Meqë sfida e radhës për vendin është integrimi evropian e për të ndodhë kjo duhet të tërhiqet bllokada aktuale që janë bullgarët. Në këtë periudhë, sidomos pasi u nda Shqipëria nga pakoja me Maqedoninë e Veriut u rrit pesimizmi që edhe gjatë kohë vendi ynë do të vazhdojë të qëndrojë i izoluar. Por, në mesin e këtij pesimizmi vijnë sinjale pozitive që ngjallin një dozë të optimizmit që gjërat mund edhe të ndryshojnë. Sipas kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, Maqedonia e Veriut ka vullnet për t’i bërë ndryshimet kushtetuese ajo që na duhet sipas tij është kushtëzimi dhe garanca që nuk do të vendosen kushte të tjera, shkruan Zhurnal.
Ndryshimet kushtetuese nuk janë larg vetëm duhet garancë –
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi nga Berlini tha se shumica qeveritare është e gatshme menjëherë t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë, por kërkon parashikueshmëri të procesit.
Nuk kemi kurrfarë problemi me atë që bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës, por presim garanci se menjëherë pastaj nuk do të ketë kusht tjetër”, tha Gashi për Dojçe Vele, duke theksuar se në Qeveri nuk ka dilemë se duhet të vazhdohet rruga evropiane e vendit sa më shpejtë.
Pasi Shqipëria javën e kaluar edhe zyrtarisht i filloi negociatat për anëtarësim në BE, Gashi thotë se edhe zyrtarisht Shkupi dëshiron që procesi të vazhdojë sa më shpejtë.
“Ju e dini që bllokada nga Bullgaria i referohet çështjeve historike dhe identitare. Kemi ardhur sot në RF të Gjermanisë pikërisht për këtë temë. Duam që ky proces të zhbllokohet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne jemi të gatshëm t’i përfshijmë menjëherë bullgarët në Kushtetutë. Mendoj se kemi një konsensus të plotë ose më konkretisht të madh se nuk kemi asnjë problem që bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës. Por problemi ynë është me parashikueshmërinë e procesit dhe garancitë që menjëherë pas kësaj nuk do të ketë pyetje të radhës apo kusht tjetër që ka të bëjë me çështje historike dhe identitare që mendojmë se janë të vështira për t’u zgjidhur në tavolinat e bisedimeve politike”, tha Gashi.
Lidhur me ndërmjetësimin e propozuar nga kryeministri hungarez Viktor Orban, të cilin Bullgaria e refuzoi, dhe nëse Gjermania mund të përfshihet si lehtësues, kryetari i Kuvendit thekson se Shkupi dhe Sofja kanë kapacitet për të rënë dakord, por çdo ndihmë është e mirëseardhur.
“Mendojmë se si dy shtete fqinje kemi kapacitete të ulemi dhe të arrijmë marrëveshje, por sigurisht që çdo ndihmë është e mirëseardhur për ne. Ne nuk i zgjedhim miqtë që duan të na ndihmojnë, për ne është e rëndësishme që procesi i integrimit evropian të vazhdojë, dhe sa më shpejtë të bëhemi anëtarë të BE-së”, thotë Gashi.
Ai thekson se koalicioni qeveritar VMRO-DPMNE dhe Vlen është i vetmi sa i përket afrimit me BE-në dhe punon intensivisht për zhbllokimin e procesit.
“Sa i përket komponentit identitar, edhe pse nuk i prek shqiptarët, është mirë që jo vetëm shqiptarët, por të gjithë qytetarët e vendit pa dallim etnie, të gjithë së bashku të qëndrojmë në mbrojtje të identitetit maqedonas dhe prandaj mendojmë se ky proces duhet të vazhdojë dhe Maqedonia sa më shpejt të bëhet anëtare e BE-së”, tha Gashi për DW.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë vizitës së tij ka takuar në Berlin kryetaren e Bundestagut gjerman, Barbel Bas, me deputetët dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, Mihael Rot, Anton Hofrajmer dhe Dirk Fopel, si dhe me ministren për Evropë në MPJ-në gjermane, Anja Lirman.
Pikët politike anash, duhet unitet që Maqedonia e Veriut ta kalojë këtë sfidë –
Në Maqedoninë e Veriut tash ose asnjëherë më vendi dhe qytetarët kanë nevojë për unitet politik përballë kësaj sfide që është vendimtare për vendin dhe shoqërinë. Të gjithë njëzëri duhet të deklarohet dhe në Kuvend të grumbullohen 80 vota deputetësh që ndryshimet e duhura Kushtetuese të bëhen.
Ndryshimet kushtetuese janë vendimtare për ecurinë e vendit, nëse ndodhin vendi vazhdon rrugëtimin evropian, nëse nuk ndodhin vendi izolohet dhe pëson regres dhe sërish ballafaqohet me veton bullgare, pra kemi kthim në pikën zero. Mes tjerash, nga kjo situatë lirshëm mund të thuhet se po që ndryshimet kushtetuese janë orientuese të vendit, pasi Maqedonia e Veriut është e orientuar drejtë Bashkimit Evropian gjegjësisht Perëndimit, nëse nuk ndodhin këto ndryshime atëherë orientimi i vendit vihet në rrezik sepse kjo qartazi është në favor të Rusisë.
Ndryshimet Kushtetuese duhet të ndodhin dhe vendi të vazhdojë me rrugëtimin për anëtarësim të plotë në BE, kjo pastaj sjellë progres të gjithanshëm dhe në gjitha fushat tjera. E për këtë duhet unanimet i plotë që përmes konsensualitet të partive politike të sigurohen votat e nevojshme që këto ndryshime të ndodhin sepse janë në dobi të të gjithë qytetarëve dhe vendit në përgjithësi. E për këtë duhet ta dëshmojnë vetë partitë politike se janë në shërbim të qytetarëve dhe për këtë arsye lënë anash pikët politike por veprojnë në drejtim të ndërtim të një të ardhme më të sigurt e me perspektivë. /Zhurnal.mk