Kryetari i komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj së bashku me kryetarin e Kuvendit, Fadil Kajoshaj dhe drejtuesit tjerë lokal të komunës, pritën krerët drejtuese të shoqatave atdhetare në Amerikë, me ç’rast u diskutua kontributi i diasporës për zhvillimin e atdheut si dhe bashkëpunimi në projektet me prioritet.
Pas takimit, delegacioni zhvilloi një vizitë simbolike në sheshin ku do të vendoset busti i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ky bust, i cili pritet të ngrihet në shesh të ri, është një projekt i financuar nga diaspora, ka deklaruar z. Gjelaj.
Postimi i tij i plotë:
Kryetari i komunës, Lindon Gjelaj së bashku me kryetarin e Kuvendit, Fadil Kajoshaj, nënkryetarët e komunës Ivan Ivanaj dhe Fisnik Gjokaj, sekretaren e Sekretariatit për vetëqeverisje lokale, Marina Ujkaj, si dhe sekretaren e Sekretariatit për bujqësi dhe zhvillim rural, Ismeta Gjoka zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit e shoqatave humanitare nga diaspora, kryetarin e shoqatës „Malësia e Madhe“ nga New Yorku, Senad Lulanaj, kryetarin e Shoqatës atdhetare „Malësia e Madhe“ nga Michigani, Nrek Gjolaj, kryetarin e shoqatës Shqiptaro-Amerikane „Malësia“ nga Kalifornia, Sherif-Sheki Krniq si dhe kryetarin e shoqatës „Jehona e Malësisë“ nga Michigani, Agron Dedivanaj dhe Vilson Sinishtaj-përgjegjës për strategjinë politike.
Ky takim, i cili u mbajt në ambientet e komunës, kishte për qëllim forcimin e lidhjeve mes institucioneve lokale dhe diasporës, si dhe identifikimin e fushave ku mund të ndërmerren iniciativa të përbashkëta në dobi të komuniteteve në nevojë.
Kryetari Gjelaj theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka kontributi i diasporës shqiptare në zhvillimin e vendit. Ai shprehu mirënjohjen e tij të thellë për të gjitha përpjekjet dhe projektet që shoqatat kanë realizuar ndër vite dhe falënderoi përfaqësuesit e diasporës për angazhimin e tyre të palodhur dhe për kontributin e çmuar që po japin në promovimin e vlerave kombëtare dhe kulturore.
Pas takimit, delegacioni zhvilloi një vizitë simbolike në sheshin ku do të vendoset busti i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ky bust, i cili pritet të ngrihet në shesh të ri, është një projekt i financuar nga diaspora, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e ngushtë të mërgates tonë me atdheun e tyre.
Përfaqësuesit e shoqatave, të pranishëm në këtë vizitë, theksuan se ngritja e bustit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në këtë shesh nuk është vetëm një gjest simbolik, por edhe një mënyrë për të forcuar lidhjet mes diasporës dhe atdheut, duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kombëtare.
KOMUNA E TUZIT