Ukraina ka dorëzuar padi në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër Sllovakisë, Polonisë dhe Hungarisë, për shkak të ndalesave të tyre në importet e mallrave ushqimore nga Kievi.
Ky vend ka thënë se kufizimet e tilla i shkelin obligimet ndërkombëtare të fqinjëve evropianë të Ukrainës. Në anën tjetër, këto vende të Bashkimit Evropian, kanë thënë se ndalesat janë të nevojshme për t’i mbrojtur bujqit nga importet e lira.
Lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur vitin e kaluar, e ka pamundësuar bartjen e mallrave ukrainase përmes Detit të Zi, dhe sasi të mëdha të grurit kanë përfunduar në qendër të Evropës.
“Është thellësisht e rëndësishme për ne të dëshmojmë se vendet individuale nuk mund t’i ndalojnë importet e mallrave ukrainase”, ka thënë ministrja ukrainase e Ekonomisë Yulia Svyrydenko.
“Për këtë arsye jemi duke nisur padi dikur Sllovakisë, Polonisë dhe Hungarisë në Organizatën Botërore të Tregtisë”. Ajo ka thënë se eksportet ukrainase “veçse janë dëmtuar dhe vazhdojnë të dëmtohen” nga ndalesat e njëanshme. Polonia ka thënë se do ta vazhdojë ndalesën, pavarësisht padisë.
“Ne e ruajmë pozicionin tonë, mendojmë se është i drejtë, rezulton nga analiza ekonomike që del prej BE-së dhe ligjit ndërkombëtar”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë polake, Piotr Mueller.
Të premten e javës së kaluar, Komisioni Evropian, ka vendosur që të mos e vazhdojë një ndalesë – për të cilën është arritur pajtueshmëri më herët gjatë vitit – për qarkullim të importeve ukrainase në Bullgari, Hungari, Poloni, Rumani dhe Sllovaki.
Komisioni e ka përmendur se vendet nuk mund të marrin vendime individualisht për politikën e bllokut evropian me 27 anëtarë. Mirëpo, qeveritë në Budapest, Varshavë dhe Bratisllavë e kanë sfiduar vendimin. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL
Top Channel