Pas euforisë së fitores më 24 prill, VMRO-DPMNE ju rikthye aktiviteteve të fushatës zgjedhore për rrethin e dytë të presidencialeve, por edhe të zgjedhjeve parlamentare. Sipas liderit të kësaj partie, Hristijan Mickoskit, diferenca prej 180 000 votash, është tregues se populli është zgjuar në këmbë dhe populli është ngritur kundër kësaj qeverie. Mickoski nga tubimi në Kërçovë, u shpreh se dallimi pas ditës së zgjedhjeve është cunami që po rritet dhe vala e ndryshimit do ta mposhtë këtë qeveri.
“Ata që rrahën gjoksin se do të fshiheshim pas ditës së zgjedhjeve, sot nuk i shoh. Fshehurazi po bëjnë skenarë për bojkot, po qëndrojnë para dere në Reçicë të Vogël për t’u lutur për vota, siç i lusnin për tenderë. Por, populli është më i fortë se ata qindra njerëz të BDI-së që menaxhojnë vendin dhe atë regjim artanoid. Dua të paralajmëroj se puna nuk ka mbaruar fare. Është e nevojshme që kartoni i verdhë të marrë ngjyrë të kuqe. Më 8 maj duhet të dalim masivisht dhe të votojmë për ndryshime”.