OPINIONE

INSTITUCIONALIZIMI I BAMIRËSISË- VAKUFI

Shkruan:
Myftiu i Tetovës Dr. Selver Xhemaili

“Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni. Çfarëdo që të ndani, Allahu e di mirë atë.” (Kuran, 3/92)
Termi vakuf, i cili përbën njërin ndër konceptet më të rëndësishme të qytetërimit islam dhe që shpreh institucionet e bamirësisë në përgjithësi, rrjedh nga fjala e gjuhës arabe “vakf”, e cila në aspektin etimologjik do të thotë “me ndalë, me ndaluar, me ndërprerë”, ndërsa në aspektin terminologjik do të thotë, ndërprerja e çfarë do llojit të pasurisë, nga vetë pronari i saj, prej qarkullimit dhe përfitimit personal dhe dedikimi apo dhurimi i saj për qëllime bamirësie në dispozicion dhe shfrytëzim të shoqërisë. Imam Muhamedi dhe Ebu Jusufi vakëfin e definojnë si “pasuri, pronar i së cilës është Zoti, ndërsa shfrytëzues është shoqëria njerëzore”. (Islam Tarihi, 1993, v. 14, 20-23)
Në fakt vakëfi është institucionalizimi i bamirësisë me qëllim për t’u dhënë vazhdimësi dhurimit, ndihmës dhe bamirësisë si shfaqje të mëshirës, dhembshurisë dhe dashurisë ndaj krijesave për hir të Krijuesit. Institucionalizimi në fjalë është kushtim i një pasurie Allahut, do me thënë heqja dorë nga pronësia mbi një pasuri duke siguruar që ajo të përdoret përjetësisht për qëllime shpirtërore. Ky qëllim shpirtëror është fitimi i pëlqimit të Zotit, duke i trajtuar nevojtarët përkatës me dhembshuri dhe mëshirë. (Topbash, 12)
Në Kuranin famëlartë nuk ekziston ndonjë shprehje që drejtpërsëdrejti do të shpreh termin e vakëfit, megjithatë ekziston një numër bukur i madh i ajeteve kuranore që këshillojnë harxhimin në rrugë të Allahut, dhurimin dhe shpërndarjen e sadakasë ndaj të varfërve, nevojtarëve dhe jetimëve, bamirësinë dhe ndihmën në devotshmëri. Pra një numër i konsiderueshëm i ajeteve këshillon dhe nxitë në punë të dobishme dhe bamirësi. Kështu që në shoqëritë islame, këto ajete kuranore, këto principe islame e kanë përbërë strukturën e botëkuptimeve dhe zhvillimit të vakëfit. Në vazhdim po i theksojmë disa prej tyre:“…e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfërit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve..”(Kuran, 2/177)
“Të pyesin ty çfarë të japin si lëmoshë. Thuaju: “Çfarëdo bamirësie që bëni, ajo le t’u takojë prindërve, farefisit, jetimëve, të varfërve dhe udhëtarëve. Çfarëdo të mire që bëni, Allahu e di atë”. (Kuran, 2/215)
“Të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne” (Kuran, 2/3)
“Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. (Ky është) premtimi i Tij i vërtetë në Teurat, Ungjill dhe Kur’an. E kush i përmbahet besëlidhjes më fort se Allahu? Andaj, gëzojuni kësaj shitjeje! Kjo është fitorja madhështore.” (Kuran, 9/111)
“Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni. Çfarëdo që të ndani, Allahu e di mirë atë.” (Kuran, 3/92)
“Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” (Kuran, 2/261)
“Shpenzojeni pasurinë në rrugën e Allahut dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim, por bëni të mira; Allahu me të vërtetë i do bamirësit.” (Kuran, 2/195)
“….Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër.” (Kuran, 5/2)
Në fjalët dhe praktikën e Pejgamberit a.s. dhe të sahabëve ekzistojnë plotë shembuj të cilët përbëjnë argumente dhe mbështetje në lidhje me konceptin dhe fillimin institucionit të vakëfit. Në transmetimet të cilët kanë të bëjnë me temën në fjalë, në vend të termit vakuf, më së tepërmi haset përdorimi i fjalëve sadaka dhe infak. I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kur ndërron jetë njeriu ndërpriten veprimet e tij, për pasoj edhe mirësitë (sevapet) e të gjitha veprimeve, në përjashtim të tre gjërave mirësia e të cilave vazhdon edhe pas vdekjes së tij, e para një sadaka, mirësia e së cilës vazhdon t’iu kontribuojë njerëzve (sadak-i xharije), dituria e lënë pas që iu shërben njerëzve dhe fëmija i dobishëm i cili lutet pas tij për të. (Muslim Vasijje 14)
