Aleanca për Shqiptarët me kryetar Ziadin Selën, pjesë e koalicionit opozitar Fronti Europian janë deklaruar në lidhje me situatën që është krijuar pas votimit të interpelancës ndaj deputetes së kësaj partie, për funksionin e saj si kryetare e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini në Kuvend, transmeton T21.
Nga ASh – FE thonë se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi dhe siç thonë, “ata që i hynë kësaj loje” e dinë kushtin e tyre se fillimisht duhet të shfuqizohet konkluzioni i interpelancës ndaj Dautit që më pas e njëjta të vazhdojë me punën si kryetare e Komisionit Kuvendor.
Afrim Gashi dhe ata që kanë hyrë në këtë lojë, e dijnë kushtin tonë që e kumtoi edhe vetë deputetja Ilire Dauti. Ata fillimisht duhet të shfuqizojnë konkluzionin e padrejtë dhe me po ato vota të rizgjedhin zonjën Dauti kryetare, që ajo e lirë, pa cenzurë e pa diktat të mundet të veprojë ashtu siç e meriton çdo njeri të ketë të garantuar kushtet gjatë kryerjes së punës së vetë. Aleanca për Shqiptarët dhe Fronti Europian i qëndrojnë pas deklaratës së zonjës Dauti, vlerësojmë se ajo e ka kryer punën me përgjegjësi dhe në përputhje me Rregulloren andaj dhe kërkojmë që të shfuqizohet konkluzioni i inicuar nga Levica dhe i propozuar nga Gashi”, thuhet në reagimin e ASh – FE.