Edhe pse partitë politike janë të obliguara të dorëzojnë raport me një formular për donacionet e marra në një llogari transaksioni raporte të zbrazëta dhe jo të plota për financim janë dorëzuar në KSHZ. Transparenca në financimin e fushatave një nga ndryshimet në kalendarin për zhvillimin e zgjedhjeve për president të shtetit, i cili u miratua nga anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Ky vendim është i shëndetshëm për partitë politike por edhe për qytetarët, për partitë për të dëshmuar “pastërtinë” e tyre dhe për qytetarët për të parë se kush financon më shumë subjektet e caktuara politike. Pasi kontrolli shpesh herë qëndron në korrelacion të drejtpërdrejt me financimin, ata që financojnë kanë prirje edhe të kontrollojnë. Por, fatkeqësisht këtij ndryshimi jo të gjithë kandidatët i janë përgjigjur pozitivisht, shkruan Zhurnal.
Kandidatët për president jo mjaftueshëm transparent –
Raporte të zbrazëta dhe jo të plota për financimin e fushatës zgjedhore janë dorëzuar në KSHZ nga disa prej kandidatëve për president. Disa fshehin sa para kanë mbledhur, të tjerët sa kanë shpenzuar. KSHZ-ja mohon përgjegjësinë për përmbajtjen e raporteve, përgjegjës për këtë janë zyrtarët kundër korrupsionit dhe revizorët, informon REL në gjuhën maqedonase.
Kandidatët për president Stevo Pendarovski dhe Bujar Osmani nuk e kanë përmbushur plotësisht obligimin ligjor për të dorëzuar informacionin bazë për donacionet e pranuara në dhjetëditëshin e parë të fushatës zgjedhore. Raportet financiare i kanë dorëzuar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, por ato kanë qenë të zbrazëta, pa asnjë të dhënë përveç vulës dhe nënshkrimit të personave të autorizuar në fushatë, si dhe numrin e llogarive të transaksioneve në bankë për fushatën zgjedhore. Sipas Kodit Zgjedhor, kandidatët për president janë të obliguar t’i dorëzojnë KSHZ-së tre raporte financiare, i pari në ditën e 11-të të fushatës, i dyti në ditën e 20-të të fushatës dhe raporti i tretë i përgjithshëm duhet të dorëzohet pas zgjedhjeve.
Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thonë se nuk janë përgjegjës për përmbajtjen e raporteve, për ta është me rëndësi respektimi i afatit, i cili duhet të dorëzohet me kohë.
“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk ka asnjë të drejtë dhe kompetencë për të kontrolluar dhe vepruar ndaj raporteve financiare të pjesëmarrësve në zgjedhje, që është në kompetencë të Entit Shtetëror për Revizion. Të njëjtat raporte nga pjesëmarrësit në zgjedhje i dorëzohen edhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit”, thuhet në përgjigjen nga KSHZ-ja në pyetjen se pse lejohet publikimi i raporteve bosh dhe jo të plota të kandidatëve për president, për REL.
Fushata e Pendarovskit financohet nga llogaria e rregullt e LSDM-së –
Nga shtabi zgjedhor i Pendarovskit mendojnë se nuk e kanë shkelur ligjin me paraqitjen e raportit bosh. Ata i referohen kodit zgjedhor, duke bërë me dije se detajet do t’i japin në raportin financiar përfundimtar, i cili dorëzohet pas zgjedhjeve. Në përgjigje për Radion Evropa e Lirë thonë se fushata zgjedhore e Stevo Pendarovskit në 10 ditët e para të fushatës financohet nga llogaria e rregullt e LSDM-së.
Shumat e mjeteve të transferuara në dhjetë ditët e para do të paraqitet në raportin financiar të përgjithshëm në përputhje me nenin 85 të ligjit zgjedhor”, thuhet në përgjigjen nga shtabi zgjedhor i Pendarovskit.
Shtabi zgjedhor i Bujar Osmanit premtoi se do t’i përgjigjet pyetjes pse kanë dorëzuar raport bosh, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë dërguar përgjigje.
Përveç raporteve të zbrazëta, KSHZ ka pranuar edhe raporte jo të plota Disa nga kandidatët për president nuk kanë bërë të ditur se sa para kanë mbledhur nga donacionet, por për këtë kanë bërë të ditur se sa do të shpenzojnë për reklama, ndërsa disa nuk kanë bërë të ditur se sa para kanë shpenzuar në dhjetëditëshin e parë të fushatës dhe as për çfarë ata i shpenzuan ato.
