Nga hyrja në fuqi e deri në këtë moment, jemi të kënaqur se si respektohet Vendimi i Qeverisë nga ana e tregtarëve, tha sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi lidhur me uljen e çmimeve të produkteve themelore ushqimore për të paktën 10 për qind.
Ai përsëriti se nga java e ardhshme do të ulen për minimum dhjetë për qind edhe çmimet e pijeve.
Kontrollet mjekësore, tha ministri, do të vazhdojnë deri nga fundi i nëntorit, ndërsa çdo mosrespektim, si furnizimi eventual i pamjaftueshëm me produkte të caktuara në markete, qytetarët duhet ta paraqesin në Inspektoratin shtetëror të tregut (ISHT).
“Më shumë se i kënaqur jam nga ajo që dje ka ndodhur në sektorin e tregtisë, posaçërisht nga kompanitë dhe të gjithë zinxhirët e marketeve, por edhe nga prodhuesit dhe distributorët. Deri në ditën e sotme, para kësaj vizite, kemi marrë disa letra nga prodhues tanë, kryesisht të ujit mineral, lëngjeve dhe birrës së lehtë, të cilat javën e ardhshme do të fillojnë me zvogëlimin e çmimeve prej minimum dhjetë për qind, zvogëlimin e drejtpërdrejtë nga ana e prodhuesve, duke marrë parasysh se nuk kemi për qëllim të miratojmë ndonjë kufizim në pjesën e zinxhirëve të supermarketeve, pasi në përgjithësi këtë vit bara kryesore ishte mbi to, ndërsa shohim se disa supermarlkete i rrisin pagat, e pastaj kjo pasqyrohet edhe me publikimin e sotëm të Entit për statistikë, se është rritur paga mesatare për 14,1 për qind në krahasim me korrikin e vitit të kaluar”, deklaroi Bekteshi pas vizitës në qendrën logjistike të marketeve “KAM” në komunën Ilinden.
Sipas ministrit, Qeveria merr vendime, të cilat janë të obligueshme për sektorin tregti.
“Këtu përfshihet edhe mishi. Duke marrë parasysh se përveç obligimeve për zinxhirët e supermarketeve ose në pjesën e shitjes në pakicë, në vendimin e Qeverisë ka obligime edhe për furnizuesit dhe prodhuesit. Në mëngjes kemi pasur koordinim shtesë me ISHT-në, i cili dje pasdite tanimë ka kryer kontrolle. Në këtë moment në vijim janë kontrolle të ndryshme dhe kjo do të vazhdojë deri nga fundi i nëntorit. Nëse qytetarët vërejnë se punë të tilla mund të ndodhin, të paraqesin në Inspektorat dhe në pajtim me dispoizitat ligjore dhe obligimet që i kanë marrë, ata do të veprojnë dhe për to do të vijojë ajo që është paraparë në rregullat ligjore”, tha Bekteshi.
Sipas menaxhmentit të “KAM-it, përllogaritjet ende nuk janë bërë, por fitimi, pas lirimit të një pjese të produkteve, dukshëm do të ulet.
“Gjendja është e tillë, duhet të ballafaqohemi me momentin e vështirë në shtet. Ne jetojmë dhe ekzistojmë që t’i ulim çmimet, për ne secilin çmim që do ta vendosim në vitrinë prej 99 në 100 denarë, është dështim i madh. Ne edhe pa masat, kemi bërë përpjekjet maksimale. Ka momente kur e tejkalojmë veten. Na nevojiten masa më afatgjate në tërë ekonominë që të jemi të gjithë më efikasë”, thanë nga menaxhmenti.
Ministri Bekteshi e vizitoi edhe marketin e sapohapur të “KAM”-it në komunën Petrovec.