Dijetarët Islam kanë deklaruar se me sadakanë (lëmoshën, bamirësinë) që vazhdon të veprojë, e cila, në terminologjinë përkatëse, quhet sadakatu’l-xharije (mirësi rrjedhëse), përgjithësisht bëhet fjalë për vakëfin. Sadakatu’l-xharije ose mirësi rrjedhëse quhet lënia, për pëlqim/riza të Allahut, e një vepre që kryen shërbim të vazhdueshëm, të pandërprerë.
Duke i vënë gjithësinë me gjithëçka ka në dispozicion të njeriut, Allahu xh.sh. e ka bërë njeriun përgjegjës. Fëmijët, malli, pasuria, shëndeti janë amanete të lëna njeriut brenda kësaj përmbajtje. Njeriu është i detyruar t’i mbroj këto me rreptësi. Përdorimi i amanetit duke e respektuar atë ashtu siç duhet dhe duke pasur për orientim pëlqimin e Allahut, është nga pretekstet më me rëndësi për tërheqjen e begatisë hyjnore.
Sipas mësimit islam, përveç Allahut xh.sh. i cili është i amshueshëm (baki), gjithçka çka është në gjithësi është kalimtare (fani). Allahu është krijuesi i gjithë asaj që është në gjithësi e gjallë qoftë ose jo. Pa dyshim që pronari i vërtetë i të gjitha gjërave të cilët i njohim apo nuk i njohim, i shohim apo nuk i shohim, është Allahu i madhërishëm. Ai është pronar i qiejve dhe tokës. Ashtu siç shprehet poeti Junus Emre në vargjet e mëposhtme, pasuria në kuptim të vërtetë i përket Allahut. Njeriut i është dhënë e drejta e përdorimit dhe administrimit të saj vetëm për një periudhë kohe të caktuar. (Topbash, 16)
“Thonë i zoti mallit, i zoti i pasurisë
Kush është i zoti parë i pasurisë?
Malli, gënjeshtër; pasuria gënjeshtër…
Merru dhe ti pak me to në s’paç punë tjetër!”
Njeriu duhet ta dojë dhe ta adhurojë Allahun xh.sh. shumë, ngase Ai e ka krijuar nga asgjëja dhe i ka dhënë ekzistencë, gjithçka në faqen e dheut e gjallë qoftë apo jo është krijuar nga Allahu i madhërishëm dhe është lënë në shërbim të njeriut. Ata që e duan Krijuesin e lartësuar, i duan edhe krijesat e Tij: njerëzit, krijesat tjera, kafshët dhe bimët. Atributet e bukura të njeriun siç është dhembshuria, mëshira, drejtësia, butësia, bujaria, bamirësia dhe ndjenja e solidarizimit burojnë nga dashuria ndaj Allahut xh.sh. Edhe në thelbin apo themelet e vakëfit qëndron po kjo dashuri. Prandaj vakëfi në një farë mënyre është institucionalizimi i po kësaj dashurie ndaj tjetrit.
Ashtu siç theksuam më lartë përveç Allahut xh.sh. gjithçka është kalimtare në këtë botë, përfshi edhe njeriun. Krahas asaj që njeriu është kalimtarë në këtë botë, në psikologjinë e tij vazhdimisht është e gjallë ndjenja e tij për të jetuar përgjithmonë. Por në këtë botë nuk ka mundësi të jetohet amshueshëm, ngase jeta e kësaj bote është kalimtare. Do të vijë një ditë kur jeta e tij në këtë botë përfundon. Jeta e amshuar është e mundshme vetëm në botën tjetër/ahiret. Prandaj njeriu me mundësitë materiale që posedon në këtë botë duhet të përpiqet dhe të investojë që ta fitojë botën e amshuar. Një dritare e këtillë është vakëfi që vazhdimisht i sjellë sevape/mirësi vakifit (dhuruesit të mallit) madje qoftë edhe nëse ka kaluar në botën tjetër. (Diyanet Ilmi Dergi, 2004, 96)
Një nga kushtet që një besimtar mund të jetë i përkryer, është që ai të jetojë me vetëdijen se “pasuria është amanet”! Nisur nga kjo, përdorimi i pasurisë ose kapitalit jashtë kritereve të dhënies, dhurimit dhe ndihmës konsiderohet tradhti ndaj amanetit. Jo vetëm llogaria e kësaj tradhtie do të jetë e rëndë në jetën tjetër, por është e qartë se kjo edhe në këtë botë do të shkaktojë kriza në planin individual e shoqëror.
Ndërkaq zelli dhe bashkëpunimi në fushën e dhënies, dhurimit dhe ndihmës janë shprehje të një falënderimi konkret ndaj Allahut të lartëmadhërishëm për të mirat që na ka dhënë.
Ndoshta nxitja dhe motivimi më i bukur në lidhje me institucionalizimin e bamirësisë gjegjësisht themelimin e vakëfit është hadithi i Pejgamberit a.s i cili thotë: “Më i miri i njerëzve është ai që është më i dobishëm për ta.” (Sujuti, el Xhamiu’s-Sagir, II, 8) Siç tregojnë faktet historike gjatë tërë historisë së qytetërimit Islam, që nga zanafilla e tij e deri më sot, ky mësim i Pejgamberit a.s. është bërë një parim shumë i rëndësishëm në motivimin dhe udhëheqjen e njerëzve drejtë bamirësisë në përgjithësi.

