AKTUALE

VATRA DO TË NDËRKOMBËTARIZOJË ÇËSHTJEN ÇAME

Dr. Elmi Berisha

Vatra, vatranët dhe shqiptaro-amerikanët nuk do ta harrojnë kurrë Çamërinë dhe do ta ndërkombëtarizojnë në të gjitha institucionet amerikane çështjen çame. Këto ditë realizova një vizitë emocionuese dhe shumë impresionuese në disa nga viset shqiptare të Çamërisë në shtetin e Greqisë. Kisha planifikuar ti vizitoj enkas këto vise kombëtare dhe të njihem nga afër me gjendjen e gjithmbarshme të bashkombasve tanë atje, si orientim nacional i Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës “VATRA”, vise këto që dikur ishin të banuara me shqiptarë, historia tragjike e të cilëve tashmë dihet, andaj kjo vizitë ishte hapi i parë i zbardhjes së të vërtetës dhe i ngritjes së zërit për të drejtat themelore të njerëzve tanë atje.
Si kryetar i “VATRËS”, për pesë vite, kam vizituar personalisht secilën trevë shqiptare, këtë e kam edhe obligim shpirtëror e zyrtar, por kjo vizitë në Çamëri dhe trojet tjera etnike që edhe tani kanë pjesën dërrmuese shumicë shqiptare, ka karakter të ndërgjegjes sonë kombëtare për ngritjen e të drejtave të kësaj pjese të substancës sonë kombëtare në institucionet e SHBA-ve, si dritë shprese për realizimin e të drejtave të tyre nacionale, të drejtës në pronë dhe në deklarimin e lirë për përkatësinë e tyre kombëtare. Zotohem që këtë çështje do ta ngrej në instancat më të larta të shtetit amerikan.
Ky hap nuk është vetëm vullnet i imi si kryetar i Vatrës, por është obligim dhe orientim strategjik i tërë lidershipit të Federatës “VATRA”. Nga ky moment dhe në ditët, javët dhe muajt në vijim nuk do të ndalemi për të kthyer drejtësinë dhe të drejtat elementare të njeriut për bashkombasit tonë që janë ndër pjesët më të dhimshme të komplet etnikumit shqiptar. Do fillojmë me njerëzit më të mirë të komunitetit tonë që ta ngrejmë këtë çështje në Kongresin Amerikan dhe do të jemi zë i fuqishëm në realizimin e këtyre të drejtave themelore për bashkëkombasit tanë çamë.
Greqia është vend fqinjë dhe mik i shqiptarëve. Ne nuk kemi asgjë kundër popullit dhe shtetit grek, as që bëhët fjalë për pretendime sa i takon integritetit të shtetit grek dhe popullit të lashtë dhe mik helenas, por nuk do të ndalemi së punuari fort në ngritjen e zërit, zbardhjen e historisë së vërtetë, golgotës gjenocidiale që kanë përjetuar shqiptarët në Çamëri, prandaj drejtësia duhet të vihet në vend dhe atyre njerëzve duhet të ju kthehet dinjiteti, e drejta në pronë dhe në deklarimin e lirë se janë shqiptarë, sikurse parasheh e drejta ndërkombëtare, Karta e OKB-së për të drejtat e njeriut dhe lirive të tjera për pakicat kombëtare si në të gjitha shtetet demokratike.

Vatra apelon shtetin shqiptar dhe grek për zbardhjen e krimit, genocidit e masakrave greke mbi shqiptarët e Çamërisë. Vatra do të kërkojë gjithmonë drejtësi për Çamërinë dhe se çështja Çame, çështje thelbësisht kombëtare do jetë gjithmonë ndër prioritetet kryesore të veprimtarisë së Vatrës. Çështja çame, si çështje politike, kërkon tërheqjen e shtetit grek nga akuzat antiligjore kolektive ndaj një popullsie të tërë shqiptare në Çamëri. Vatra i kujton shtetit grek se e ka për detyrë dhe detyrim që të krijojë kushtet që me çdo mjet shqiptarët e dëbuar të rikthehen dhe të fitojnë të drejtat e tyre në Çamëri. Vatra do të punojë fort që Çështja çame të shndërrohet në një problem ndërkombëtar, pasi zgjidhja e saj e kërkon patjetër faktorin ndërkombëtar perëndimor si garanci në zbardhjen e të vërtetës historike të Shqiptarëve në Çamëri.

Related posts

Partneri i koalicionit i Artan Grubit, akuzon Ali Ahmetin për të gjitha të këqijat që u kanë ndodhur shqiptarëve dy dekadat e fundit

admin

Rrihet kamarierja në Tetovë pasi refuzoi ta shërbejë personin që e ka ngacmuar!

admin

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Gjyla Halili