KOSOVË

Nis takimi Kurti-Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisën takimin në Bruksel – të parin pas më shumë se katër muajsh – në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Kurti dhe Vuçiq zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas njoftimit të BE-së, temë e takimit trepalësh është zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin shkurt.

Kjo marrëveshje me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë; kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, dhe i obligon ato që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kurti dhe Vuçiq, sipas agjendës që ka publikuar BE-ja, do të diskutojnë edhe për “çështjet aktuale”.

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje që t’i marrin seriozisht obligimet e tyre.

Përballje në kohë tensionesh

Takimi vjen në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës, ku jetojnë rreth 50.000 serbë dhe përbëjnë shumicën lokale.

Situata atje është acaruar qysh nga fundi i majit. Atëkohë, grupe serbësh kanë nisur protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë – nën përcjelljen e policisë – në zyrat e komunave në veri.

Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit që janë mbajtur në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, por që janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Protestat në zonë janë shndërruar disa herë në përleshje të dhunshme – më të rëndat kanë qenë më 29 maj, kur dhjetëra ushtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur.

Duke e bërë përgjegjëse Qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar, Bashkimi Evropian ka kërkuar prej saj që t’i ulë tensionet duke i pezulluar operacionet policore në veri, duke i zhvendosur kryetarët e komunave në zyra alternative dhe duke shpallur zgjedhje të reja.

Deri më tash, Qeveria e Kosovës ka përgjysmuar praninë e njësive policore në ndërtesat komunale në veri dhe ka shprehur gatishmëri për organizimin e zgjedhjeve të reja.

Për këtë qëllim, ajo ka nxjerrë edhe një udhëzim administrativ, por që, sipas njohësve të çështjeve zgjedhore, ai vështirë se çon në proces të ri zgjedhor.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili vazhdimisht ka bërë thirrje për shtensionimin e situatës në veri, ka thënë në një intervistë për Zërin e Amerikës se “rruga më e shpejtë dhe më e lehtë për zgjedhjet e reja” do të ishte “nëse kryetarët e tanishëm shqiptarë japin dorëheqje”.

Por, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, ka thënë se një veprim i tillë është “kërkesë vetëm e Beogradit”.

Tensionet në veri e kanë bërë Kosovën subjekt të masave ndëshkuese edhe nga BE-ja, edhe nga SHBA-ja, pasi e kanë fajësuar për moskoordinimin e veprimeve me to.

Mbi 12 vjet dialog

Kosova – e cila ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 – dhe Serbia – që vazhdon ta kundërshtojë atë – janë të angazhuara në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, bisedimet kanë nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar pastaj në nivel politik.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje – nga lëvizja e lirë deri te çështja e të zhdukurve nga lufta e viteve 1998/99 – por shumë prej tyre nuk janë zbatuar.

Bashkimi Evropian kërkon vazhdimisht nga to që të zbatojnë gjithçka të dakorduar.
Normalizimi i marrëdhënieve, njëherësh, është kusht për të dyja vendet që të përparojnë në procesin e integrimit në Bashkimi Evropian.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE vitin e kaluar, ndërsa Serbia është vend kandidat nga viti 2012.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë muajin e kaluar se BE-ja do të mund të pranojë vende të reja anëtare deri në vitin 2030, por se ato “nuk duhet të importojnë konflikte nga e kaluara”.

Related posts

Për dajën e vrarë dhe për ushtarët e gjallë, që po nëpërkëmben

admin

Lista Serbe i ka dy kushte për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme eventuale

admin

Dezinformim i rrezikshëm dhe i papranueshëm

admin

Leave a Comment