Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se duhet bërë hetim i thellë parlamentar lidhur me dyshimet për keqpërdorim me rezervat shtetërore.
“Duke pas parasysh indicet përtej dyshimit të bazuar për abuzimet e mundshme e konsiderojmë që të bëhet hetim i thelluar parlamentar. Mandati i këtij komisioni duhet të jetë sipas ligjit, 6 muaj. Nëse kërkohet më shumë kohë atëherë vendos Kuvendi”, ka thënë ai.
Shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se është hap i ngutshëm kërkesa për hetim parlamentar.
Sipas saj, më datën 18 gusht në mënyrë spektakulare janë arrestuar 2 persona pranë MINT-it dhe një person apo subjekt afarist.
“Pyetja për deputetët nënshkrues është se a nuk po i besoni Prokurorisë apo e konsideroni vetën më të aftë se prokuroria. A doni zgjedhje, a s’doni zgjedhje? Dy nga tri grupet parlamentare nuk marrin pjesë në votime se kërkojnë zgjidhje, por kërkojnë komision hetimor. Pra doni të bëheni hetues e jo deputetë. Shpenzimet shkojnë deri në 20 mijë euro. E rrjedhimisht kjo vlerë është dyfishë sa vlera e grurit që po e konsideroni. Ma shumë do të shpenzojë komisioni parlamentar sesa vlera e grurit që nuk ka arrit. Do të përfundojmë me komision i cili synon të krijojë skena interesante të bëjë show mediatik të shpenzojë paranë dhe kohën publike”, ka thënë ajo.
Gashi duke replikuar me Kusari-Lilën ka thënë se Prokuroria e ka punën e vet dhe komisioni nuk kërkon dokumente prej Prokurorisë.
“Nuk merr komisioni prej prokurorisë por, çon në prokurori. Grup kërkues për hetimin e këtij komisioni është LDK-ja. Shpenzimet i përcakton komisioni vet”, ka thënë ai.
Kusari-Lilës i ka reaguar edhe deputeti i LDK-së Driton Selmanaj.
Ai ka thënë se arsyetimet e saj janë banale. “Mos të them të paarsyeshme, por janë banale për një institucion më të lartë shtetëror. Po të them se lidhje nuk ka komisioni hetimor me procesin gjyqësor. Mos u frikësoni nga e vërteta. E vërteta na shërben të gjithëve. Po duam ta dimë secili cent i këtij populli ku po shkon. Kush është Ridvani, kush është Martini?”, është shprehur Selmanaj.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se PDK-ja e mbështetë këtë iniciativë, por nuk është iniciues.
“Ne nuk po kërkojmë me u bo hetues. Ne po kërkojmë ta përfundojmë mandatin tonë si deputet.. Kam hyrë e kam bërë një hulumtim dhe e shihni mbledhjen e qeverisë. E keni vetëm një vendim. Siç duket ka qenë vetëm mbledhje online. Ka shumë çështje politike që kanë dërgu deri te marrja e këtij vendimi. Nga të dhënat në Komisionin hetimor për energjinë patëm edhe arrestime. Ato proces verbale të komisionit hetimor ju kanë shërby prokurorisë”, ka thënë ai.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ,a thënë se kanë iniciuar kërkesë për themelimin e këtij komisioni me qëllimin e vetëm që të shohin në detaje procedurat e furnizimit me rezerva shtetërore.
“Mimoza Kusari duhet ta dijë që pushtetet janë të ndara dhe kur një shefe e Grupit Parlamentar thotë se Prokuroria ka bërë spektakël, në fakt këtu është ndërhyrja. Këtu menjëherë ndërhyn politika. Personi në fjalë, zotëri Ridvan Muharremi çka do të thotë për ministren. Ne duhet me pa cili është roli i tij në rezerva shtetërore. A është faji te Rozeta a te Ridvani. Tani ku mbet ai polaku. Qysh hyni ai polaku në këtë proces të rezervave shtetërore. Jemi duke folur për një marrëveshje sekrete konfidenciale”, ka theksuar Tahiri.