Sipas raportimeve të pesë kandidatëve të tjerë, kandidatja për kryetare të VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, ka grumbulluar më së shumti para nga donacionet, gjithsej 20 milionë denarë, përkatësisht 325 mijë euro. Fjala është për donacione nga anëtarët e partisë politike VMRO-DPMNE, të cilat si donacion total janë transferuar nga llogaria bazë e transaksioneve të një partie politike në llogarinë e fushatës zgjedhore. Nga të gjithë kandidatët për president, vetëm Siljanovska Davkova ka raportuar se ka marrë një donacion nga një kompani private në vlerë prej 800 euro. Mirëpo në raportin e saj mungojnë të dhënat për shpenzimet, përkatësisht se çfarë është planifikuar të shpenzohet nga paratë që ka marrë si donacione në fushatën zgjedhore.
Pas saj në renditje renditet kandidati i opozitës, Arben Taravari me 42 mijë euro të mbledhura, nga të cilat gati 9 mijë euro janë nga donacionet e individëve, ndërsa 29 mijë euro ka marrë nga llogaria partiake e Alternativës dhe 5 mijë euro nga Aleanca për Shqiptarët për fushatën zgjedhore. Sipas të dhënave në raportin financiar, Taravari ka shpenzuar më shumë para se sa ka mbledhur për fushatën. Shpenzimet e tij arrijnë në 55 mijë euro, prej të cilave janë paguar vetëm 39 mijë euro. Kjo do të thotë se ai ka marrë 16 mijë euro borxh në dhjetë ditët e para të fushatës.
E treta në listë është Biljana Vankovska Cvetkovska me të hyra totale nga donacionet e personave fizikë në vlerë prej 17 mijë euro. Në llogarinë e saj të transaksionit nuk ka asnjë donacion nga partia Levica që e ka mbështetur kandidaturën e saj, por anëtarët e saj figurojnë si donatorë – persona fizikë.
Menjëherë pas saj është kandidati për president nga partia ZNAM, Maksim Dimitrievski, i cili raportoi se ka buxhet prej 116 mijë eurosh. Prej tyre, 7000 euro figurojnë si donacion i transferuar nga një parti politike dhe 108.000 euro janë para që figurojnë të dalin nga buxheti si kufiri maksimal i lejuar për shumën e shpenzimeve për votues të regjistruar.
Ai është i vetmi nga kandidatët që ka deklaruar se do të shpenzojë 100 mijë euro për reklama në televizionet dhe radiot kombëtare, si dhe për reklama në gazeta.
Rivali i tij, kandidati për president i Grom-it, Stevço Jakimovski, ka mbledhur 15 mijë euro nga donacionet nga personat fizikë, por në raportin që ka dorëzuar në KSHZ, ai nuk i ka plotësuar pyetësorët për paratë e shpenzuara.
Kujtojmë që, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do t’i kushtojnë shtetit gjithsej 17 milionë euro. Kjo shumë mbulon shpenzimet për organet zgjedhore, për materialet e nevojshme, për votimin e diasporës dhe për nevoja të tjera për dy raundet e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Nga këto para, dhjetëra milionë janë të destinuara për reklama politike me pagesë, që do të thotë dy euro për votues të regjistruar për zgjedhjet parlamentare, po aq për raundin e parë presidencial plus një euro tjetër për raundin e dytë.
Transparenca në financimin e fushatave i shërben edhe partive politike edhe qytetarëve, për të dëshmuar e vërteta reale që ka peshë të rëndësishme se kush realizon më shumë donacione dhe cilat parti politike. Pasi përmes këtij raporti mund të detektohen edhe lidhjet e bizneseve me partitë politike, përmes kësaj rrënohen paragjykimet që parti politike brenda vendit financohen nga Turqia, Irani, Rusia e të tjera.
Pasi shumë prej politikanëve tanë këto akuza i kanë në maje të gjuhës duke pretenduar se rrënohet kundërshtari nëse “shpifim” për sa i përket anës financiare. Ta zëmë se një shtet i huaj po financon dhe ka krijuar një parti politike, tani është momenti adekuat që këta financues të rregullt të partive politike të bëjnë donacione sepse fushata zgjedhore është koha kur partitë kanë më së shumti nevojë për financa. /Zhurnal.mk