Njëri nga aktivitetet më të rëndësishme të përbashkëta të Myftinisë dhe Komunës së Tetovës, është edhe Akademia Solemne e mbajtur më 26.03.2024 (e martë), me rastin e përkujtimit të Ulemave të Tetovës, në sallën e Objektit për Shërbime Fetare dhe Sociale.
Programi i këtij manifestimi filloi me leximin e pjesëve nga Kur’ani Fisnik, të lexuar nga imami i Xhamisë Saatit, hfz. Havzi ef. Ramadani.
Të pranishëm në këtë Akademi ishin: Myftiu i Tetovës, Prof. Dr. Qani ef. Nesimi, ish myftinjtë: H. Alifekri ef. Esati dhe Hfz. Mr. Nexhati ef. Limani, ish Kryeimami, Hfz. Mr. Ejup ef. Selmani, Dekani i Fakultetit Filozofik pranë Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Ibish Kadriu, Prof. Dr. Fehari Ramadani dhe Prof. Dr. Abdylnaser Sinani, zv. Drejtori i Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze, Mr. Mexhit ef. Emurli, z. Agim Kurtishi përfaqësues i z. Lazim Destanit – Ecolog, hoxhallarë, Këshilla të Xhamive, afaristë, anëtarët e Myftinisë, kolegët e Myftinisë, përfaqësues të Komunës, si dhe familjarë të hoxhallarëve.
Në këtë Akademi të cilin e moderoi referenti për Kulturë pranë Myftinisë së Tetovës, Dr. Husein ef. Rizai, fjalën kryesore e kishte Myftiu i Tetovës. Ai në fjalimin e tij potencoi se Ulematë tanë të vendosur dhe me këmbëngulje, duke sakrifikuar çdo gjë që posedonin, madje duke sakrifikuar edhe veten e tyre nëpër burgje apo edhe me eliminim, duke rrezikuar edhe familjen e tyre, kanë kontribuar në ruajtjen e vlerave kombëtare, fetare familjare e njerëzore. Në vazhdim të fjalimit të tij Myftiu përmendi se kjo Akademi tanimë i ka bërë 10 vite, si dhe numri i të gjithë Ulemave që janë përmendur deri më tani arrin deri 81. Myftiu theksoi se të gjitha biografitë e prezantuara nëpër këto Akademi, tanimë janë të botuar në dy broshura, Ulematë e Tetovës I dhe II.
Në fund të fjalimit të tij, Myftiu falënderoi, familjarët e hoxhallarëve dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në organizimin e këtij eventi.
Pikë e veçantë e kësaj Akademie ishte edhe leximi i biografive të personaliteteve fetare dhe kombëtare të trojeve tona nga ana e hoxhallarëve të Tetovës.
Në vazhdim mualimi i Xhamisë së Kadi Çeshmës, Irfan ef. Emurllai lexoi biografitë e hoxhallarëve:
1. Hfz. Jashar ef. Jashari
2. Hfz. Mixhait ef. Ferati
3. Hfz. Adem ef. Emruli
Ndërsa imami i Xhamisë së fsh. Grupçin, Bajram ef. Ferati lexoi biografitë e hoxhallarëve:
1. Hfz. Refet ef. Bexheti
2. Hfz. Efraim ef. Sejdi
3. Hfz. Riza ef. Imeri.
Më pas, nga ana e Myftiut, u bë ndarja e mirënjohjeve familjarëve të hoxhallarëve të nderuar.
Pas Akademisë Myftinia e Tetovës shtroi iftar në Restorantin “Horizont”.
next post