Kurse, analisti Gazmir Raci deklaroi se përveç që opozita nuk i ka numrat për mocion, këtë vit po ashtu do të ketë regjistrim të popullsisë dhe nuk rekomandohet mbajtja e zgjedhjeve.
“Nuk besoj që këtë vit ne mund të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, ky vit është po ashtu vit i organizimit të regjistrimit të popullsisë, dhe sipas standardeve të Eurostatit në atë vit kur organizohet regjistrimi i popullsisë, nuk rekomandohet mbajtja e çfarë do lloj zgjedhjeve, nacionale apo lokale. Andaj është e pakuptimtë dhe po ashtu nuk i kanë numrat për dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme”, është shprehur ai për Telegrafin.
Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditë të Kuvendit, jo më vonë se pesë ditë e as më herët se dy ditë nga data e parashtrimit të tij.
Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme. Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje”, thuhet në Kushtetutën e Kosovës.
Grupi Parlamentar i PDK-së në Kuvend ka 18 deputetë, LDK ka 16 deputetë, AAK ka 8 deputetë, komunitetet kanë po ashtu 8 përfaqësues si dhe pa grup parlamentar janë 14 deputetë.
Ndryshe, deputetët e opozitës kanë thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit më 4 shtator, për “dështimet e Qeverisë”