AKTUALE

VATRA DHE KISHA “ZOJA E SHKODRËS” PROMOVUAN VEPRAT E HISTORIANIT GJON IVEZAJ

Sokol Paja

New York, 7 korrik 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” në bashkëpunim me Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” promovuan në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” katër veprat historike të z.Gjon Ivezaj. Me pjesëmarrjen e gjerë të komunitetit shqiptar në New York, aktivistëve e veprimtarëve të komunitetit, mediave, shoqatave si Malësia e Madhe, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë etj, në fjalën e hapjes Dom Pjetër Popaj, famullitari i Kishës “Zoja e Shkodrës” falenderoi kontributin historik e bibliografik të veprave të Gjon Ivezaj dhe theksoi rëndësinë e arkivave dhe historianëve shqiptarë për të shkruar të vërtetat historike të kombit tonë. Sekretari i Vatrës Dr.Pashko Camaj theksoi nevojën e ruajtjes dhe përcjelljes së trashëgimisë historike të shqiptarëve. Gazetari Frank Shkreli në kumtesën e tij renditi kontributin e Gjon Ivezaj në promovimin e traditave, gjuhës, kulturës, vlerave autentike atdhetare të Malësisë. Sipas z.Shkreli botimet janë një kontribut i shkëlqyer për Shkrelin historik dhe Malësinë e Madhe në përgjithësi. Ai u ndal te figura e personalitete të rëndësishme kombëtare nga kjo krahinë si At Zef Pllumit, Dasho Shkrelit, At Anton Lulit e Azem Shkrelit etj.
Studiuesi Dr. Paulin Marku në kumtesën e tij rwferoi rreth librit “Rrënjët e Malet e Malësisë së Madhe” theksoi se autori Ivezaj sjell me punimin e tij ngjarje dhe të dhëna të rëndësishme mjaft të hershme historike nga gjurmime antike, për prjardhjen ilire, ndikimet dhe pushtimet romake si dhe stilin romak. Hapsirë në këtë libër i jepet rolit kanonik dhe rëndësia e Dioklese gjatë shekullit V-XI, pozitat juridike të popullsisë si dhe disa të dhëna rreth toponimit të Dioklesë. Me interes në këtë libër është edhe kulrivimi i besimit fetar, roli i klerit katolik në krahinën e Malësisë, tha Dr. Marku. Studiuesja e historisë dhe letërsisë zonja Valdete Dida Cenalia në kumtesën e saj paraqiti aspekte të veçanta të të bjeshkuemit në trevat e Malësisë dhe aspekte bujko-blegtorale të trevave historike të Malësisë së Madhe. Prozatori Mëhill Velaj në kumtesën e tij diskutoi rreth librit “Gjurmime historike në rrënjët kombëtare” ku theksoi se ky libër studimor ndjek një rend kronologjik historik duke filluar me studime Ilire mbi përhapjen e fiseve Ilire në Ballkan ku përmes kronikash historike dhe autorëve antik jepen të dhëna faktike për shtrirjen dhe realitetin historik të fiseve Ilire dhe superstrukturën e tyre shoqërore dhe gjurmët e vlefshme në arealin e kulturës antike e atë mesdhetare deri në fazën e pavarësisë së Shqipërisë si një lloj kapërcyelli e përmbyllje studimore në vazhdën e shekujve. Në përfundim të promovimit fjalën falenderuese e mori autori i librave Gjon Ivezaj i cili falenderoi e shprehu mirënjohje të lartë për Kishën Katolike me në krye Dom Pjetër Popaj, Federatën Vatra me në krye Dr.Elmi Berishën, familjen e tij Ivezaj, kumtuesit shkencorë për referimet dhe shpjegoi me detaje aspektet e botimeve të tij shkencore e publicistike referuar në burime arkivore e dokumentare historike. Autori dhe familja në përfundim të promovimit shtroi një koktail për të gjithë pjesëmarrësit. Ky ishte një aktivitet i shkëlqyer atdhetar, kulturor e komunitar në shërbim të identitetit historik e kulturës shqiptare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Related posts

Ky shtet miraton ligj që ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

Gjyla Halili

VMRO do t’i bëj anketa kandidatëve të saj që konkurrojnë për kryetar të komunave

Gjyla Halili

Sot varroset ish-zëvendësministri i Jashtëm, Anton Berisha

Gjyla Halili