Në shënjestër ish menaxherët e elektranave të vendit, por edhe gjykatësi i apelit Enver Bexheti bashkë me ish zëvendës kryeministrit Artan Grubi.
Është kjo një lëvizje rrënjësore apo simbolike? Profesori i drejtësisë Bashkim Selmani thotë se kriminalitetit publik, është e vështirë ti gjindet zgjidhja. Sipas tij shumë procese gjyqësore nuk kanë marrë epilog, ndërkaq borxhi publik ka vazhduar të jetë i lartë, falë aktorëve të ndryshëm politik. 2024 -ra po përmbyllet me borxh publik prej 66.4% apo afër 9 miliardë euro.
“Mund edhe të hapen hetime të ndryshme, por ato janë hetime hipotetike për arsye se çfarë ka bërë prokuroria deri tash dhe vallë a është edhe prokuroria e involvuar në këto rrethana në të cilën kanë lënë hapësirë që të ndodhin krimet institucionale dhe pa marrë asnjë veprim të detyrueshëm ligjor siç e parasheh ligji për prokurorinë dhe ligji për gjykata. Nga ana tjetër, arrestimet e fundit siç duket kanë një karakter, nëse nuk do të jetë e instrumentalizuar përderisa vetë kemi person të ikur, atëherë lind edhe dilema se si këta persona nga kanë marrë informacione se ka hetime, e kështu me radhë. Prandaj janë çështje që ne personalisht nuk kemi ndonjë bindje se Maqedonia dhe kjo qeveri ka aftësi për tu përballur me krimin dhe korrupsionin, kur dihet se gjitha subjektet janë autorë direkte apo indirekte të involvuara në borxhin publik”, u shpreh profesori universitar Bashkim Selmani.
Selmani konsideron se çrrënjosja e krimit duhet të nisë nga ish kryeministri Nikolla Gruevski. Ky do të ishte veprimi I duhur pasi ra këmbana nga departamenti amerikan për veprime konkrete.
“Do të ishte shum mirë që të fillohet nga faza dhe gjendja e rëndë e ekonomisë së rëndë që shkaktoi Gruevski dhe morri paratë dhe miliardat me vete. Kjo do të ishte faza e parë me të cilën do të fillohet studimi dhe faza se si ka ardhur deri te borxhi publik dhe sa para ka marrë me vete Gruevski dhe sa i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, që do të ishte pikënisja e hetimeve nacionale dhe ndërkombëtare”, theksoi Selmani.
Dilemat për një gjyqësor të përkushtuar mbeten të hapura. Profesor Bashkim Selmani thotë se pas gëlltitjes nga ryshfeti edhe të prokurorisë speciale në krye me Katica Janevën ndihma ndërkombëtare është më se e nevojshme. Kështu do të vihej në vijë shteti i së drejtës, në të kundërtën besimi në gjyqësor rrezikon të mbetet 2%.