Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi në intervistën e mbrëmshme për televizionin e Kosovës T7 deklaroi se vendimi për dorëheqje të ministrave nga radhët e BDI-së janë në funksion të integrimeve të Maqedonisë së Veriut në BE.
Grubi deklaroi se me vendimin për deponim të dorëheqjeve nga ana e ministrave, BDI ia hapi rrugën opozitës maqedonase të votojë “për” ndryshimet kushtetuese. Grubi tha se me vendimin të cilin dje e kumtoi lideri partiak, Ali Ahmeti, BDI heqë dorë edhe nga premtimi i dhënë në zgjedhjet e fundit parlamentare për kryeministër shqiptar në Maqedoni të Veriut, dhe atë e bën “për të mirën e qytetarëve dhe në dobi të integrimit në BE”.
“Nëse ne shkojmë në opozitë, me ç’rast opozita (VMRO-DPMNE) do t’i votonte ndryshimet kushtetuese, për çka nevojiten dy të tretat në Kuvend, ne kemi thënë se për të ardhmen e vendit tonë jemi të gatshëm të heqim dorë edhe nga qeveria e përkohshme edhe nga kryeministri shqiptar edhe nga mandatet tona. Nga gjithçka që është marrëveshje politike e koalicionit, ne heqim dorë, nën kushtin që opozita maqedonase t’i votojë ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Grubi për T7.
Ekspertët jurudik në Shkup vlerësojnë se këto dorëheqje, për nga forma janë rast unikat deri më tani, shkruan Zhurnal. Sipas tyre, dorëheqjet mbi të gjitha janë një lloj akti politik, që kanë për qëllim jo vetëm t’i bëhet presion opozitës, por edhe janë të destinuara për elektoratin dhe komunitetin ndërkombëtar, për të fituar përkrahjen e tyre në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Mirëpo zëvendës kryeministri i parë, Grubi, insiston se vendimi për dorëheqjet e ministrave, nuk është i papritur, sepse “përcaktim i z. Ahmeti dhe i BDI-së për integrim të plotë të Maqedonisë së Veriut në BE nuk është i sotëm, nuk është i djeshëm, por është aktual që nga themelimi i partisë”.
Dikush beson, dikush dyshon te dorëheqjet e BDI-së!
Dorëheqjet e ofruara nga funksionarët e BDI-së, janë mirëpritur në opinion, por gjithashtu përcillen me dozë dyshimi nëse janë të sinqerta, ose bëhet fjalë për taktizim politik, shkruan Zhurnal.
Arben Fetai, kryetari i Institutit per Politika Publike “Arbër Xhaferi”, vlerëson se dorëheqja hipotetike e BDI-së, është bllof politik – spin.
“Për dy dekada në pushtet, BDI ka patur qindra arsye për dorëheqje kolektive: korrupsion, vjedhje të votës, raste të montuara e vrasje të shqiptarëve nga shteti, margjinalizim e përbuzje totale Jo nga Gruevski. Nuk e ka bërë asnjëherë sepse morali te këta nuk ekziston.
Dorëheqja hipotetike e sotme e BDI-së është spin: ose llogarisin që nuk do të ketë ndryshime kushtetuese dhe ky është thjeshtë një bllof politik parazgjedhorç ose llogarisin që VMRO-ja do jetë e pashmangshme pas zgjedhjeve dhe duan t’i japin një ndihmesë që pastaj kjo e fundit t’i marrë në qeveri si Gruevski dikur që i mirrte si orendi qeveritare. Mundet edhe dyjat bashkë”, shkruan Fetai.
Këto dyshime në një masë të caktuar i ndan edhe analisti politik, Isen Saliu, i cili për Dojçe Vele ka deklaruarse është mirë që para votimit të parë për ndryshimet kushtetuese, subjektet politike po e nxjerrin në sipërfaqe gjithë arsenalin politik që e posedojnë, por ka pohuar se ka dëgjuar edhe për dyshimet që ekzistojnë ndaj veprimit të BDI-së.
