Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur mbledhjen e 154-të të rregullt, në të cilën ka miratuar projektligje, vendime dhe dokumente të tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Vendimi i parë i miratuar ishte plotësimi dhe ndryshimi i Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2023.
“Agjendës së plotësuar i shtohen katër projektligje të reja, ndërkaq afati i miratimit në qeveri shtyhet për 13 projektligje”, thuhet në njoftim të Qeverisë.
Po ashtu në këtë mbledhje është miratuar edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dhe Deutsche Gesellschaft Fur Zusammenarbeit (Giz) GmbH, për Projektin Mbështetja për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sektorit të Bujqësisë në Zonat Rurale përmes Diversifikimit të Aktiviteteve.
“Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje do të mundësojë rritjen e punësimit në zonat më pak të favorshme rurale në vendin tonë, përmes krijimit të mundësive të reja të punës ose vetëpunësimit dhe ruajtjen e vendeve ekzistuese të punës”.
Më poshtë mund t’i shikoni të gjitha vendimet e Qeverisë së Kosovës:
Miratuar Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive. Kjo rregullore ka për qëllim të përcaktojë numrin e anëtarëve të Qeverisë dhe të emëruarve të tyre, si dhe fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrive në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Përmes saj, fushëveprimit të Ministrisë së Drejtësisë i janë shtuar punët sociale, kurse Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Ekonomisë, duke u nisur nga rëndësia e punës së tyre karshi qytetarëve, i janë shtuar kompetencat.
Miratuar Udhëzimin Administrativ për Masat e Duhura Parandaluese dhe Mbrojtëse për Ndalimin e Pjesëmarrjes së Fëmijëve në Klubet e Natës dhe Hapësira të tjera të ngjashme. Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është mbrojtja e shëndetit fizik dhe mendor, sigurisë dhe mirëqenies së fëmijëve nëpërmjet ndalimit të pjesëmarrjes së tyre në klubet e natës, ambientet e destinuara për konsum të alkoolit, qendrat e argëtimit për të rritur dhe forma tjera të ndaluara në të cilat i ekspozohen situatave dhe substancave të papërshtatshme, të ndaluara për moshën e tyre.
Miratuar Udhëzimin Administrativ për Ambalazhin dhe Mbeturinat e Ambalazhit. Përmes këtij Udhëzimi do të përcaktohen kushtet, procedurat, përgjegjësitë dhe detyrimet për prodhuesit, importuesit, shitësit dhe palët e tjera të përfshira, për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e produkteve të ambalazhuara. Synimi është të ndikojë në mbrojtjen e shëndetit dhe promovimin e një mjedisi të qëndrueshëm e të pastër për të ardhmen tonë dhe brezat e ardhshëm.