ZANAFILLA E VAKËFIT

I Dërguari i Allahut a.s. jo vetëm që këshillonte për bamirësi dhe lëmoshë, por ai edhe vetë ishte shembulli më i përkryer në këtë drejtim. Ai, disa toka në Medine, kopshtet në Fedek dhe Hajber i dhuroi (i la vakëf) në shërbim të besimtarëve. (Buhari, “Vesaja”, 1).
Gjithashtu transmetohet se Muhammedi a.s. nuk la asnjë lloj pasurie si trashëgim, përveç një kafshë, një armë dhe tokën të cilën e la vakëf. (Buhari, “Vesaja”, 1).
Omeri r.a. një pronë/kopsht me vlerë në Hajber, të cilën e posedonte si pre të luftës (ganimet), në bazë të këshillave të Pejgamberit a.s., e dhuroi në shërbim të nevojtarëve me kushtë që ajo parcelë pastaj të mos shitet apo blihet, mos dhurohet dhe mos lihet trashëgim, por vazhdimisht prodhimi i saj të jepet sadaka. (Buhari, “Vesaja”, 22, 28-29)
Gjithashtu edhe Othmani r.a. duke u frymëzuar nga mësimet dhe këshillat e Pejgamberit a.s. e bleu pusin Rume në Medine dhe e la atë në shërbim të gjithë banorëve të saj. (Tirmizi, “Menakib”, 18). Halid b. Velidi i la në shërbim/vakëf mjetet luftarake dhe kuajt e tij (Buhari, “Zekât”, 49), Aliu r.a. një tokë të tij të çmuar dhe një burim uji në Jenbua i la vakëf. Këto edhe shumë sahabij të tjerë kanë lënë vakëf shtëpitë dhe tokat e tyre me vlerë. (Ahmed b. Husejn el-Bejhaki, VI, 160-161).
Transmetohet se Xhabir b. Abdullahu ka thënë: “Nuk di asnjë nga muhaxhirët dhe ensarët që të kenë pasur pasuri dhe të mos kenë lënë vakëf.” (Ibn Kudame, el Mugni, V, 598)
Në periudhat e mëvonshme të historisë së Islamit, në shoqëritë islame praktika e vakëfit, gjegjësisht pasuria e dhuruar si vakëf vazhdimisht ka shkuar duke u rritur. Në veçanti gjatë periudhës Osmane vakëfi shënonte rritje intensive, këtë na e dëshmojnë edhe sot e kësaj dite, madje edhe në vendin tonë, sa e sa vepra monumentale cilat janë ngritur në tokë vakëf dhe gjithashtu janë mirëmbajtur me mjete që vinin nga pronat e vakëfeve.
Përveç përkrahjes dhe përmbushjes së detyrave religjioze dhe qëllimeve të tilla, vakëfet, nga ana e tyre kishin një ndikim të lartë në zhvillimin e normave morale, marrëdhënieve kulturoro-arsimore, shoqëroro-ekonomike, politike dhe sociale. Hulumtuesit e kësaj fushe vakëfin e ndajnë në disa grupe dhe nëngrupe varësisht nga lloji i pasurisë (e tundshme apo e patundshme), qëllimi i vakëfimit të asaj pasurie (për qëllime humanitare, shkencore etj.), vakëf i përkohshëm apo i përhershëm, vakëfe të sundimtarëve, vakëfe të njerëzve të njohur etj. (Sherif, 2006, 14-30)
Edhe pse numri i llojeve të vakëfeve të themeluara gjatë historisë është shumë i madhe dhe përfshinë të gjitha trojet ku jetojnë muslimanët, megjithatë këtu mundë të theksojmë disa funksione të pronës së vakëfit që gjatë të kaluarës sonë e cila i ka shërbyer njerëzimit: Ndërtimi dhe mirëmbajtja e xhamive, faltoreve teqeve dhe tyrbeve; Mbështetja dhe mirëmbajtja e medreseve dhe institucioneve kërkimore e shkencore; Shërbimet e strehimit, hanet, hamamet, dhe shërbimet shëndetësore; Mirëmbajtja e namazgjaheve, librarive, bibliotekave; Ndërtimi i puseve, ujësjellësve dhe çezmave; Furnizimi i gjellëtoreve publike, çerdheve dhe kopshteve të fëmijëve; Çlirimi i robërve dhe skllevërve; Sigurimi i lëndëve djegëse për të varfërit; Pagimi i borxheve të borxhlinjve; Ndihma për gratë e veja dhe nevojtarët; Përgatitja e pajës për vajzat jetime; Ndihma në ushqime dhe veshje për nxënësit e shkollave të ndryshme.
Meqë institucioni i vakëfit ishte shprehje e pjekurisë moralo-shpirtërore, kjo veprimtari është realizuar në një formë më të gjerë më
shumë në popujt ose shoqëritë që përfitonin nga veprimtaria orientuese dhe bota shpirtërore e prijësve të shquar shpirtërorë. Sepse vetëmohimi, bujaria, principialiteti dhe sinqeriteti janë, në kuptimin e plotë, rezultat i pjekurisë shpirtërore. (Topbash 24-26)

