Profesori universitar, Dorajet Imeri, përmend disa raste kur BE-ja ka treguar qasje asimetrike në dialogun Kosovë-Serbi, porse thotë se kjo nuk duhet të nxisë reagime të pamatura të Qeverisë.
“Unë konsideroj që Qeveria e Kosovës duhet të zgjedhë qëndrimet më të sakta për shkak të orientimeve të veta strategjike që ka, pikërisht ndaj të ardhmes së saj evropiane”, tha Imeri.
E sipas njohësit të çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, qasja e tillë e Qeverisë së Kosovës, përveçqë do të jetë e dëmshme, mund të jetë edhe e kushtueshme për Kosovën.
“Kosova më mirë se askush tjetër e di se çfarë suksesi mund të sjellë bashkëveprimi me aleatët e fuqishëm, sepse vetë çlirimi dhe krijimi i shtetësisë së Kosovës janë bërë në këtë mënyrë. Kështu që prishja e urave bashkëpunuese mes Kosovës dhe SHBA-së e BE-së i sjell vetëm dëm, i sjell vetëm izolim dhe në asnjë mënyrë nuk mund të ketë ndonjë progres për shtetin tonë në dialog”, tha Muhaxhiri.
Profesori Imeri vlerëson se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë dhe se Qeveria duhet të jetë syçelë në leximin e drejtë të situatës në mënyrë që të mos e devijojë fokusin e dialogut në çështje të tjera.
Sipas tij, në këtë proces duhet konstruktivitet nga ana e Kosovës, meqë vlerëson se Kosova nuk ka asnjë obligim ndërkombëtar që mund ta rrënojë sistemin e saj politik dhe kushtetues.
“Neve çfarë na mbetet është që t’i kapërcejmë agjendat tona ditore politike, të shmangim të kaluarën tonë politike, gjithmonë duke u orientuar strategjikisht drejt së ardhmes që lidhet me zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat janë absolutisht në kuadër të kornizës kushtetuese që ka Kosova”, tha Imeri.
Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel, kryeministri Kurti kishte shprehur kritika e akuza për anshmëri ndaj dy lehtësuesve të dialogut.
Por ky qëndrim i Kurtit është kritikuar edhe nga diplomatët amerikanë.
Në një intervistë të dhënë për “Pavlovic Today”, emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka quajtur të gabuar letrën që kryeministri Albin Kurti ia ka dërguar sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, në të cilën, sipas Escobarit, Kurti kishte shkruar se Lajçak dhe Borrell janë duke bashkëpunuar me Rusinë dhe se nuk kanë qasje të drejtë ndaj Kosovës.
E emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka informuar nënsekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Operacionet e Paqes, Jean-Pierre Lacroix, lidhur me këtë proces. Lajçak ka njoftuar në Twitter se çështja e zhvillimeve të fundit në dialogu është ngritur gjatë takimit që ai e pati me Lacroixin në New York. Takimi ndodhi pak ditë që pas takimit të 14 shtatorit në mes të kryeministrit Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
Pas këtij takimi, Lajçak është kritikuar nga Kurti për njëanshmëri në proces dhe për sinkronizim të qëndrimeve me Serbinë. E krahas dialogut, Lajçak ka njoftuar se me nënsekretarin e OKB-së ka biseduar edhe mbi dinamikat në rajonin e Ballkanit Perëndimor.