AKTUALE

Komuna e Tetovës vazhdon t’i mbajë sekret të punësuarit përmes agjencionit privat për të cilët harxhoi mbi 1,6 milionë euro

Emrat e të punësuarve në Komunën e Tetovës përmes agjencionit privat ‘Xhob 2011’ vazhdojnë të mbeten të panjohur për publikun, pavarësisht se të njëjtët paguhen me paratë e qytetarëve, shkruan Portalb.mk.

Kjo pyetje u hap edhe sot gjatë seancës së 56-të Këshillit Komunal të Tetovës, gjatë pikës për propozim- vendimin për dhënie të pëlqimit të Planit vjetor për punësim në Komunën e Tetovës për vitin 2026.

Këshilltari komunal nga BDI, Veton Murati kërkoi nga administrata komunale numrin e të punësuarve përmes këtij agjencioni.

“Sa është numri i të punësuarve nëpërmjet Agjencionit Xhob 2011 se emrat nuk i tregoni, transparencën nuk e keni treguar askund këtu, së paku numrin e të punësuarve nëpërmjet agjencionit”, tha Murati.

Ndërkaq, këshilltari nga Lëvizja Besa, Himo Maksuti tha se këto informata do i sigurojnë në seancën tjetër, e cila pritet të jetë e fundit e kësaj përbërjeje.

“Do t’i merr edhe numrat, ne kemi edhe një seancë tjetër ku do të parashtrohet me shkrim sektorit përkatës, edhe me shkrim do t’i merr saktë numrat e Xhobit”, tha Maksuti.

Portalb.mk ditë më parë nxori në pah se nga viti 2022 deri në 2025, Komuna e Tetovës së bashku me ndërmarrjet publike “Tetova Transport” dhe “Sharri” kanë shpenzuar mbi 1.6 milionë euro në kontrata për punësime të përkohshme përmes Agjencisë private për punësim “Xhob 2011”.

Edhe pse janë paguar me para publike, opinioni nuk e di se ku kanë shkuar këto para.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Në ndërkohë, Komuna e Tetovës më 15 gusht 2025 ka hapur sërish tender të ri për punësime të përkohshme, thirrja publike e të cilit ka mbaruar më 1 shtator 2025.

I pyetur se pse nuk i publikojnë emrat e të punësuarve përmes agjencionit privat, kryetari i komunës, Bilall Kasami tha se në kuadër Ligjit për qasje deri te informatat me karakter publik mund të merren informata për çdo punëtor në Komunën e Tetovës qoftë me vendim të përhershëm apo të përkohshëm.

Megjithatë, në të kaluarën Portalb.mk i ka kërkuar këto të dhëna, por nga Komuna e Tetovës nuk janë përgjigjur.

Për këto të dhëna, Portalb.mk përsëri ka dorëzuar në Komunën e Tetovës kërkesë përmes Ligjit për qasje të lirë në informatat me karakter publik, ku komuna duhet të kthejë përgjigje brenda afatit ligjor prej 20 ditëve.

Për këto punësime kritikuan nga Më Mirë për Tetovën dhe Bashkimi Demokratik për Integrim.

Ndërkaq, pas pyetjeve të Portalb.mk, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit formoi lëndë për këto kontrata.

Related posts

LSDM: Rriten pensionet për 330.000 pensionistë

admin

Dyfish të diskriminuar, janë shqiptarët e Velesit dhe Prilepit

Gjyla Halili

26 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë

Gjyla Halili