AKTUALE

Kush është Bujar Osmani? Doktor i diplomacisë dhe i Maqedonisë evropiane!

Politikologu Samet Shabani thotë se partitë me përvojë më të gjatë në pushtet (VMRO-DMNE, LSDM dhe BDI) gjithmonë shpallin kandidatë që kanë ‘rrjet’ ndërkombëtar, sepse posti i presidentit konsiderohet si reprezentativ dhe me marrëdhënie më intensive me bashkësinë ndërkombëtare, dhe më pak me njerëzit/qytetarët.

Prandaj, shton ai, Bujar Osmani ishte kandidati më i natyrshëm dhe më i pritshëm i BDI-së për këtë pozitë.

“Përparësia e Osmanit ndaj kandidatëve të tjerë është pikërisht përvoja e tij në skenën ndërkombëtare në pesë vitet e fundit. Po ashtu, Bujar Osmani ka arritur të ruajë legjitimitetin e partisë ndër vite, prandaj nuk ka pasur mosmarrëveshje të brendshme rreth kandidaturës së tij, që është një avantazh shtesë, sidomos në aspektin e mobilizimit të votave nga militantët dhe anëtarët e partisë”, tha Shabani për Frontline, përcjell PRESSonline.al

Sipas bashkëbiseduesit tonë, nuk janë të vogla as sfidat para Osmanit.

“Nga ana tjetër, sfidat e Osmanit janë: përballja me korrupsionin dhe pasurimin e paligjshëm në publik, në disa raste; mbështetja e kandidaturës vetëm nga një parti shqiptare, d.m.th. nuk bëhet fjalë për një kandidat “konsensual” me mbështetjen e votuesve të etnive të tjera; Fushata e BDI-së u fokusua në politikat e jashtme të sigurisë (me sloganin ‘JO Rusisë, PO Evropës!’), pra jo në tema reale dhe thelbësore të qytetarit në jetën e përditshme – si mirëqenia, shëndetësia, arsimi, stabiliteti ekonomik”, ka thënë Shabani për Frontline, përcjell PRESSonline.al

Analisti politik Urim Saliu thotë se Bujar Osmani ka dëshmuar se është një diplomat i mirë dhe i kompletuar përtej asaj që mund t’i thonë kundërshtarët e tij politikë dhe këtë e ka dëshmuar veçanërisht në drejtim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

“Në një kohë shumë delikate, kulmi i karrierës së tij politike është kryesimi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në një kohë shumë të vështirë, pra në një nga konfliktet më të mëdha të pas Luftës së Dytë Botërore, si p.sh. si ai në Ukrainë. Ai mund të mbajë lehtësisht një post të madh siç është Presidenti i vendit nëse fiton garën e madhe, shumë konkurruese dhe të ashpër për këtë detyrë. Ai është një politikan me vizion, i pranueshëm për të gjitha partitë, i cili tashmë ka fituar mjaft përvojë si bartës i disa posteve të mëdha dhe të rëndësishme”, thotë Urim Saliu – analist politik për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al

Maqedonia e Veriut, thotë Saliu, nuk ka pasur kurrë një ngjarje më të madhe se Këshilli i 30-të Ministror i OSBE-së, i cili u mbajt në vendin tonë dhe u drejtua nga Bujar Osmani.

Kush është Bujar Osmani?

Bujar Osmani u lind më 11 shtator 1979 në Shkup. Ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup në vitin 2004. Një pjesë të specializimit e kreu në Londër të Mbretërisë së Bashkuar në periudhën 2006-2007, ndërsa në vitin 2012 fitoi titullin kirurg specialist. Prej vitit 2014 është doktorant në Shkollën e Studimeve të Doktoraturës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ku doktoroi në korrik 2018.

Përvojën e punës e ka filluar në vitin 2004 si doktor i mjekësisë në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naum Ohridski” në Shkup. Në vitin 2008 u emërua ministër i Shëndetësisë i Republikës së Maqedonisë dhe atë pozitë e mbajti deri në vitin 2011. Nga viti 2011 është kirurg specialist në Klinikën Universitare për Kirurgji Digjestive në Shkup. Në vitin 2011, ai u emërua edhe Sekretar i Komunikimit Publik në kryesinë e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Që nga qershori i vitit 2017, ai është emëruar zëvendëskryeministër i ngarkuar për çështjet evropiane. Gjatë këtij mandati, Republika e Maqedonisë së Veriut bëri përparim serioz në integrimet evropiane: në procesin e Stabilizim Asociimit, vendi kaloi në fazën e dytë; Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtare e nismës Adriatiko-Joniane dhe përfitimi kryesor është vendimi për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Si udhëheqës i Sekretariatit për Çështje Evropiane, Osmani ka shërbyer edhe si Koordinator Nacional për shpërndarjen e ndihmës së huaj dhe fondeve IPA në vend. Nën udhëheqjen e Osmanit është përmirësuar dukshëm përthithja e fondeve IPA nga Bashkimi Evropian, si dhe është përmirësuar dukshëm bashkëpunimi në kuadër të ndihmës dypalëshe.

Prej korrikut 2018, ai është emëruar në krye të Delegacionit Shtetëror dhe si Kryenegociator me Bashkimin Evropian, nën drejtimin e të cilit nisi, u krye dhe përfundoi me sukses procesi i skriningut sqarues me Bashkimin Evropian.

Osmani është anëtar i përhershëm i Shtabit të Krizave të Qeverisë për ballafaqim me COVID-19, ndërsa në gjysmën e parë të vitit 2020 është emëruar kryekoordinator i shtabit lokal të krizave dhe i shtabit të krizave të qytetit të Shkupit.

Më 30 gusht 2020, Bujar Osmani u zgjodh Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Bujar Osmani është i martuar, baba i dy fëmijëve. Flet shqip (gjuhë amtare), maqedonisht, anglisht dhe pjesërisht frëngjisht.

Related posts

ME KRISTAQ PORODININ NË NDERIM TË NDERIT TË KOMBIT

Gjyla Halili

Të premten nis vjeshta meteorologjike

admin

Izet Mexhiti, “i zjarrti” që ia rrëmbeu BDI-së Çairin! VLEN merr mbi 13,500 vota, Fronti Europian 11,032

Gjyla Halili