Komuna e Sarajit ka reaguar lidhur me ngecjen e projektit “Rregullimi i shtratit të lumit “Lumi i thatë” në fshatin Semenishtë.
Nga Komuna e Sarajit thonë se kanë bërë përgatitjen e dokumentacionit të plotë dhe kanë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme përfshirë këtu përgatitjen e projektit bazë nga Nëntori i vitit 2022 dhe kanë dhënë leje ndërtimi me datë 15 Shkurt 2023 për projektin e lartëpërmendur.
“Projekti në fjalë me datë 28 Nëntor 2023 ka marrë miratimin në qeveri dhe për të cilin janë siguruar mjete në buxhetin për vitin 2024 të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor. Në bazë të miratimit paraprak nga qeveria për prokurorim shumëvjeçar, ministria përkatëse ka hapur procedurën e prokurorimit publik me datë 22 Dhjetor 2023. Gjithashtu, është realizuar me sukses edhe prokurorim publik për mbikqyrje profesionale, me çka është përzgjedhur subjekti juridik me të cilin është nënshkruar kontratë me datë 29 Prill 2024” – thonë nga Komuna e Sarajit.
Sipas tyre, Ministria e Mjedisit, me datë 18 Korrik 2024 ka sjellë vendim për anulimin e procedurës për prokurorim publik për projektin e lartëpërmendur.
“Ne si autoritete lokale, kemi pritur me muaj që ministria respektive të rihap dhe realizoj prokurorimin publik për këtë projekt duke marrë parasysh, se për të njëjtin kanë qenë veçmë të siguruara mjetet dhe gjitha procedurat paraprake, por KJO GJË NUK NDODHI” – reagojnë nga Komuna e Sarajit.
Komuna e Sarajit, sic thuhet në reagim, duka patur parasysh rëndësinë e këtij projekti për mjedisin dhe banorët e komunës, me datë 30 Tetor 2024, janë drejtuar me shkrim Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si ministri përgjegjëse, me urgjencë që sa më parë të rihap prokurorimin publik dhe të mundësojë realizimin e këtij projekti, duke ritheksuar se nuk ekziston asnjë pengesë dhe gjitha procedurat tjera janë përfunduar me gjithë dokumentacionin e nevojshëm.
“Nga ajo datë që kemi dërguar urgjencë me shkrim e deri më sot nuk kemi marrë as përgjigje e as nuk u ka ndërmarrë ndonjë veprim nga ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor për rihapjen e prokurorimit publik dhe zhbllokimin e procesit të realizimit të projektit të lartëpërmendur” – thonë nga Komuna e Sarajit.
Komuna e Sarajit, I drejtohet publikisht nga terreni, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapesinor, që të rihap prokurorimin publik për projektin për rregullimin e shtratit të Lumit të Thatë dhe të mos e sabotojë realizimin e këtij projekti mjaft jetik dhe të rëndësishëm për qytetarët e Sarajit dhe mbrojtjen e mjedisit dhe ambientit në komunën tone.
“Në fund, u drejtohemi edhe juve të nderuara media që të përcjellni kërkesën tonë dhe të ndjekni zhvillimet në lidhje me shqetsimet tona për mos veprimin nga ministria e mjedisit si ministri përgjegjëse, që po pamundëson fillimin e realizimit të projektit të lartëpërmendur” – thuhet në reagimin e Komunës së Sarajit.