DISPOZITA E VAKËFIT

Mënyra se si do të menaxhohet një pronë e vakëfit, kush dhe në bazë të cilave parime dhe kritere do të përfitojë nga prona e vakëfit, përcaktohet sipas vullnetit të vakifit (dhuruesit të pasurisë). Vakifi në lidhje me këtë temë deklarohet duke i përfshirë kushtet e vakëfit në fjalë, dhe kjo deklaratë e tij merr karakter zyrtarë, sikur të jetë një rregullore/kushtetutë e vakëfit, e cila përpilohet me shkrim në formë të dokumentit, që këto lloj dokumente në literaturën e vakëfit njihen si “vakfije” ose “vakëfname”. Dijetarët janë të një mendimi për sa i përket asaj se duhet të respektohen parimet dhe kriteret që janë të theksuara në vakfije për deri sa nuk ka ndonjë domosdoshmëri që të detyron të veprosh në kundërshtim me parimet legale dhe kriteret e themelimit të atij vakëfi. Në literaturën e jurisprudencës islame rëndësia dhe obligueshmëria e këtyre kritereve është shprehur nëpërmjet parimit: “Kushtet/Kriteret e vakifit janë sikur teksti (Kur’ani) i Ligjëvënisit”. Pasuria e lënë vakëf kalon në statusin e pronës publike dhe për pasojë nuk mundë të shitet, të dhurohet (si dhuratë) dhe në asnjë mënyrë nuk mundë të bëhet pronë e dikujt.
Menaxhimi i pasurisë së vakëfit apo dhënia me qira e saj bëhet në bazë të kritereve të theksuara në vakfije dhe vlerës së drejtë/meritore.
Ndërsa për sa i përket çështjes së transformimit të një prone vakëfi në vakëf të ri (istibdal) dijetarët/juristët islam kanë mendime të ndryshme. Në lidhje me këtë temë qëndrim më tolerant kanë dijetarët e medhhebet hanefij. Sipas shumicës së tyre, në raste se një pronë vakëfi vinë në një situatë sa që nuk mundë të përfitohet prej saj ose fitimi i saj nuk i mbulon harxhimet, me vendim të gjykatësit, gjegjësisht kompetentëve të vakëfit, vakëfi mundë të transferohet në vakëf të ri. Në këtë situatë duhet pasur kujdes që prona e vakëfit mos shitet nën vlerën meritore dhe është kusht që me vlerën e fituar nga shitja të themelohet një vakëf më i mirë që do t’iu shërbej qëllimeve të njëjta. (Islam Ensiklopedisi, v.42, 478)

