Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra me rastin e festës së Flamurit Kombëtar dhe të botimit të numrit special të Diellit të Pavarësisë, hap zyrtarisht fushatën e donacioneve.
Kjo është një traditë fisnike dhe patriotike ku Vatra u bën thirrje shqiptarëve të Amerikës e më gjërë të kontribuojnë për jetëgjatësinë e gazetës më të vjetër që botohet në diasporën shqiptare.
Gazeta “Dielli” është vetë historia, identiteti dhe krenaria e shqiptarëve të Amerikës. Dielli është një pasuri tejet e çmuar dhe trashëgimi e shkëlqyer e shqiptarëve të Amerikës.
Gazeta “Dielli” ka në themel historinë e kulturën kombëtare, gjuhësinë, albanologjinë, arkeologjinë, median, datat historike, ngjarje dhe figura të shquara të kombit shqiptar.
Qëllimi i gazetës është edukimi, promovimi i imazhit dhe vlerave më të larta të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare, informimi i saktë, promovimi i talenteve dhe personaliteteve të botës shqiptare kudo në mërgatë, promovimi i suksesit dhe thithja e mendimit intelektual në gazetën Dielli, ruajtja e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës e më gjerë.
Gazeta Dielli shërben si një urë lidhëse mes shqiptarëve të mërguar dhe Atdheut mëmë, në botim që nga 15 Shkurti i vitit 1909.
Emrat e kontributorëve, shumat përkatëse dhe foto personale të dhuruesve do të botohen në numrin special që Dielli i kushton Pavarësisë së Shqipërisë.
Fushata përfundon më 28 Nëntor 2024. Kontribuo për Diellin e Vatrës, për Diellin e kombit, për Diellin tënd.
Për të gjithë ata që duan të dhurojnë për Diellin, pagesën ta postojnë në Adresën:
VATRA
2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458
Plotësimi i Check:
(Paid to: VATRA – For: DIELLI NEWSPAPER)
Për pagesat e shpejta kontaktoni Arkëtarin e Vatrës z.Besim Malota cel: +12034557167.
Faleminderit që na besoni, respekte dhe mirënjohje për mbështetjen tuaj.
@followers@top fans