Afrim Kasolli.
Kryeministri Kurti kur është pyetur sot për mundësinë e suspendimit të ligjit mbi gjuhët në Maqedoni të Veriut, në vend të solidarizimit me shqetësimet e shqiptarëve atje, ka zgjedhur që në këtë rast të pritet epilogu i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në atë shtet. Sipas tij të gjithë “duhet të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese atje, i cili nuk bën as përjashtime as diskriminim dhe i cili e respekton shumë gjuhësinë që ekziston në Maqedoni të Veriut ku nuk e flasin e gjithë popullsia të njëjtën gjuhë”.
Për shefin e Qeverisë së Kosovës nuk ka nevoje të kemi shqetësime se ai institucion mund të marrë vendime politike. Edhe pse është Gjykata Kushtuese në Maqedoni tw Veriut e cila jo pak ditë më parë e kishte shfuqizuar “Balancuesin” – mekanizmin që rregullonte përfaqësimin “e drejtë dhe adekuat” të komuniteteve në institucionet shtetërore.
Pra është befasi besimi dhe optimizmi i kryeministrit Kurti në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut dhe në të njëjtën kohë sulmet ditore politike ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Për këtë fundit ai dhe zyrtarë tjerë qeveritar kanë deklaruar se më shumë po merret me politikë se sa me mbrojtje të Kushtetutës. Madje në disa raste, shefi i Qeverisë së Kosovës i ka bërë thirrje asaj që të bëhet pjesë e garës zgjedhore. Ndërkohë hiç më larg se në gjatë javës së fundit ky institucion është akuzuar se ka ndikuar që qytetarët e Kosovës të paguajnë më shumë çmimin e bukës sepse Gjykata Kushtetuese kishte shpallur antikushtetues ligjin për Çmimet Tavan. /TV Arbëria