AKTUALE

Kush do të dilte fitues në “duelin” presidencial mes Arben Taravarit dhe Ali Ahmetit? Ja çka flasin faktet?

Dy ditë sapo është shpallur zyrtarisht kandidat i koalicionit LEN, tani të transformuar në VLEN, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka ftuar publikisht kreun e BDI-së, Ali Ahmeti që të pranojë sfidën për të garuar për President të RMV-së, shkruan Zhurnal.

“Propaganda e BDI-së prej kur shpalla kandidaturën për President, njëherë thotë se do të dalë Ali Ahmeti si kandidat, njëherë tërhiqet… Unë e ftoj hapur z. Ali Ahmeti të garojë me mua dhe le të zgjidhni ju se cili ju përfaqëson më mirë!”- shkruan Taravari në rrjetin social Facebook, duke hedhur mjaft guximshëm “dorëzën” për një përballje në ringun zgjedhor me kryetarin e BDI-së. Ahmeti ka dhënë një deklaratë jo mjaft precize i pyetur nëse do të jetë ose jo kandidat. Ai fillimisht është përgjigjur me “JO” në pyetjen “A do të kandidoni për president të Maqedonisë”, për të shtuar pastaj se vendimin do ta sjellin organet e partisë.

Ahmeti thotë “JO”, por vendimin do ta sjellin organet e partisë!

“Jo. Unë e kam bërë një deklaratë edhe pse ka një informacion në media, por kjo çështje nuk është shtruar në organet e partisë. Do të diskutohet për të gjitha rrjedhat dhe organet e partisë do vlerësojnë tërë situatën, opsionet të gjitha janë të hapura dhe të shikojmë”, ka deklaruar Ahmeti për Lajm, duke shtuar:
“Do të vlerësohet pastaj do të veprojmë”.

BDI fillimisht është shprehur skeptike lidhur me mundësinë që një kandidat shqiptar të fiton zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Kryetari i “integristëve”, Ali Ahmeti e ka vlerësuar si të hershme këtë ide, njësoj sikurse edhe kryeministri Talat Xhaferi. Mirëpo pas kandidimit zyrtar të Taravarit edhe në BDI ka filluar të zbehet skepticizmi dhe të shtohet optimizmi lidhur me këtë temë. “Asnjëherë nuk thuhet jo. Edhe për kryeministër shqiptar nuk besonte askush por u bë. Tani jetën e kemi përpara dhe duhet ndërtuar strategji, duhet ndërtuar teren për hapa të mëtutjeshëm.

Gjatë kohë vlerësohej se BDI as në këto zgjedhje nuk do të ketë kandidatin e vet presidencial, por do të përkrahte sërishnjë kandidat “konsensual” për president të propozuar nga koalicioni qeveritar, siç bëri në vitin 2019 duke përkrahur residentin aktual, Stevo Pendarovski. Mirëpo vendimi i Taravarait ka ndryshuar gjithçka, shkruan Zhurnal. Nëse ende nuk ka caktuar kandidatin, BDI e tashmë ka ndarë mendjen se do të marë pjesë në këto zgjedhje.

“Përderisa u politizu kandidatura për president edhe BDI do të ketë kandidatin e vetë”, ka theksuar Ahmeti, duke mos kursyer kritikat ndaj vendimit të Taravarit për të garuar në zgjedhje presidenciale.
“Fillimisht kemi menduar që të jetë një kadidat i pranueshëm prej të gjitha palëve, një kandidat që nuk ka angazhime të drejtëpërdrejta partiake, për të cilën gjë jam dakorduar. Të gjejmë një kandidat i cili do të ishte i pranueshëm për të gjithë, por ja që nuk ndodhi për fat të keq. Do të shikojmë më tej se si do të veprojmë”, është shprehur për Lajm, kryetari i BDI-së.

Cili është rezultati i deritanishëm në përballjet mes Ahmetit dhe Taravarit?

Në pritje të vendimit përfundimtar nëse BDI do të garojë me kryetarin e partisë Ali Ahmeti, ose me kandidat tjetër, është mjaft interesante të analizohet se cili do të mund të dilte fitues në këtë garë eventuale. Nëse bazohemi tek anketat e bëra për liderët partiakë, në shumicën prej tyre ende udhëheq Ahmeti, por rejtingu i Taravarit i afrohet me shpejtësi galopante. Nëse bazohemi tek zhvillimet politike, është e qartë se Aleanca për Shqiptarët po kalon një fazë turbulence të përçarjes, e cila ka arritur deri aty sa që Gjykata Administrative duhet të vendosë nëse kryetari i kësaj partie është Taravari, apo ish kryetari Ziadin Sela, i cili u rizgjodh në këtë pozitë nga përkrahësit e tij.
Këto zhvillime gjithsesi se do të shkonin në “konton” e Ahmetit në përballjen e supozuar mes tyre në garën për president.

