALLALL”, AKT I RËNDË I ABUZIMIT ME NDJENJËN FETARE

Çdo subjekt që e abuzon me logon “Hallall”, me vetëdije, duhet trajtuar jo si gabues i pakujdesshëm, por si mashtrues ordiner që e bën me qëllim fitimi përmes gënjeshtrës dhe manipulimit të ndjenjës fetare. Besimi nuk blihet, nuk falsifikohet dhe nuk luhet me të. Ai ndërtohet me sinqeritet, mbrohet me ligj dhe është përgjegjësi para Zotit dhe njerëzve.

Shkruan: Driton Dikena
Drejtor i Agjensionit për Hallall Standard

Përdorimi i logos “Hallall” pa lejen paraprake dhe të shkruar nga Agjensioni për Hallall Standard, që funksionon në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, nuk është vetëm një shkelje administrative. Është një mashtrim i qëllimshëm dhe i paramenduar, një akt i pastër abuzimi institucional, që godet besimin fetar, cenon ndërgjegjen morale dhe shkel me këmbë dinjitetin e konsumatorit mysliman.
Logoja “Hallall” nuk është pronë e tregtarëve të pandërgjegjshëm, e as mjet për përfitime të ulëta, por një simbol zyrtar dhe i shenjtë, që përfaqëson një standard të njohur kombëtar e ndërkombëtar, me norma të rrepta të pastërtisë, përgjegjësisë dhe përputhshmërisë me parimet e Islamit.
Çdo përdorim i logos “Hallall” pa marrë paraprakisht certifikatën zyrtare të lëshuar nga Agjensioni për Hallall Standard është manipulim, falsifikim dhe mashtrim i qëllimshëm, që duhet ndalur dhe ndëshkuar me urgjencë dhe pa asnjë tolerancë.

Keqpërdoruesit përballen me pasoja serioze ligjore

Keqpërdorimi i logos “Hallall”, pa autorizim të Agjensionit për Hallall Standard, përbën shkelje të rëndë dhe të shumëfishtë të të drejtave pronësore, tregtare dhe autoriale, në përputhje me legjislacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Çdo subjekt që e ndërmerr këtë veprim me vetëdije, duhet trajtuar jo si gabues i pakujdesshëm, por si mashtrues me qëllim fitimi përmes gënjeshtrës dhe manipulimit të ndjenjës fetare.
Shkelen qartësisht ligjet në vijim:
1. Ligji për të drejtat e autorsisë dhe të drejtat e përafërta
Sipas nenit 75 dhe 76, përdorimi i logos pa leje sjell:
• Ndalim të menjëhershëm të shfrytëzimit të logos ose materialit të mbrojtur
• Konfiskim të mallrave dhe materialeve të paligjshme
• Obligim për kompensim të dëmit ndaj mbajtësit të së drejtës
• Procedurë penale në rast përsëritjeje apo pasoja të gjera publike.
Sanksioni duhet të zbatohen në mënyrë të rreptë ndaj çdo subjekti që përpiqet të mashtrojë opinionin publik nën hijen e një logoje që nuk i përket.

2. Ligji për markat tregtare
Sipas nenit 64 dhe 65 të këtij ligji, përdorimi i shenjës së regjistruar pa leje përbën shkelje të rëndë të markës. Subjekti që përdor logon “Hallall” në mënyrë të paligjshme përballet me:
• Ndalim përdorimi,
• Konfiskim të produktit,
• Kompensim të dëmit për mashtrim dhe konkurrencë të padrejtë.
Nuk ka justifikim për subjekte që fshehin pas termit “hallall” për të fituar besimin e konsumatorit, kur në realitet nuk kanë kaluar asnjë kontroll apo certifikim.

3. Ligji për mbrojtjen nga konkurrenca e padrejtë

Sipas nenit 3 dhe 5, çdo veprim që mashtron konsumatorin për natyrën ose karakteristikat fetare të produktit, shfrytëzon emrin, logon ose identitetin e një institucioni për qëllime mashtruese tregtare, përbën konkurrencë të ndaluar dhe mashtrim të tregut dhe është i ndëshkueshëm me masa të ashpra civile dhe ndalim të veprimtarisë.
Sanksionet për shkelje përfshijnë:
• Gjoba deri në 5.000 euro për persona fizikë,
• Gjoba deri në 20.000 euro për persona juridikë,
• Konfiskim i menjëhershëm i mallrave me logo të falsifikuar,
• Ndjekje penale në përputhje me Kodin Penal të RMV-së, neni 248, që flet për “Prezantimin e rremë të produktit ose shërbimit”, një vepër me pasoja të rënda për sigurinë e konsumatorit dhe etikën e tregut.

Procedura për Hallall nuk është formalitet

Procesi për marrjen e certifikatës hallall është një rrugë rigoroze që kërkon ndershmëri, përkushtim dhe përmbajtje reale të standardit, jo mashtrim.
Përfshin:
• Inspektim dhe auditim të detajuar nga strukturat e autorizuara të Agjensionit,
• Analiza laboratorike të përbërjes së produktit,
• Verifikim të origjinës së lëndëve të para,
• Vendim të Komisionit të fetarëve të kualifikuar,
• Vendim zyrtar për certifikim dhe monitorim të vazhdueshëm.
Vetëm produktet që plotësojnë të gjitha kriteret hallall pa kompromis kanë të drejtë të mbajnë këtë emërtim. Të tjerët janë thjesht imitues që meritojnë ndëshkim.

Manipulimi me besimin fetar, një krim moral dhe institucional

Asnjë fitim nuk e justifikon përdorimin e logos “Hallall” për marketing të rremë. Çdo përpjekje për ta përdorur atë pa të drejtë është abuzim i rëndë me ndjenjën më të pastër që ka një konsumator: besimin.
Ky nuk është thjesht mashtrim ekonomik. Është goditje ndaj vetëdijes, ndaj ndershmërisë tregtare dhe ndaj Zotit.
Agjensioni për Hallall Standard, si organ i vetëm zyrtar në këtë fushë, u bën thirrje publike të gjithë kompanive dhe prodhuesve që të ndjekin rrugën e drejtë: aplikoni për certifikim, bashkëpunoni me institucionin përkatës dhe mos u përpiqni të fitoni përmes mashtrimit.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje të qartë institucioneve të inspektoratit, agjencive për mbrojtjen e konsumatorit dhe gjykatave, që të reagojnë pa hezitim, me masa të menjëhershme, çdoherë kur konstatohet keqpërdorim i logos hallall – sepse siguria fetare është pjesë e sigurisë kombëtare.
Besimi nuk blihet, nuk falsifikohet dhe nuk luhet me të. Ai ndërtohet me sinqeritet, mbrohet me ligj dhe është përgjegjësi para Zotit dhe njerëzve.

Related posts

Dashtevski: Plotësisht jemi të përgatitur për zgjedhjet e nesërme presidenciale

Gjyla Halili

Sonte ose nesër ASH vendos për hyrje në Qeveri, Taravari pranon marrëveshjen për shumicën e gjërave

admin

Arta Haziri-Nuhiu përfaqëson Kosovën në Festivalin WAF Awards në Maqedoni

Gjyla Halili