Euforia e kryeministrit shqiptar tashmë ka kaluar dhe po ndeshen qytetarët me përparësitë dhe pasojat. Në fakt, nëse flasim për shqiptarët ajo që panë nga kryeministri aktual, Talat Xhaferi, është një skenë “filmi” në stacionin policor të Tetovës, dhe ajo që po shohin maqedonasit është rritje e pagave të profesorëve universitar që ligjërojnë vetëm në Universitetin Shën Kiril dhe Metodi. Pra, hapur bëhet diskriminim i pastër i Universiteteve tjera publike. Rritja e pagave të profesorëve rrit vullnetin dhe motivin e tyre për të punuar dhe kjo me automatizëm ndikon edhe në ngritjen e rezultateve cilësore për gjeneratat që diplomojnë, shkruan Zhurnal.
Pesë sindikatat e universiteteve publike në Maqedoninë e Veriut kërkojnë që të nënshkruajnë marrëveshje kolektive me qeverinë për rritjen e pagave të tyre –
“Në të vërtetë, nisma e nënshkrimit të Marrëveshjeve Kolektive ka filluar, gjegjësisht Propozim- teksti i Marrëveshjeve Kolektive prej të gjitha universiteteve publike është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut shumë më herët para shpalljes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, prandaj si përfaqësues të sindikatave konsiderojmë se padrejtësisht dhe jo me fajin tonë të njëjtat nuk janë nënshkruar me themeluesin, Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për këto shkaqe kërkojmë që më së voni deri më 08.03.2024 të kryhet procedura dhe të fillohet me nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive me secilin universitet në vete”, thuhet në reagimin e 5 universiteteve shtetërore.
Të cilat njëkohësisht theksojnë se me mosnënshkrimin e Marrëveshjeve Kolektive të punësuarit e universiteteve të tjera publike vihen në pozitë të pabarabartë në raport me të drejtën, në veçanti në fushën e pagave dhe përfitimeve. Për këtë konsiderojnë se padrejtësisht janë të diskriminuar.
“I bëjmë thirrje Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në Republikën e Maqedonisë së Veriut që në mënyrë aktive të përfshihet në zgjidhjen e këtij problemi, sepse në këtë mënyrë shkelen themelet e vlerave thelbësore dhe parimet kushtetuese për barazi dhe mosdiskriminim të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e pesë universiteteve publike.
Kërkojmë, theksojnë nga atje, në një kohë sa më të shkurtër të pranohemi në takim te kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ashtu që ta njoftojmë me gjendjen tonë.
“Përderisa kërkesat tona të ligjshme nuk respektohen, atëherë si sindikata të pesë universiteteve publike, do të detyrohemi të sillemi sipas parimeve të organizimit sindikalist, përmes ndërmarrjes së të gjitha mjeteve ligjore që kemi në dispozicion, duke e përfshirë në fund të fundit edhe protestën publike”, thuhet në komunikatë.
Në nënshkrimin e kësaj kërkese janë përfshirë sindikatat e universiteteve publike “Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza”, Universiteti i Shkencave Informatike dhe Teknologjike “Shën Apostol Pavle”-Ohër, Universiteti “Shën Kliment Ohridski”-Manastir, Universiteti “Goce Dellçev”- Shtip.
Kujtojmë se Ministria e Arsimit ka nënshkruar marrëveshje me Universitetin “Shën Kiril dhe Metodi” për rritjen e pagave për të punësuarit për 22 për qind.
Çështjet arsimore janë të rëndësisë së veçantë dhe të ndjeshme në të njëjtën kohë pasi flitet për ndërtimin e gjeneratave të ardhshme të cilët do të jenë edhe prijës në një të ardhme të afërt. Prandaj, ajo çfarë ndërtojmë sot do të korrim e shohim nesër. Cilësia në arsim vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha që po e tangon arsimin sot, shifra shqetësuese dalin kur bëhet matja e opinionit publik mbi këtë temë, e aq më trishtë bëhet gjendja kur dalin rezultate të matjeve ndërkombëtare në këtë drejtim. Sipas testimi ndërkombëtar PISA që është më e besueshmja për matje të shkrim-leximit, Maqedonia e Veriut ka pësuar një regres dhe rënie të madhe duke u renditur në mesin e 10 vendeve të fundit. Ndryshe, shkaqet për mungesën e cilësisë në arsim janë të ndryshme, duke filluar nga stafi jo adekuat, tekstet mësimore, kushtet e këqija infrastrukturore në shkolla e të tjera.
Sipas qytetarëve, arsyeja kryesore pse Maqedonia është në vendet më të ulëta në matjet botërore për cilësinë e arsimit është planprogrami i dobët, mendim të cilin e ndajnë 19,2% e qytetarëve. 15.5% mendojnë se arsyeja kryesore është stafi joadekuat mësimdhënës, 12.7% e shohin problemin në tekstet shkollore jo cilësore dhe 11% në kushtet e këqija në shkolla. Kujtojmë që, anketa për Detektor nga Institutit për Hulumtime Politike në Shkup është realizuar nga 28 shkurt deri më 3 mars të këtij viti në mostër përfaqësuese prej 1107 të anketuarve.
Ndërkaq, nëse flasim për cilësinë në arsimin e lartë kujtojmë që nga publikimi i fundit vitin e kaluar në listën e Shangait asnjë nga Universitetet e Maqedonisë së Veriut nuk ishte ranguar në këtë listë. Lista e Shangait: Asnjë Universitet nga Maqedonia nuk bën pjesë në Top 1000. Më së miri të radhitura janë universitetet “Harvard”, “Stenford”, “Kembrixh” dhe “Berkli”. Nga rjaoni, nga vendi i 400 deri në vendin e 500 është ranguar universiteti në Beograd, si dhe universiteti në Ljubjanë. Në këtë listë gjithashtu gjendet dhe Universiteti në Zagreb. /Zhurnal.mk