Sokol Paja
Boston, 14 Dhjetor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, dega Boston së bashku me Programin e Studimeve të Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Harvardit dhe Shtëpinë Botuese “Onufri” promovuan veprën “Porosia e Kullës” nga Dr. Pashko R. Camaj. Nën prezantimin mjeshtëror të Jorid Çelaj, kryetari i Vatrës në Boston z.Mentor Maksutaj vlerësoi librin e Dr. Camaj mbi emigracionin dhe theksoi veprimtarinë e Vatrës në Boston në shërbim të kulturës kombëtare, gjuhës shqipe dhe komunitetit shqiptar në Boston. Prof. Faton Limani ligjërues i gjuhës shqipe në Harvard u shpreh se “Porosia e Kullës” është një thesar i rrallë, jo vetëm për shqiptarët në diasporë, por edhe për çdo emigrant që ndjen peshën dhe sfidën e integrimit në një botë të re, duke ruajtur rrënjët dhe identitetin e tij. Themeluesi i shtëpisë botuese “Onufri” z.Bujar Hudhri në fjalën e tij theksoi se “Porosia e Kullës” është libër i çmuar dhe i veçantë në letrat shqipe me kulturën e lartë të të shkruarit, ndjenjat e fuqishme njerëzore që përshkruan dhe mesazhe të fuqishme që jep për lexuesin. Libri i Dr.Pashko Camaj nuk ka mburrje por dashuri e dhembshuri për vendlindjen dhe atdheun. Dr. Pashko Camaj është model suksesi dhe personalitet i mërgatës shqiptare në Amerikë, tha ndër të tjera z.Bujar Hudhri.
Prof. Thanas Gjika në fjalën e tij u fokusua në një analizë letrare dhe stilistikore të librit “Porosia e Kullës” dhe pasazheve meditative filozofike e shpirtërore në roman ku skaliten personazhet jetësore të dilemave dhe historisë së “Kullës” si institucion familjar dhe patriotik. Editori i Diellit u shpreh se Dr.Pashko Camaj ka meritë pasi rrëfen modestisht, përshkruan detaje deri në imagjinatë, melankolik në dhimbje e vuajtje, dramatik e ankthioz në labirintet e së panjohurës por gjithmonë shpresëplotë siç i thoshte babai: “Zoti na e bëjë mirë për ne Çoço”. Në rrëfimet e Pashko Camajt nuk ka mburrje, nu ka hiperbola, nuk ka folklorizëm bajate por ka jetë reale, personazhe reale dhe rrëfime autentike të një kohë të vështirë jo vetëm për personazhin kryesor e familjen e tij por për mbarë shqiptarët të mbetur jashtë kufijve shtetërorë shqiptarë. Rrëfimet e Dr.Pashko Camajt, me një stil e gjuhë shumë të pasur, kanë dritë dhe optimizëm, forcë dhe krenari, thjeshtësi dhe mirënjohje. Gazetari Fatmir Konja u shpreh se ashtu si kulla në malësi, me gjithë magjinë e energjisë elektrike mbeti e pandryshuar, ashtu edhe kulla shpirtërore e Pashko Camajt, megjithë magjinë amerikane, ka mbetur e pandryshuar.
Ish-drejtori i VOA-s z.Frank Shkreli në fjalën e lexuar nga gazetari Fatmir Konja shprehet se “Porosia e Kullës” na bën të shikojmë thellë brenda vetes, ndoshta me mundësinë dhe dëshirën për të gjetur veten në një botë të huaj dhe për t’ju përgjigjur pyetjeve se ku ishim, ku jemi dhe ku po shkojmë – brezi ynë dhe ata që vinë pas nesh. A është një bekim, apo një mallkim, ndoshta, braktisja e Kullës dhe e trojeve tona? Ato kulla që ndër shekuj kanë ruajtur brez pas brezi identitetin shqiptar, traditat, vlerat dhe zakonet e mira të malësorëve, të cilët shpesh e kanë ndier veten si të huaj në kullat dhe në trojet e veta shekullore.
Prof. Besim Muhadri në kumtesën e tij u fokusua te trashëgimia e brezave, elementi krijues e rikrijues letrar dhe simbolika e Kullës si institucion vlerash, qendrese, mbijetese e krenarie kombëtare me përshkrime artistike e rrëfime estetike dhe shumë besnike.
Prozatori Mëhill Velaj u shpreh se “Porosia e Kullës” është libër memorial i jetës dhe metafora e përkryer e kujtesës e qendresës i këtij rrugëtimi të brendshëm e memorizues, ku dimensioni shpirtëror ngadhënjen edhe me lart se përmasa e jashtme, domethënë rrethi social, shtrëngesat e gerçët që Pashko R. Camaj ka përjetuar gjithmonë duke kërkuar për të njohur veten, tjetrin dhe subkulturën që të ofron shteti më demokratik në botë, SHBA – ja. Shkrimtari Kastriot Fetahu u shpreh se Dr. Pashko Camaj provon në këtë roman, përmes një kohe më të shkurtër se francezi Henri Charrière, luajtur nga Steve McQueen në filmin Papillon, se rruga drejt lirisë dhe prosperitetit kalon gjithmonë në ngushticën midis Shilës dhe Karibdës. Në këtë rrugë, Odiseu arriti Itakën, ndërsa Camaj – Amerikën. Thuhet se letërsia ushqen iluzionet, por autori i romanit Porosia e Kullës, Pashko Camaj, provon se doli nga kështjella e Ifit pa ndihmën e Abatit Faria – vetëm përmes vendosmërisë së tij të pathyeshme shqiptare, në kërkim të lirisë, duke ndjekur gjurmët e Edmond Dantesit të ri. Poeti Namik Selmani vlerësoi librin dhe u ndal gjithashtu te vlerat e shtëpisë botuese “Onufri”. Në fund të promovimit Dr. Pashko Camaj zhvilloi një bashkëbisedim me pjesëmarrësit dhe shpjegoi për të pranishmit pikënisjen e shkrimit të librit “Porosia e Kullës” dhe episode që lënë gjumë te pasardhësit dhe lexuesit për të ruajtur rrënjët, trungun dhe trashëgiminë e shkëlqyer të vlerave kombëtare.