Këshilli Evropian ka njoftuar se sot i ka dhënë dritën e gjelbërt finale projektit miliardësh për Lehtësi të Reformave për Rritje për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i ri për të mbështetur reformat e lidhura me Bashkimin Evropian dhe rritjen ekonomike në rajon.
Ky plan do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grandet dhe 4 miliardë euro kredi për gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor të BE-së në vitet e ardhshme.
Këshilli ka bërë të ditur se parakushtet e përgjithshme për mbështetjen e BE-së në kuadër të instrumentit përfshijnë që partnerët të vazhdojnë të mbështesin dhe respektojnë mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumëpartiak, zgjedhje të lira dhe të ndershme, media pluraliste, një gjyqësor të pavarur dhe sundim të ligjit, dhe të garantojnë respektimin e të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave.
Ndërkohë për Kosovën dhe Serbinë ka edhe parakushte të tjera, ku përfshihet progresi në Dialog dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në procesin e negociatave, përfshirë edhe marrëveshjet e kaluara.
Këshilli Evropian ka bërë të ditur se parakusht për këto dy shtete është që ato të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me synimin për të zbatuar plotësisht të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si si dhe të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, dhe se ata angazhohen në negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.