Dje në ambinetet e Universitetit të Tetovës ishim të nderuar nga një ligjeratë profesionale e gjyqtarit grek z. Sotirios Tsouvalas me temë “E drejta civile greke”. Ai u kthye në përditshmërinë, por opinionet e tij ende e mbajnë gjallë debatin mes kolegësh akademik!
Sigurisht pajtohemi të gjithë se regjimet e së drejtës civile ku do kanë ndjekur një qasje të gjerë ndaj detyrimit për “bona fide”, duke e zbatuar atë si në formimin e një kontrate ashtu edhe në ekzekutimin e saj.
Nuk ka fare dilemë mes studijuesish se “bona fide” paraqitet si kusht për marrëdhënie të mira midis njerëzve në çdo hark kohor dhe në cilën do marrëdhënie juridike civile, përfshirë edhe marrëdhëniet e punës, marrëdhëniet kontraktore, marrëdhëniet familjare dhe marrëdhëniet pronësore.
Në tërë literaturën që kemi shfletuar është përqafuar qëndrimi se tek secila marrëdhënie juridike civile kërkohet që subjektet të jenë të ndershëm, korrekt dhe besnik. Ka studijues që kanë vlerësimet e tyre të argumentuara shkencërisht se këto sjellje jo vetëm që janë të preferuarara, por edhe promovohen nga morali, zakonet e mira por dhe feja!
“Bona fide” ka gjetë shtrirje në të gjjtha sistemet e të drejtës civile edhe atje ku nuk ka marrë dimensionin e shprehur ligjor.
Në Kodin Civil Italian “bona fide” paraqitet në dispozitat që lidhen me kontratat (nenet 1337, 1366, 1375 dhe 1460), kurse Kodi Civil Francez në nenin 1134 e ka njohur këtë parim si “një domosdoshmëri” në përmbushjen e një kontrate. Edhe Kodi Civil Gjerman në nenin 242 e ka institucionalizuar qëndrimin se debitori duhet të kryejë detyrimin sipas kërkesave të mirëbesimit, duke marrë në konsideratë praktikën e mirë zakonore.
Të kthehemi te e drejta civile greke. Edhe në drejtësinë civile greke “bona fide” ka një kuptim shumë të gjerë. Ky koncept i shpreh të gjitha ndjenjat e ndershme të një ndërgjegjeje të mirë.
“Hiletë” dhe “manovrat e zgjuara”, “marrëveshjet e pandershme”, “llogaritjet mashtruese”, “shtirjet dhe simulimet e pabesë”, “keqdashjet që bëhen nën maskën e maturisë dhe aftësisë” dhe të gjitha veprimet e tjera që përfitojnë nga besueshmëria e rrejshme nuk duhet të jenë pjese e të drejtës civile.
Komponenta “bona fide” në fakt është një nocion që bazohet në ndershmëri, si një manifestim i ndërgjegjes brenda normave morale. Neni 288 i Kodit Civil Grek ka institucionalizuar qëndrimin se çdo detyrim kontraktual duhet të përshtatet sipas kërkesave “bona fide”.
“Bona fide” as nuk mund të kufizohet e as nuk mund të përjashtohet. Askush nuk mund të të lidhë marrëveshje për një gjë të tillë, sepse “bona fide” nuk negociohet, por përdoret si një standard sjelljeje objektivisht të ndershme. Kjo nënkupton flakjen e disponimit të brendshëm të subjektit të së drejtës civile që merr pjesë në një marrëdhënie juridike kontraktuale.
Kodi Civil Grek i ka dhënë karakter detyrues koncpetit “bona fide”. Në nenin 281 është përcaktuar se ushtrimi i një të drejte është i ndaluar kur ajo tejkalon qartë kufijtë e mirëbesimit, moralit ose qëllimit ekonomik ose shoqëror të asaj të drejte.
Si në sitemet e tjera të së drejtës civile edhe ai grek ka ngritur edhe ndalimin e abuzimt më të drejtën si rregull të përgjithshme. Të gjhthë pajtohemi se shkelja e “bona fide” lidhet me një formë të caktuar të fajit. Ushtrimi i së drejtës që të jetë abuziv duhet të tejkalojë kufijtë e përcaktuar nga “bona fide”. Pra, abuzimi i së drejtës, si koncept, mishëron parimin e “bona fide”.
Gjithësesi debatet profesionale dhe shkencore ngjallin gjithmonë ndjesi pozitive! Sa mirë që këtë ndjesi e gjejmë në Universitetin e Tetovës!