Në qytetin e Tetovës, në objektet e Medresesë Isa Beu – Paralelja e Vajzave, ka nisur një projekt i rëndësishëm për zgjerimin dhe modernizimin e ambienteve të saj. Ky zhvillim ka ardhur si rezultat i prishjes së ish-objektit të Myftinisë, i cili më parë ka shërbyer si zyra për stafin arsimor të Medresesë. Me rastin e rinovimit të Xhamisë Eski, hapësirat e vjetra u rrënuan për të renovuar Xhaminë Eski si dhe për t’i hapur rrugë një ndërtese të re që do të përmbushte më mirë nevojat e stafit.
Në muajin gusht të vitit 2024, Myftinia e Tetovës, e udhëhequr nga Myftiu Dr. Selver Xhemaili, rifilloi punimet për përgatitjen e zyrave dhe hapësirave të reja për stafin arsimor të Medresesë.
Deri më tani, është realizuar faza e parë, që përfshin instalimin e sistemit elektrik, të ujit, suvatimin fillestar të brendshëm, shtrimin e ibërcukit, vendosjen e sistemit të ngrohjes për të gjithë objektin, si dhe mbulimin e dy hyrjeve me pllakë betoni.
Aktualisht, vazhdojnë punimet për suvatimin e brendshëm në fazën e dytë, izolimin dhe suvatimin e jashtëm të të gjithë objektit (përfshirë edhe pjesën e vjetër), si dhe instalimin e pajisjeve të ngrohjes. Në të ardhmen, janë planifikuar vendosja e pllakave për dyshemenë e ndërtesës së re dhe të vjetër, hyrja kryesore, si dhe oborri. Në përfundim, zyrat do të pajisen me inventarin e nevojshëm për funksionimin efektiv të stafit arsimor.
Siç është vërejtur nga shumë qytetarë të Tetovës, punimet për ndërtimin e zyrave të Medresesë po vazhdojnë me intensitet të lartë. Ky informim i detajuar është një mundësi për të njohur të gjithë përparimet e deritanishme, punët aktuale dhe planet e së ardhmes në përmbushjen e këtij projekti të rëndësishëm për arsimin dhe qytetin tonë.
Falënderojmë të gjithë donatorët dhe kontribuesit.
Zoti i shpërbleftë.