Sokol Paja
New York, 12 Dhjetor 2024 – Themeluesi i shtëpisë botuese “Onufri” z.Bujar Hudhri i dhuroi Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra veprën e plotë të shkritarit më të shquar shqiptar Ismail Kadaresë prej 7 vëllimesh në 7 mijë faqe. Vepra e plotë e Ismail Kadaresë u përurua për herë të parë në Prishtinë në muajin qershor të vitit 2023 në prani të vetë Ismail Kadaresë në panairin e librit. Kolona prej 7 vëllimesh përfshin të gjithë krijimtarinë e Ismail Kadaresë nga vepra e parë deri tek e fundit.
Vetë Kadare e ka bërë renditjen kronologjike të kësaj kolane e cila fillon me novelën e parë të pa botuar ndonjëherë “Në dheun e huaj” më 8 tetor 1953 dhe përfshin 70 vjet krijimtari në 7 vëllime, ku çdo vëllim ka 1 mijë faqe. Kolona e plotë e Kadaresë përmban një shënim i botuesit Hudhri dhe parathënie nga Akademiku arbëresh Mateo Mandala ku analizon krejt veprën e Ismail Kadaresë.
Kjo kalanë u botua nën përkujdesjen dhe mbikëqyrjen personale të vetë Ismail Kadaresë me qëllim për ti lënë lexuesit një variantin testamentor të veprës së tij, ku çdo botim i veprës të bazohet mbi këtë kalanë. Çdo vepër ilustrohet në fillim dhe në fund me ilustrime origjinale nga vepra e Kadaresë të punuara me mjeshtri nga piktori Bashkim Ahmeti. Vepra e Ismail Kadaresë është një trashëgimi kulturore, gjuhësore dhe historike për kulturën dhe kombin shqiptar. Vepra e Kadaresë është pjesë e thesarit të kulturës botërore.