– Gjithçka që po bën Davkova, jo vetëm që është një politikanizëm populist me shumë elemente antishqiptarizmi, por dhe kundër logjikës juridike, sepse përderisa një Tribunal ndërkombëtar është marrë me krimet e luftës së vitit 2001, nuk ka logjikë saherë që t’i kujtohet dikujt të bëjë politikë hakmarrëse, si ajo vetë, të bëhen tribunale të reja!
(Editorial i portalit indeks.mk)
Një fushatë parazgjedhore e bazuar në shpresën se dikush tjetër të krijon pozicion në sistem, mund të thuhet se është pozicioni i opozitës shqiptare. Kjo opozitë, me mesazhin që mori përmes rezultatit të kandidatit presidencial më 24 prill, tashmë ka pranuar rolin e inferioritetit që për fatin e saj të vendosë lideri i VMRO-së, me mirësinë e tij për ta pranuar në qeveri.
Ta zëmë se në demokraci, edhe këto gjëra mund të ndodhin.
Mirëpo, hendikepet e këtij pozicioni të opozitës shqiptare janë të shumëfishta kur ke përballë një parti si VMRO-DPMNE-ja, e cila ndërron qimen si ujku, por jo dhe tabihatin. Për këto tri dekada, sado që ndonjëherë ka dhënë shenja për ndonjëfarë ndryshimi, një diskurs nacionalist, sidomos një lloj animoziteti ndaj shqiptarëve, nuk e ka braktisur asnjëherë. Dhe çka është më e keqja, përherë i përdorë për nevoja politike.
Si të mbështetësh te një parti e tillë si subjekt shqiptar, e të mos cenohesh e degradohesh vetë?
Ky është vërtet hendikep, sepse edhe po të përpiqesh që t’ia mbulosh këto tipare të imazhit të VMRO-së, siç bëjnë disa krerë të partive të koalicionit opozitar shqiptar, janë vetë Mickoski dhe kandidatja presidenciale që ua tregojnë vendin.
Hiq më pak se para dy ditësh, Mickoski pohoi se nuk pranon që ndryshimet kushtetuese të jenë kusht për koalicionim, edhe pse të kundërtën e pohoi Taravari ose të tjerët nga VLEN-i. Ajo që është edhe më problematike, ishte deklarata e zonjës Gordana Siljanovska-Davkova, nga tubimi në Kumanovë, e cila citoi të drejtën ndërkombëtare e cila sipas saj thotë se disa vepra kundër njerëzimit nuk vjetërsohen asnjëherë. Mes rreshtave Siljanovska pretendoi në luftën e vitit 2001 dhe mundësinë e adresimit të këtyre veprave në një tribunal ndërkombëtar.
Një përpjekje sa për sy e faqe nga VLEN-i bëri njëri nga liderët e saj për të distancuar Mickoskin (“i mirë”, mbase?) nga Davkova(“e keqe”, mbase?), edhe pse Davkova është kandidate VMRO-së, fakt ky që nuk mund të fshihet me asnjë interpretim rreth roleve në këtë parti ku politikanët e saj janë rritur me këtë frymë.
Mania për t’u kthyer prapa në procese, politikën maqedonase asnjëherë nuk e ka braktisur, dhe këtë gjë e bën Davkova me “rikujtimin” se disa vepra asnjëherë nuk vjetrohen”! Por kjo zonjë, që ia adreson sigurisht UÇK-së, si një konstitucionaliste e përbetuar, duhet doemos të dijë disa fakte, që duhet t’ia kujtojnë para së gjithash edhe opozitarët tanë shqiptarë të VLEN-it, të cilët nuk e dimë pse heshtin:
1.Lufta e 2001-shës ka përfunduar me një Marrveshje Kornizë (të Ohrit), në të cilën janë paraparë ndryshime kushtetuese dhe disa kushte të tjera. Marrëveshjen e Ohrit e kanë nënshkruar të gjithë liderët relevantë të vendit, mes tjerëve, edhe kryetari i atëhershëm i partisë së sotme të Gordana Siljanovskës-davkovës.
2.Një nga ato kushte ka qenë risocializimi i luftëtarëve të UÇK-së përmes amnistisë së përgjithshme e cila është votuar në Parlament, ku kanë votuar edhe deputetët e atëhershëm të partisë së sotme të Davkovës.
3.Për krimet “që asnjëherë nuk vjetrohen”(krime lufte, kundër njerëzimit), për territorin e ish-Jugosllavisë, ka qenë i autorizuar Tribunali i Hagës, i cili i trajtoi edhe krimet e luftës në Maqedoni.
Pra, një tribunal që Davkova do ta donte ta rithemelonte, i ka pas në dorë krimet e supozuara dhe nuk ka ndërmarrë gjë për mungesë dëshmish. Nuk i ka hedhur poshtë ndonjë gjyq shqiptar, por një tribunal ndërkombëtar.
4. Si konstitucionaliste që është, e këtë duhet t’ia kujtojnë edhe opozitarët tanë shqiptarë, për shkak të këso zërash si Davkova, për të mos i lënë gjithkujt që të merret me diçka që ka marrë fund, Parlamenti i Maqedonisë, edhe një herë i mbylli këto lëndë, në mandatin e Qeverisë së përbërë nga partia e sotme e Davkovës dhe BDI-së.
Ndaj dhe gjithçka që po bën Davkova, jo vetëm që është një politikanizëm populist me shumë elemente antishqiptarizmi, por dhe kundër logjikës juridike, sepse përderisa një Tribunal ndërkombëtar është marrë me krimet e luftës së vitit 2001, nuk ka logjikë saherë që t’i kujtohet dikujt të bëjë politikë hakmarrëse, si ajo vetë, të bëhen tribunale të reja!
Andaj me të drejtë këto ditë, disa analistë shqiptarë u janë drejtuar opozitarëve të VLEN-it, por dhe përkrahësit të supozuar të tyre, Albin Kurtit(edhe pse ky e ka mohuar këtë përkrahje), që nuk po kanë forcën e distancimit nga qëndrimet e këtilla që vijnë nga VMRO-DPMNE-ja.
Përderisa forcën e vet Fronti Evropian mundohet ta sigurojë përmes votës nga qytetarët, VLEN-ni shpreson në hyrjen në qeveri, e bazon te një parti e dëshmuar me qëndrim problematik ndaj shqiptarëve. “Mjerim!”, ishte komenti i një analisti! /indeks.mk