Me flamuj kuq e zi dhe me thirrjet “Fitore! Fitore! qindra tifozë Kosova kanë kaluar sot në mesditë kufirin Kosovë-Shqipëri në pikën kufitare të Morinës, për të mbështetur kombëtaren tonë në ndeshjen e sotme. Janë organizuar me grupe nga Prishtina, Gjakova, Kaçaniku, Gjolaj i Hasit, Istogu.
“Kosova është zemra e Shqipërisë. Kemi rezervuar biletat 2 muaj më parë” thotë një tifoz.
Një tjetër tregon se e ndjek kombëtaren kudo.
“Kam qenë në Pragë e tani në Tiranë. Gjithmonë për fitore!”
Me flamuj e simbolet të tjera kombëtare ata janë organizuar me automjete personale, furgona e autobuzë. SA hyjnë në kufi nisin të këndojnë këngë patriotike dhe të thërrasin
‘Shqipëri ole ole, unë ty të kam nanë ti djalë më ke! Fitore! Fitore! “
Janë shpresëplotë për një fitore ndaj Polonisë që do të luhet në orën 20:45 minuta në stadiumin e “Ar Albani” ndeshjen Shqipëri-Poloni.
“Nëse fitojmë sot një këmbë e qesim në Gjermani në Euro 2024, thotë një tjetër tifoz me entuziazëm.
Të shumtë janë dhe tifozë shqiptarë që kanë ardhur nga Maqedonia e Veriut për të mbështetur kombëtaren Shqiptare./lexo.al