Lëvizja Demokratike me në krye Izet Mexhitin, kanë organizuar takim me strukturat partiake me rastin e fundvitit.
Mexhiti i cili ju drejtua bashkëpartiakëve të tij, tha se viti që po lëmë pas ka qen një vit i jashtëzakonshëm, pasi siç tha, ndryshime dhe rotacioni politik ka ndodhur, ndërsa e vjetra ai thot se është zëvendësuar me të rejën.
“Rreth një vit më parë, kur e themeluam Lëvizjen Demokratike dhe nisëm bashkimin dhe konsolidimin e opozitës në mënyrë që shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut t’u ofrojmë alternativë politike, shumëkujt ndërmarrja jonë i dukej utopi. Asokohe askush nuk besonte se ishte e mundur të sfidohej politika e vjetër e cila kishte lëshuar rrënjët e veta shumë thellë në strukturat e pushtetit dhe kishte kontroll pothuajse absolut në të gjitha institucionet, përfshirë mediat, gjyqësorin e prokurorinë. Na kanë kërcënuar, na kanë shantazhuar, kanë provuar të na korruptojnë, në çdo mënyrë janë përpjekur për të na ndaluar, por ne ishim të vendosur për t’i thënë “BOLL ISHTE” gjithë atij degradimi e devalvimi që i bëhej demokracisë në emër të demokracisë, lirisë në emër të lirisë, barazisë – në emër të barazisë!
Dhe sot, me krenari mund të them se IA DOLËM! Nuk ndihmoi as LLOTARIA, e as SORAVIA, dhe zullumit i erdhi fundi. Shqiptarët një kohë të gjatë kërkonin ndryshimin e besa edhe votonin ndryshimin, por lojërat intrigante të pushtetit të frymëzuara nga filozofia mesjetare “përçaj e sundo” së bashku me instrumentet e detyrimit, frikësimit, paratë e pista dhe mekanizma të tjerë shtetërorë e institucionalë që partia i keqpërdorte për mbijetesën e vet në pushtet, çdoherë e pengonin ndryshimin dhe mundësonin vazhdimësinë e qeverisjes të të vjetrës.
Por sonte do të flas për të renë, për të ardhmen. Nuk do të merrem më me politikat e politikanët të cilëve u ka skaduar afati, as nuk do të dëgjoni nga unë lavde të tipit “u kam thënë!”, sepse për mua qeverisja është përgjegjësi dhe shans – jo për përfitim personal, por për t’u ndihmuar njerëzve, hallexhinjve, të gjejnë një shteg drejtë jetesës më të mirë.
Të dashur bashkëudhëtarë,
Faleminderit që besuat! Viti që po lëmë pas nesh ka qenë një vit vërtetë i jashtëzakonshëm! Për ne si strukturë politike ka qenë një sfidë e llojit të vetë. Sonte jam këtu për t’u thënë edhe njëherë publikisht të gjithëve: NDRYSHIMI ndodhi! ROTACIONI POLITIK ndodhi! E vjetra u zëvendësua me të renë, dhe tani për të gjithë ne po hapet një kapitull i ri në nocionin e qeverisjes dhe sidomos në konceptin e llogaridhënies. Po vjen koha e krijimit të kulturës së re politike ndër shqiptarë. Bashkarisht po ndërtojmë një traditë të re politike – atë të inklusivitetit dhe vlerësimit të individit në bazë të meritës dhe kualitetit; bashkarisht po krijojmë një ambient më pak toksik politik, më tolerant, më imun dhe rezistent ndaj tendencave korruptive të cilat kishin gjetur terren ideal për të vepruar gjatë qeverisjes së vjetër.
Me këtë rast, dëshiroj t’u bëj thirrje të hapur publike të gjithë atyre që mendojnë si ne por kanë hezituar ose janë frikuar të na bashkangjiten: Të dashur bashkëmendimtarë, dyert tona janë të hapura dhe zemrat tona të ngrohta për secilin e secilën prej jush që ndan të njejtat vlera dhe të njejtat bindje për proceset politike në Maqedoninë e Veriut. Procesi europianizues i vendit tonë nuk toleron retorikën militantiste e konfliktuese në shekullin 21 dhe i refuzon thirrjet për destabilizim kur Evropa ka mjaftueshëm sfida të sigurisë e stabilitetit; procesi europianizues i demaskon dhe ndëshkon të korruptuarit, hileqarët, politikanët që ndërhyjnë në gjyqësor dhe politikanët që keqpërdorin funksionin për pasurim personal. Procesi europianizues e ndëshkon kulturën e pandëshkueshmërisë dhe kërkon politikanë të përgjegjshëm dhe të ndershëm. Prandaj, anija e tyre është anija që po fundoset. Alternativa e re jemi ne, dhe vendi juaj është këtu, në mesin tonë! Ejani me ne!”, tha kreu i Lëvizjes Demokratike , Izet Mexhiti.