Lëvizja Demokratike e ka akuzuar BDI-në, gjegjësisht Ministrinë e Arsimit me të cilën udhëheq kjo parti, për mungesën e librave. Nga LD thonë se edhe viti shkollor 2023-2024 filloi me shumë probleme, për të cilat përgjegjësinë e bart Qeveria, përkatësisht Ministria e Arsimit.
“Është e pajustifikueshme mungesa e teksteve shkollore, problem ky që po përsëritet vit pas viti. Është i pajustifikueshëm fakti se akoma nxënësit shqiptarë përballen me shumë probleme, në veçanti me pamundësinë për të mësuar në gjuhën amtare, siç është rasti me gjimnazistët shqiptarë në Veles dhe me filloristët në Idrizovë të Shkupit. Pra, dikush që është mbi shtetin, nuk lejon që të hapen paralele me mësim në gjuhën shqipe, pavarësisht faktit se edhe ministri i Arsimit dhe zëvendësi i tij janë të të njëjtës parti, BDI-së në pushtet”.
“Pjesa shqiptare e ekzekutivit nuk shpreh asnjë shqetësim për pakësimin drastik të numrit të nxënësve, të cilët bashkë me prindërit e tyre largohen për të siguruar një të ardhme më të mirë dhe më të qetë. Pikërisht kjo mungesë do të ndikojë që shumë shpejt të kemi mbyllje të shkollave, sidomos të atyre me mësim në gjuhën shqipe. Jo vetëm kjo, por edhe shumë arsimtarë do të mbeten pa punë”, thonë nga LD.
Gjithashtu shtojnë se “gjendja aspak nuk është e mirë edhe në nivelin sipëror ku gjithashtu ndjehet zvogëlimi i numrit të studentëve. Në këtë kohë krize kur buxheti familjar është nën minimumin për ekzistencë, dikujt i kujtohet që të rriten çmimet në konviktet e vjetra dhe aspak të dinjitetshëm për strehimin e studentëve”.
“Nga ana tjetër, në Ministrinë e Arsimit thonë se Reforma e arsimit do të vazhdojë konform dinamikës së paraparë, sepse po jep efektet e pritshme. A mund të tregojë dikush se për çfarë reformë bëhet fjalë dhe cilat na qenkan efektet e pritshme. Realiteti tregon se në arsim nuk ka asnjë reformë, përkundrazi vetëm fundosje, e cila dukshëm ndikon në rënien e cilësisë së arsimit. Të gjitha këto dështime kanë një emërues të përbashkët, por edhe adresën e derës së përgjegjësisë. Por, fatkeqësisht, në këtë derë askush nuk troket”, thonë nga LD.