BOTA

Takimi Biden-Netanyahu, diskutime për vendbanimet dhe reformën në drejtësi

Presidenti amerikan Joe Biden u takua të mërkurën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York.

Dy udhëheqësit diskutuan mbi kërcënimin bërthamor të Iranit, zgjerimin e vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor dhe përpjekjet e Izraelit për të reformuar sistemin e drejtësisë, që kritikët thonë është kërcënim ndaj demokracisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara njofton.

Takimi me Presidentin amerikan Joe Biden, i shumëpritur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

“Miqësia jonë është e thellë dhe mund të na çojë shumë përpara”, tha Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kjo miqësi nuk arriti t’i siguronte zotit Netanyahu një takim për nëntë muaj që nga formimi i qeverisë së krahut të djathtë ekstrem në Izrael. Izraeli është aleat kryesor i Shteteve të Bashkuara dhe udhëheqësit e tij zakonisht ftohen në Shtëpinë e Bardhë pak javë pasi marrin detyrën.

Arsyeja e vonesës? Trajtimi që qeveria e zotit Netanyahu po u bën palestinezëve dhe përpjekjet e saj për të kufizuar kompetencat e gjyqësorit – çështje të cilat Presidenti Biden i cilësoi të mërkurën si “të vështira.”

“Dhe kjo nënkupton respektimin e vlerave demokratike, që janë në qendër të partneritetit tonë, përfshirë sistemet tona të kontrolleve dhe balancave të qeverisjes dhe përpjekjet për të arritur tek një marrëveshje e negociuar për një zgjidhje me dy shtete”, tha President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Palët diskutuan edhe për marrëveshjen e mundshme për normalizim ndërmjet Izraelit dhe Arabisë Saudite, një zgjerim i Marrëveshjeve të Abrahamit të ndërmjetësuar nga administrata e ish – Presidentit Trump në vitin 2020, që normalizoi marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Izraelit dhe disa fqinjëve të tij arabë.

“Mendoj se para 10 vjetësh ideja e një normalizimi me Arabinë Saudite, do të kishte qenë e paimagjinueshme”, tha presidenti amerikan.

Një marrëveshje e mundshme me Arabinë Saudite mund të çonte drejt njohjes së Izraelit nga shtetet tjera me shumicë muslimane, përfshirë Indonezinë dhe Malajzinë – një fitore e madhe për zotin Netanyahu.

“Një paqe e tillë do të mundësonte përshpejtimin e fundit të konfliktit arabo-izraelit, arritjen e pajtimit mes botës islamike dhe shtetit hebraik, dhe shanset për një paqe të vërtetë ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve”, tha zoti Netanyahu.

Por mbetet e paqartë nëse një gjë e tillë do të ishte e favorshme politikisht për zotin Netanyahu. Arabia Saudite thotë se normalizimi mund të ndodhë vetëm me një zgjidhje me dy shtete.

Shumë nga anëtarët e koalicionit qeverisës të zotit Netanyahu mbështesin zgjerimin e vendbanimeve hebraike dhe kundërshtojnë krijimin e një shteti palestinez.

Dy udhëheqësit diskutuan edhe për mënyrat se si ta parandalojnë Iranin që të sigurojë armët bërthamore. Sipas zotit Netanyahu, një qëllim i tillë më së miri mund të sigurohet përmes përkrahjes së ndryshimit të regjimit në Teheran, të cilin zyrtarët amerikanë e kanë hedhur poshtë si mundësi./ VOA


Top Channel

Banner

Related posts

Kim Jong Un vazhdon vizitën në Rusi

admin

Evakuohen mijëra persona për shkak të zjarreve në Kanada

admin

Liderët botëror reagojnë ndaj vdekjes së presidentit të Iranit

Gjyla Halili

Leave a Comment