Në dyert e Institucionit të Avokatit të Popullit në Maqedoninë e Veriut për çdo ditë trokasin qytetarët me ankesën se u shkelet e drejta e lëvizjes së lirë për shkak të paaftësisë së institucioneve për të realizuar detyrimet e marra nga Marrëveshja e Prespës, përkatësisht për të organizuar pajisjen me dokumente me emrin e ri kushtetues në afatin e paraparë me ligj – brenda 15 ditëve.
Të gjithë qytetarët që kanë aplikuar për dokumente të reja presin më shumë se afati ligjor prej 15 ditësh, i cili është i paraparë me Ligjin për dokumentet personale. Në vazhdimësi marrim ankesa, edhe pse ky numër është në rënie. Qytetarët ankohen se kanë dorëzuar aplikimin para një muaji e më shumë, dhe dokumentet personale si pasaporta, letërnjoftimi apo patenta e shoferit dhe se ato nuk janë gati”, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, institucioni i Avokatit të Popullit.
Një nga ata që tashmë më shumë se dy muaj pret për të marrë pasaportën, është edhe Daniella Nastevska, e cila thotë se rrezikon ta humbë biletën e prerë për të shkuar te vajza në Belgjikë e cila është para lindjes.
“Sapo fillojnë qytetarët të reagojnë, e mbyllin sportelin dhe s’marrim asnjë informacion. Më thonë se akoma nuk është gati, nuk është printuar. Nuk e kuptoj pse duhet aq shumë kohë për t’u printuar. Kam frikë se do t’më digjet bileta e aeroplanit që më nxorën fëmijët. Ndihem aq e pafuqishme, pasi nuk mund ta takoj vajzën në ditët e para që bëhet nënë”, thekson ajo për Radion Evropa e Lirë.
Bashkim Selmani, ligjërues në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tetovës thotë për Radion Evropa e Lirë se me dy këmbë po shkelet e drejta e qytetarëve për sa i përket lëvizjes së lirë për shkak të mosdhënies me kohë të dokumenteve personale.
“As që diskutohet shkelja. Mirëpo, shqetësimi shtrohet se jo vetëm se nuk respektohen afatet, por askush nuk jep llogari për shkeljen e tyre. Shto këtu edhe mosorganizimin e qytetarëve që ta padisin shtetin për mosmarrjen me kohë të dokumenteve personale pasi Maqedonia e Veriut nga ai moment që do të fillojë të paguajë gjoba për shërbimet jofunksionale në bazë të së drejtës publike, do të marrë masa, në të kundërtën ky kaos me dokumentet personale do të vazhdojë edhe shumë kohë”, thotë Selmani.
Ai shton se Administrata e Maqedonisë së Veriut është gjenerator i depresionit te qytetarët për arsye se dokumentet elementare janë bazë kushtetuese, me të cilat qytetarët duhet të shërbehen në kohën e duhur brenda afateve ligjore.
“Nëse këto afate nuk respektohen, atëherë nuk kemi administratë, e cila ofron shërbim me dinjitet për qytetarët, por ajo përkundrazi i kufizon të drejtat e qytetarëve duke krijuar shumë shqetësime për ta”, thekson Selmani.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk japin detaje se sa qytetarë aktualisht nuk kanë asnjë dokument identifikimi valid, si pasaporta dhe letërnjoftimi.
Nga kjo ministri thonë për REL-in se nga 5 qershori i vitit 2021, kur ka filluar dhënia e dokumenteve me emrin e ri të shtetit, e deri më 4 prill 2024, për t’u pajisur me pasaportat e reja kanë aplikuar 1 milion e 491 mijë e 408 qytetarë.
Ministria e Punëve të Brendshme me përforcimin e kapaciteteve, ka ndërmarrë masa që qytetarët sa më shpejt që është e mundur, t’i marrin të gjitha dokumentet”, kanë theksuar nga kjo ministri, pa dhënë më shumë detaje për vonesat për sa i përket marrjes së pasaportave nga afati i aplikimit.
Nga ky dikaster kanë theksuar se pasaporta me procedurë të shpejtuar, për të cilën paguhet dyfish më shumë, mund të merret brenda 48 orëve.
Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në mars të këtij viti mbi 100 mijë qytetarë do të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi, të cilit i ka skaduar afati i vlefshmërisë brenda nëntë muajve deri në ditën e zgjedhjeve.
Por, dokumentet e pavlefshme nuk vlejnë në banka ose institucionet ku kërkohet përditësimi i të dhënave.
“Ankesat e qytetarëve janë nga më të ndryshmet për sa u përket problemeve, me të cilat përballen gjatë procedurës së pajisjes me dokumente personale. Ka dhe të tillë që u është bllokuar llogaria bankare pasi nuk mund të azhurnojnë të dhënat në bankë, megjithëse ky numër është më i vogël. Si preventivë kërkojmë që të gjendet zgjidhje nga ana e institucioneve kompetente”, thonë për Radion Evropa e Lirë nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Në bazë të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit, që u arrit më 17 qershor 2018, qytetarët e Maqedonisë së Veriut u obliguan që deri më 14 shkurt të këtij viti t’i zëvendësojnë dokumentet personale, gjegjësisht pasaportat, letërnjoftimet dhe lejet e qarkullimit, me emrin e ri të shtetit, Maqedoni e Veriut./REL/