Nga BDI akuzojnë pushtetin për kapje të shtetit. Integristët dënojnë vlerësimin e djeshëm të Prokurorisë, ku thuhej që tre të dënuar në rastin “Organizatorët e 27 prilli”, i plotësojnë kushtet për amnisti, ndërkaq pyesin VMRO-DPMNE-në për akuzat që kishin në të kaluarën ndaj zv/kryeministrit aktual Izet Mexhiti dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari.
“Vendimi i djeshëm i Prokurorisë për të liruar ata që u shpallën fajtorë për përpjekjen për grusht shteti më 27 prill, për të parandaluar zgjedhjen e Kryetarit të parë shqiptar të Kuvendit, me pranimin publik të vetë prokurorëve se atje ka drejtësi selektive ,nën presion politik dhe e gjithë kjo e bërë në një ditë feste me shpresën se do të kalojë pa u vërejtur nga bashkësia ndërkombëtare, është një pasqyrim i qartë i kësaj kapje. Poashtu i drejtohemi Kryeministrit Mickoski: Çfarë ndodhi me “sheshin Tenderbeg,” siç e quante ai sheshin Skënderbeu për të cilin dikur akuzonte Izet Mexhitin? Çfarë ndodhi me hetimin për 30 ndërtesat që u ndërtuan si “Titanikë arkitektonikë,” por që u antidatuan kinse të ndërtuara në vitin 2011, kur ishte në fuqi ligji për legalizimin? Kryeministër, ku janë hetimet për ministrin e “vdekjes,” siç e quanit ju Arben Taravarin që kishte marrë sipas jush dhuratë dy shtëpi për t’u bërë ministër në qeverinë tonë? Apo ndoshta po përjetoni ju vetë një “sulm ankthi, dhimbje koke,” siç pretendoni për prokurorët, dhe për këtë arsye keni harruar të ndiqni akuzat për ministrat tuaj aktualë? Ministrat tuaj janë kthyer në vasalë të politikave tuaja antishtetërore, duke i shërbyer interesave personale dhe politike në vend që t’u shërbejnë qytetarëve”, thuhet mes tjerash në reagimin e BDI.