Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris i përcolli anëtarit të kabinetit izraelit të luftës, Benny Gantz, të cilin e takoi dje në Shtëpinë e Bardhë, “shqetësimin e saj të thellë” për kushtet humanitare në Gaza dhe nevojën për të arritur “urgjentisht” marrëveshje për lirimin e pengjeve, transmeton Anadolu.
Takimi Harris-Gantz erdhi pasi zv/presidentja amerikane kritikoi Izraelin për moslejimin e ndihmave për të hyrë në Gaza dhe bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Në deklaratën nga Shtëpia e Bardhë në lidhje me takimin, thuhet se Harris i bëri thirrje Izraelit të “marrë masa shtesë” në bashkëpunim me SHBA-në dhe partnerët ndërkombëtarë “Për të marrë masa shtesë për të rritur rrjedhën e ndihmave humanitare në Gaza dhe për të siguruar shpërndarjen e saj të sigurt për ata që kanë nevojë”.
Më tej theksohet se zv/presidentja Harris shprehu shqetësimet e saj të thella për kushtet humanitare në Gaza dhe sulmin e fundit të një autokolone ndihmash në veri të Gazës.
“Zv/presidentja diskutoi për urgjencën e arritjes së një marrëveshjeje pengjesh dhe përshëndeti qasjen konstruktive të Izraelit ndaj negociatave për pengjet”, thuhet në deklaratë.
Harris i bëri thirrje Hamasit të pranojë kushtet që do të rezultonin në lirimin e pengjeve, një armëpushim emergjent gjashtë-javor dhe rritjen e ndihmave humanitare në të gjithë Gazën.
Në deklaratë thuhet se është diskutuar edhe për situatën në qytetin Rafah në jug të Gazës dhe se Harris ka potencuar “nevojën për një plan të besueshëm dhe të realizueshëm të ndihmës humanitare” përpara çdo operacioni të madh ushtarak atje.
Në fjalimin e saj të djeshëm në Alabama, Harris tha se duhet armëpushim urgjent për shkak të vuajtjeve të mëdha në Gaza. “Njerëzit po vdesin nga uria në Gaza. Kushtet janë çnjerëzore dhe njerëzia jonë e përbashkët na detyron të ndërmarrim veprime”, tha ajo.