DËMTIMI I VAKËFIT

Duke marrë parasysh përkufizimin dhe kuptimin e vakëfit vetëkuptohet se sa e dëmshme dhe sa e rrezikshme është nëpërkëmbja, dëmtimi, shkatërrimi apo uzurpimi i një prone që statusi i saj është vakëf. Pra, në qoftë se të prekësh apo të dëmtosh pronën e një individi është mëkat, është haram, dhe është e gjykueshme edhe me normat e përbotshme edhe tërheq dënimin në botën e ardhshme/ahiret, mundë të paramendojmë fare lehtë se sa mëkat i madh dhe sa e rrezikshme është të uzurposh, tjetërsosh dhe dëmtosh vakëfin, e cila është pronë e gjithë shoqërisë. Ndryshe thënë dëmtimi i vakëfit do të thotë dëmtimi i gjithë shoqërisë. Padrejtësia/zullumi ndaj vakëfit do të thotë zullum ndaj gjithë shoqërisë. Kjo është kështu ngase prona e lënë vakëf është e dedikuar t’i shërbejë gjithë shoqërisë edhe atë në të gjitha kohërat.
Prandaj tjetërsimi apo uzurpimi i një prone të vakëfit do të thotë ndërprerje e bamirësisë dhe mëshirës ndaj shoqërisë, dhe kjo konsiderohet ndër mëkatet e mëdha.
Prandaj është e domosdoshme të tregohet ndjeshmëri e lartë në çështjet e vakëfit dhe respekt i veçantë për këtë amanet hyjnor. Gjatë gjithë historisë është qëndruar me rreptësi mbi këtë çështje dhe, kur ky amanet është shkelur fundi i asaj shoqërie ose i shkelësve të amanetit ka qenë i dhimbshëm. Për shembull deveja e dhënë Pejgamberit Salih a.s. s’ka qenë pronë e askujt, por vetëm një lloj malli vakëf i ofruar njerëzve nëpërmjet Salihut a.s. që të përfitojnë prej saj. Pronari i saj ishte Zoti i madhërishëm. Por fisi i tërbuar e vrau devenë duke e shkelur atë amanet dhe, si përfundim, u shkatërrua.
Përcillet një dialog i trumcakut me Sulejmanin a.s.. Siç dihet ndër mrekullitë/muxhizet e Sulejmanit a.s. ishte edhe njohja e gjuhëve të shpezëve. Një ditë, Sulejmani a.s. e pati qortuar rëndë trumcakun, prandaj edhe trumcaku e pati kërcënuar: “Ta shkatërroj mbretërimin!”
Sulejmani a.s., duke e nënvleftësuar, e pati pyetur:
“E ku ke ti fuqi për të ma shkatërruar mua mbretërimin?”
Kurse trumcaku i vogël i qe përgjigjur kështu: “I lag krahët dhe pastaj i fërkoj me tokën e një vakëfi dhe pastaj dheun e ngjitur pas krahëve e lëshoj mbi çatinë e pallatit tënd. Kështu, dheu i vakëfit mjafton për të ta shkatërruar pallatin tënd!…”
Nga ky rrëfim nxjerrim si mësim se sa me ndjeshmëri dhe kujdes duhet sjellë ndaj mallit të vakëfit. (Topbash 17-18)
Meqë malli i vakëfit është pronë e gjithë shoqërisë si zakonisht në dokumentacionet e vakëfeve gjegjësisht në krye të “vakfijeve” apo “vakëfnameve” (akt-dhurimeve) shkruhen edhe lutje edhe mallkime.
Lutja u kushtohet atyre që nuk e lënë mangët shërbimin për vakëfin, kurse mallkimi u kushtohet atyre që i shkelin kushtet e vakëfit dhe bëhen pengesë për shërbimin dhe plotësimin e qëllimit të vakëfit. Si mallkim, përdoren, përgjithësisht këto fjali: “Mbi atë që e prish ose i ndryshon kushtet e këtij vakëfi, rëntë mallkimi i Allahut xh.sh., i pejgamberëve, i melaikeve, i njerëzve dhe i të gjitha krijesave!…”
Mu për këtë çdonjëri që ka dorë në vakëfin e lënë në këto trojet tona, duhet larguar nga ai dhe duhet lënë që Bashkësia Fetare Islame e RMV-ës, të menaxhojë me të për të mirën e shoqërisë muslimane në përgjithësi në këtë nënqiell.

Related posts

Ramiz Lladrovci: PDK në Drenas gati për unitet qytetar drejt fitores, nuk kemi kohë për të humbur

Gjyla Halili

Në vend të marrshimit me kostumet e UÇK-së paradë me parullat e LGBT-së!

Gjyla Halili

Beteja për Shkupin mes Washingtonit dhe Kremlinit!

Gjyla Halili