AKTUALE

PRESIDENTJA E KOSOVËS VJOSA OSMANI VIZITOI VATRËN

Sokol Paja

New York, 21 shtator 2024- Presidentja e Republikës së Kosovës Shkëlqesia e Saj Dr. Vjosa Osmani Sadriu zhvilloi një vizitë zyrtare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ajo shoqërohej nga Ilir Dugolli- Ambasador i Kosovës në SHBA, Blerim Reka- Ambasador- Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në New York, Learta Hollaj – shefe e stafit, Rejhan Vuniqi- këshilltare, Donika Kadaj Bujupi- këshilltare, Rinor Nuhiu- këshilltar dhe Albana Krasniqi- këshilltare e Presidentes Osmani.

Delegacioni zyrtar i Vatrës përbëhej nga nënkryetari i Vatrës: Alfons Grishaj, sekretari i Vatrës Dr.Pashko Camaj, arkëtari i Vatrës z.Besim Malota, Kryetari i Këshillit të Vatrës: Kolec Ndoja, Editori i Diellit: Sokol Paja dhe drejtori i degëve të Vatrës: Mondi Rakaj. Nënkryetari i Federatës Vatra z.Alfons Grishaj në fjalën e mirëseardhjes në emër të kryetarit Dr. Elmi Berisha e gjithë vatranëve uroi: “Presidente e Dardanisë, mirë se erdhe në Vatër, në tempullin e lirisë, në djepin e nacionalizmi shqiptar, në institucionin e parë gjithëpërfshirës nga të gjitha trevat shqipfolëse që dha shembullin e bashkimit kombëtar nën një himn dhe flamur kombëtar”. Në emër të Vatrës nënkryetari z.Grishaj i akordoi Presidentes Vjosa Osmani “Mirënjohje” me motivacion: “Për merita të veçanta në lidershipin politik e unifikues në ndërtimin e shtetit të Kosovës, promovimin e shkëlqyer të Kosovës në arenën ndërkombëtare, për zhvillimin demokratik të institucioneve, forcimin e lirisë e demokracisë, të jetës pluraliste e institucionale në Kosovë e kontributin e jashtëzakonshëm në fuqizimin e diplomacisë, reformave e sundimit të ligjit në Kosovë”.

Editori i Diellit ekspozoi sukseset e Federatës Vatra e gazetës Dielli si trashëgimi e veçantë patriotike, kombëtare, atdhetare morale e shpirtërore në mërgatën e Amerikës. Editori ekspozoi punët e mëdha kombëtare të Vatrës përgjatë një shekulli e një dekade veprimtari atdhetare në shërbim të interesit të kombit shqiptar e komunitetit tonë në mërgatën e Amerikës. Gjatë fjalës së saj presidentja Vjosa Osmani vlerësoi punën e Vatrës si shkëndijë e fuqishme atdhetare në Amerikë dhe lartësoi miqësinë e pa ndashme e mbështetjen e përjetshme prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Në periudhën më të vështirë të ekzistencës kombëtare, mërgata e Amerikës me në krye Vatrën bënë që të dëgjohej fort zëri i Kosovës” tha presidentja Osmani. Mërgata e Amerikës dha shkëndija shprese dhe shqiptarët e Amerikës ishin shtyllë kryesore që i hapën Kosovës derën në Shtëpinë e Bardhë për të sjellë lirinë dhe pavarësinë. Falë orientimit pro perëndimor e euroatlantik, Kosova është histori suksesi falë mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës cilësoi zonja Osmani. Kosova ndërtohet mbi bazën e vlerave perëndimore që janë themeli i vlerave të Bashkimit Europian. Vatra është sinonim i mbrojtjes së vlerave më të çmuara kombëtare, vlera që janë themeli i shtetit të Kosovës” tha ndër të tjera Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani. Ajo u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve në trojet etnike dhe diasporë për bashkim në shërbim të interesit kombëtar përballë forcave të errëta që sulmojnë shtetin e kombin shqiptar.

Dr. Pashko Camaj vlerësoi lidershipin e Presidentes Vjosa Osmani dhe miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërsa Kryetari i Këshillit të Vatrës z.Kolec Ndoja u ndal në fuqizimin e femrës shqiptare si forcim i familjes, shtetit e shoqërisë. Presidentja Osmani i dhuroi Vatrës hartën e Republikës së Kosovës punuar në argjend teksa patriotja Alesia Shkorreti i dhuroi presidentes një buqetë me lule për respektin e mirëseardhjen te Vatra, qendra e atdhetarizmës në Amerikë. Kjo ditë ishte e shënuar për Vatrën e mërgatën shqiptare të Amerikës. Një takim i shkëlqyer patriotik si dëshmi e lidhjes së gjallë me shqiptarëve të mërguar dhe shtetit të Kosovës , Shqipërisë e shqiptarëve në trojet etnike.

Related posts

Bartësi Listës në Qytet të Shkupit AbdulSelam Selami shpallet Ambasador Paqe në Tiranë!

Gjyla Halili

Moti në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu

Gjyla Halili

Produktet nga Serbia po zëvendësohen me produkte nga vendet e rajonit

admin