Mirëpo në “konton” e Taravarit shkon fakti se ai ka marë përkrahjen e frontit të bashkuar proevropian opozitar, ku krahas ASH-së, Besës dhe Alternativës, bën pjesë edhe ish funksionari mjaft karizmatik i BDI-së, Izet Mexhiti, respektivisht Lëvizja Demokratike e udhëhequr prej tij. Që do të thotë se jo vetëm ndasitë në ASH, por edhe ndasitë në BDI do të kishin impakt tejet të madh në këtë përballje. Mbi të gjitha, një “frymë” që i jep krahë Taravarit është përkrahja e hapur që VLEN ka marë nga Lëvizja Vetëvendosje. Shqiptarët e Maqedonisë kanë respekt rekord për VV-në dhe për liderin e saj, Albin Kurti, kështu që përkrahja ndaj Taravarit dhe frontit proevropian opozitar mund të tregohet me rëndësi vendimtare, shkruan Zhurnal.

Element mjaft interesant për të analizuar, kur jemi tek dueli i mundshëm Ahmeti-Taravari është edhe përvoja nga përballja e deritanishme zgjedhore mes tyre. Nuk mund të mohohet se Ali Ahmeti ka udhëhequr BDI-në në të gjitha fitoret zgjedhore të kësaj partie që nga themelimi i saj dhe është lideri partiak shqiptar në Maqedoninë e Veriut me më së shumti fitore të arritura. Gjatë karrierës politike Ahmeti ka arritur të shënojë fitore edhe ndaj legjendës së politikës shqiptare, Arben Xhferi, respektivisht ndaj Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) edhe kur udhëhiqej nga Xhaferi. Mirëpo nuk mund të mohohet se përvoja përballë Taravrit është paksa specifike, e lirisht mund të themi edhe e hidhur. Taravari është kandidati i vetëm që ka arritur ta mposhtë BDI-në në dy përballje zgjedhore për kryetar në një komunë të madhe, kurse fitore të njëpasnjëshme në nivel Gostivari ka arritur edhe në përballjet zgjedhore parlamentare e presidenciale që janë zhvilluar që pas fitores së parë për kryetar komune të arritur në vitin 2017. Taravari po tregohet si një “shahist” i mirë në skenën politike, sepse duke sfiduar drejtpërdrejtë Ahmetin, e ka nxjerrë në situatë të keqe kryetarin e BDI-së. Nëse Ahmeti refuzon sfidën e Taravarit do të duket sikur ka frikë të përballet direkt me të, e nëse e pranon atëherë krijohet zbrazëtirë plotësuese për BDI-në në Njësinë zgjedhore numër 6, ku BDI duket se nuk qëndron mirë, kurse edhe më keq do të kalonte nëse Ahmeti nuk do të garonte si bartës liste, por do të garonte si kandidat presidencial. Për këtë arsye, në rrethana tjera ndoshta përballja mes dy kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet presidenciale nuk do të ishte me rëndësi kaq të madhe, por tani kur raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale mbahet dy javë para zgjedhjeve parlamentare, efekti i rezultatit të raundit të parë të zgjehdjeve presidenciale do të jetë peshë të madhe edhe në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.

Më shumë përshtypje në opinion ka lënë përballja e vitit 2021 në zgjedhjet për kryetar komune në Gostivar, kur Taravari shënoi fitore në tre raude ndaj BDI-së, e madje kërkonte edhe “raundin të katërt”, duke aluduar në vendimet e KSHZ-së, që ishin në favor të partisë së Ahmetit. Opinioni e ka vlerësuar këtë si përballje mbresëslënëse, sepse në garën për Gostivarin ishin të kyçur drejtpërdrejtë edhe dy figurat më të fuqishme të BDI-së, Ali Ahmeti e Artan Grubi, kështu që përkrahësit e Taravarit fitoren në Gostivar prej atëherë e numërojnë si fitore të tij kundërAhmetit, e jo vetëm kundër kandidatit për kryetar komune, Nevzat Bejta. Përballja në nivel shtetëror gjithsesi se dallon për shumë gjëra në krahasim me përballjen në nivel lokal, por është një tregues mjaft relevant se si qëndrojnë “forcat” në përballjen mes dy politikanëve, në këtë rast në përballjen eende të pashpallur zyrtarisht mes Ahmetit dhe Taravarit. Që do të ishte një garë ineteresante, as që diskutohet!/Zhurnal

Related posts

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

admin

Angellov: Në shuarjen e zjarrit në Malin Sharr janë përfshirë dy helikopter

Gjyla Halili

Osmani nga Roma: Na jepni më shumë integrim në BE, para anëtarësimit!

admin