OPINIONE

Ali Ahmet bëhu por komarxhi mos u bëj!

Shkruan, Bexhet Musliu

Shkup, 16 nëntor – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, figurë politike e historike me vlera të larta kombëtare, më në fund u përball me realitetin. Miti i ndërtuar me vite se Ahmeti është sinonim i pushtetit dhe fuqisë absolute ra. Por, si erdhi deri në këtë derexhe kjo figurë e spikatur politike? Kush janë fajtorët apo shkaktarët kryesorë? Do të lexoni në tekstin në vijim. Duke marrë për bazë bagazhin e Ali Ahmetit lirshëm mund të themi e bëjmë thirrje pa hamendje që Ali Ahmet bëhu por komarxhi assesi jo. Nga kjo mbase po filloni e të kuptoni edhe përgjigjet e pyetjeve të lartëpërmendura.

Ali Ahmeti ndërtoi bustin e tij me veprimtari të pasur, por kush ia hapi varrin?

Figura e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, është ikonë e gjallë e një veprimtari që ka arritur të ndërtojë këtë personazh nga zero deri sot ku është. Gjallëri personazhit të tij i kanë dhënë ditët më të errëta të karrierës së tij, koha kur populli shqiptarë luftonte për tu mbrojtur, kundërshtonte sundimin e diskriminim, e zhvillonte beteja për pavarësi e drejtësi.

Fat i tij, por edhe guxim që me dëshirën e vullnetin e plotë ka lundruar në ato ujëra të turbulluar fundi i të cilëve ka qenë i paqartë. Prandaj, është figurë përtej vendit, pra me përmasa rajonale që ka arritur të jetë i dashur nga shqiptarët anekënd vendit e rajonit. Lidhjet e tij miqësie me krahun e luftës në Kosovë, e Edi Ramen në Shqipëri tashmë janë publike e të prezantuara shpesh herë. Ky fakt, e bënë edhe më të popullarizuar figurën e tij, që me automatizëm i faturohet veprimtarisë së tij.
Për të folur për ecurinë e tij në karrierë duhet shumë kohë, e shumë ngjyrë lapsi për të shkruar. Por, mund të bëjmë një përmbledhje gjithëpërfshirëse që karriera e tij është e pasur me veprimtari të begatë, që nuk përjashtohen as gabimet e mëkatet e tij përgjatë kësaj veprimtarie të gjatë. Por, një gjë është e sigurt, ai me duart e tij ka nderuar bustin e tij.

Prandaj, duke u nisur nga ky përshkrim i lartëpërmendur nuk gabojmë nëse deklarojmë që Ali Ahmet bëhu. Por, çfarë mos të bëhemi?

Ku gaboi Ali Ahmeti?

Njerëzit që veprojnë edhe mund të gabojnë. Gabimi është i pafalshëm kur nuk pranohet e nuk korrigjohet. Gabimi më i mirë është të marrësh mësimin e duhur për të mos përsëritur të njëjtën. Edhe Ali Ahmeti duhet të mësojë, ne gjithë jetën mbesim nxënës, prandaj nuk duhet të refuzojmë mësimet që na jep jeta e sidomos gabimet tona.

Ali Ahmeti nuk duhej toleronte që meraklitë e kazinove t’ia humbin vlerat e meritat e tij, por edhe të të gjithë shqiptarëve. Agjencia e Lajmeve Zhurnal vazhdimisht ka shkruar për korrupsionin e funksionarëve të BDI-së, por shkrimet tona hasën në vesh të shurdhur. Ne vazhdojmë po me të njëjtin ritëm edhe për funksionarët e pushtetit aktual.

Por, ajo që vlen ta theksojmë sot është fakti që nga BDI qajnë e vajtojnë për legjimitet. Prandaj, sqarojmë që akuzat dhe alarmet për pushtetin absolut të VMRO-së që rrezikon shqiptarët e vendit janë false dhe pa rezultat. Pasi e vërteta qëndron kështu që në fitoren e VMRO-së me 58 deputetë kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë edhe fushata e BDI-së që ishte krejtësisht e gabuar super nacionaliste që ngjalli edhe nacionalizmin e tepruar në kampin tjetër.

Prandaj ardhja e Ahmetit në këtë derexhe nuk është e rastësishme por si pasojë e funksionarëve të tij të cilët e dërguan në opozitë. E për çudinë më të madhe edhe sot e kësaj dite po këta funksionarë vendosen në radhë të parë apo siç njihet në popull në sajf të parë. Nëse bëjmë një kthesë retrospektive në kohë ka dallime të mëdha tek e njëjta parti politike, BDI e 2002 dallon me BDI-në e 2013 e dallimi bëhet edhe më i theksuar në BDI-në e 2016, për të ardhur në përfundimin e BDI-së së 2024 ku përfundoi edhe në opozitë.
Këto ndryshime në kohë nuk kanë ardhur befasisht por si rezultat i freskimit të partisë me emra të rinj të cilët pastaj u bënë kapadai. Dhe, partia u bë peng i këtyre personave, pra kemi kalim drastik nga koha kur shiheshin interesat e popullit në kohën kur dominojnë interesat e klaneve të caktuara që janë të lidhur ngushtë me kazinot, apo ndryshe të njohur si komarxhi.

Komarxhit marrinë në qafë familje të shumta, shkatërrojnë vetveten e mund ta paramendoni çfarë u bëjnë partive politike. Ali Ahmetit me ose pa dijen e tij iu instaluan në parti një grup komarxhive që ia lëkundën themelet partisë. Do të thotë këta funksionarë të BDI-së që silleshin ditë e net përreth kazinove, lojërave të fatit, e komarit janë shkaktarët kryesorë që e tundën BDI-në, tundje që pasoi me kalim në opozitë. Mbetet të shihet në vazhdim nëse Ahmeti do të reflektojë dhe do të korrigjojë këto gabime. /Zhurnal.mk

Related posts

Protesta – funeral e idhujve të rremë…!

Gjyla Halili

DIAGNOZA  SHOQËRORE DHE ZHVENDOSJA  E FOKUSIMIT

Gjyla Halili

Beleri – kjo dhuratë e përçudnuar për Europën!

Gjyla Halili