Emin Azemi
Së fundmi Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut ka shpalosur rezultatet e konkursit për veprimtarinë botuese dhe atë kulturore për vitin 2024, duke lënë pas vetes një tymnajë të dendur paqartësish dhe absurditetesh.
Edhe sivjet u dëshmua se në Ministrinë e Kulturës vetëm formalisht dërgohen njerëz nëpër komisione që më së paku kanë lidhje me letërsinë dhe kulturën, ndërkohë që kriteret se kush duhet të financohet, kush të ndëshkohet dhe të hiqet fare nga lista e financimit – caktohen dikund jashtë kësaj ministrie.
Kjo nuk është praktikë vetëm e sivjetme, por sivjet doli në pah një tendencë e egër e eliminimit “brenda llojit”.
Bashkë me këtë letër drejtuar ministres së Kulturës, zonj. Bisera Kostadinovska-Stojçevska, ( edhe Kryeministrit), për të gjitha këto brrylosje primtive , në vazhdim po i rendis disa anomali që e përcollën punën e komisionit për veprimtari botuese, puna e të cilit ka lënë shumë hapësirë për dyshime dhe paqartësi:
1. Komisioni për veprimtari botuese (sidomos anëtarët shqiptarë) nuk ka kurrfarë përvoje (as teorike as praktike) për të vlerësuar veprat dhe autorët që kishin konkurruar. Po ta kishin këtë përvojë nuk do të lejonin të kalonin edhe veprat të cilat ishin ribotuar disa herë deri më tani.
2. Në mungesë të kësaj përvoje, dikush nga jashtë ka luajtur punën e mentorit (lexo: të djallit), duke sugjeruar me laps në dorë se cilët autorë, cilët tituj , cilat revista, cilat manifestime, dhe cilët botues duhet favorizuar, cilët duhet ngulfatur dhe cilët nuk duhet financuar fare.
3. Komisioni për veprimtari botuese (sidomos anëtarët shqiptarë) ka lënë pa financuar edhe një projekt të propozuar nga ne (një përzgjedhje të tregimeve të pëkthyera maqedone), vepër kjo që ishte menduar të nxis traditën e bashkëpunimit në mes të kulturave tona, duke synuar që vitin e ardhshëm të bëjmë një përzgjedhje të tregimit të përkhyer shqiptar në gjuhën maqedonase.
4. Komisioni për veprimtari botuese (sidomos anëtarët shqiptarë) ka favorizuar një kategori botuesish dhe autorësh të cilët nuk bëjnë jetë aktive letrare-kulturore gjatë gjithë vitit, pra nuk prodhojnë vlera letrare e kulturore që do të kishin një fare dinamike dhe ndikimi në publik, por bëhen të gjallë vetëm në muajin nëntor, atëherë kur është i hapur konkursi i Ministrisë.
5. Komisioni për veprimtari botuese (sidomos anëtarët shqiptarë) ka favorizuar (jashtë çdo kriteri parimor e profesional) vetëm një hapësirë kulturore (Tetovën) duke ndarë hiç më pak se afro 70 mijë euro për afro 50 projekte, prej të cilëve 9 janë manifestime kulturore dhe disa revista (afro 10 sish)!
6. Komisioni për veprimtari botuese (siodomos anëtarët shqiptarë) ka ndëshkuar revistën mujore për kulturë dhe dije JUVENILJA, me mbi 300 faqe dhe me rubrika ku ndër të tjera nxitet dramaturgjia, kritika letrare, eseu,.proza etj. (duke ia ndarë një shumë qesharake prej 1000 euro për katër numra!!!), e cila ka një redaksi gjithkombëtare, me shpëndarje në Shkup, Tetovë, Tiranë, Prishtinë, Shkodër, Zagreb etj. dhe në gjithë bibliotekat e qyteteve në Maqedoni dhe në Kosovë e Shqipëri…
7. Komisioni për veprimtari botuese (sidomos anëtarët shqiptarë) nuk e ka shqyrtuar fare nevojën dhe propozimin tonë që në Shkup shqiptarët të kenë një manifestim dinjitoz letrar-kulturor (“DITËT E JUVENILJES”) dhe për pasojë ky Komision ka propozuar një shumë të mjerë (diçka mbi 800 euro) për një manifestim (dy ditor) të cilin e kishim menduar ta mbajmë në fund të shtatorit dhe i cili do të kishte këtë fizionomi: të ketë pjesën debatuese për letërsi dhe leximin letrar si pjesë përcjellëse. Në pjesën debatuese kishim menduar të shtrojmë për diskutim (me pjesëmarrës edhe të studiuesve nga Tirana e Prishtina) çështje të qenësishme të letërsisë, teatrit e dramaturgjisë, duke u fokusuar në ato tema që janë më të ngutshme, siç është mungesa e dramaturgjisë origjinale nëpër teatrot tona, nxitja e kritikës letrare dhe recensionit letrar në media, nxitja e kulturës dhe shptrehisë së leximit te gjeneratat e reja, bashkëpunimi brendashqiptar në kulturë brenda trekëndshit Shkup-Prishtinë-Tiranë si dhe themelimin e një Çmimi letrar me emrin ‘Ernest Koliqi’ që do të ishte matje për cilësi dhe novatorizëm në prozë, dramë dhe studime letrare, kryesisht të autorëve brenda hapësirës së Drinit, Karadakut dhe Vardarit.
8. Komsioni për veprimtari botuese (siodomos anëtarët shqiptarë) nuk ka mbajtur llogari sa i përket kriterit të mbështetjes proporcionale në mes të letërsisë-kulturës maqedonase dhe asaj shqiptare, sepse nga të dhënat e publikuara rezulton që financimi i vetëm dy manifestime kulturore maqedonase është shumë fish më i madh se gjithë veprimtaria letrare-kulturore në gjuhën shqipe.
9. Komisioni për veprimtari botuese (sidomos anëtarët shqiptarë) nuk ka bërë kurrfarë analize paraprake para se të merrte vendim për të financiuar veprat dhe autorët, sepse nga të dhënat e publikuara rezulton që ka një sistem kaotik vlerësimi ku nuk merren parasysh vlerat që sjell një vepër, risitë dhe prurjet që sjell ajo, vëllimi i faqeve, angazhimi profesional i redaktorëve e lektorëve. Bie fjala, më tepër para merr një nr. fletushke , se sa katër nr. të JUVENILJES (!) dhe jo pak autorë përzgjedhen (përkëdhelen) për t’u favorizuar, pa e ditur se mbi të cilat kritere përkëdhelëse është mbështetur paraprakisht komisioni i anëtarëve shqiptarë.
10. Komisioni për veprimtari botuese (sidomos anëtarët shqiptarë) ka lënë pa financuar edhe disa vepra dhe autorët, të cilët jo vetëm që janë shumë më shumë meritorë për zhvillimin e jetës letrare te ne, por ata për shumë çka paraqesin edhe model në veprimtarinë letrare që lëvrojnë.
Krejt në fund.
Ministrja e Kulturës , zonj. Bisera Kostadinovska-Stojçevska, duhet ta rishqyrtojë konkursin e sivjemë dhe t’i shpallë të pavlefshme këto rezultate, duke rikthyer kriteret e vlerësimit në nivele të dinjitetshme.
Ndërkaq, të gjithë autorëve që janë financuar sivjet nga Ministria e Kulturës iu uroj suksese të pafundme dhe krijimtari të begatë. Ky reagim nuk ka të bëjë fare me ta, sidomos me disa prej të cilëve unë vazhdoj t’i çmoj dhe t’i kem miq.
Në ditët në vijim do të ketë një komunikim adekuat dhe më sqarues me institucionet përkatëse lidhur me anomalitë e paraqitura në konkursin e sivjemë të Ministrisë së Kulturës së RMV.
Shkup, 15. 02. 2024