“Unë mendoj se hapi i BDI-së me dorëheqjet duhet të analizohet më seriozisht nga VMRO – DPMNE, sepse në këtë mënyrë janë shterrur alibitë politike të partisë së Hristijan Mickoskit. Nëse ky hap i BDI-së është i sinqertë, atëherë paraqet një nga sakrificat më të sinqerta politike në skenën politike në Maqedoninë e pavarur. Por nëse konfirmohen disa dyshime të ngritura nga analistë të caktuar politikë, se BDI-ja ka dorëzuar dorëheqjet pasi është siguruar se nuk do të kalojnë amendamentet kushtetuese dhe se nuk do të ketë nevojë të aktivizohen ato dorëheqje, atëherë mendoj se opinioni do ta kuptojë këtë shumë lehtësisht”, ka deklaruar Saliu.
Në ndërkohë opozita ka kërkuar nga funksionarët e BDI-së që dorëheqjet e tyre të jenë të parevokueshme, e pastaj do të komentojë lidhur me to, duke e rikthyer “topin” në terenin politik të partisë nga Reçica e Vogël.
Situata (s)dallon nga periudha 2006-2008?
Krahas, asaj nëse bëhet fjalë për reflektim të sinqertë të BDI-së, ose vetëm për “akrobacion politik”, në opinion kanë filluar të bëhen edhe analiza se çka në rast se VMRO-DPMNE pranon të votojë ndryshimet dhe conform kësaj BDI duhet të shkojë në opozitë. Një nga dilemat është se nëse tani BDI shkon në opozitë, ku do duhet të qëndrojë së paku deri në pranverën e ardhshme kur janë zgjedhjet e rregullta, a do mundet të rikthehet në pushtet?
BDI ishte në opozitë në periudhën 2006-2008, mirëpo asokohe përveç që ishte partia shqiptare me numër më të madh të deputetëve, poashtu kishte nën kontroll gati të plotë gjithë pushtetin lokal. Falë kësaj, BDI arriti të rikthehet brenda një kohe relativisht të shpejtë në pushtet, kurse qëndrimi dyvjeçar në opozitë jo që e dobësoi, por vetëm e forcoi edhe më tepër kundrejt rivalit të vetëm të asaj kohe, Partisë Demokratike Shqiptare. Episodi politik 2006-2008 i krijoi BDI-së komoditet që pa ndonjë problem të madh të fitojë zgjedhjet e njëpasnjëshme deri në vitin 2016, kurse etablimi gjatë kësaj periudhe i mundësoi që të ruajë primatin edhe në zgjedhjet e vështira të vitit 2016, kur partitë e sapoformuara shqiptare e sfiduan seriozisht, duke e ulur në 10 deputetë, shkruan Zhurnal.
Shkuarja vullnetare në opozitë në këto momente, dallon shumë nga ajo e vitit 2006, kurse edhe rrethanat politike jnë krejtësisht ndryshe. BDI po kalon ende një periudhë të vëshirë, pas ndarjes së brendshme, që në fund do rezulton me formimin e një partie të re nga ish nënkryetari i saj Izet Mexhiti. Në këtë parti Mexhiti nuk do të jetë i vetëm, por me vete do ketë edhe dy deputetë dhe kryetarin e Çairit, komunës së vetme urbane me shumicë shqiptare në Shkup, Visar Ganiun. Veç kësaj, BDI nuk ka në dorë as Tetovën dhe Zhelinën, kurse edhe për kryetarët e Gostivarit dhe Vrapçishtit, Arben Taravari e Isen Shabani, mund të thuhet se në nivel lokal më tepër funksionojnë si opozitarë, sado që partia e tyre tani disa muaj është pjesë e pushtetit qendror.
Numri i deputetëve të BDI-së, kundrejt atyre të paprtive tjera shqiptare për momentin është më i vogël, kështu që nuk rrezikon as Parimin e Badenterit. Kjo tregon se realiteti i tanishëm dallon tërësisht nga ai i periudhës 2006-2008, që thellon edhe më tepër dilemën nëse BDI do të mund të rikthehej shejt në pushtet sikurse para 15 viteve, nëse këto tetë muaj sa kanë mbetur deri në zgjedhjet e rregullta parlamentare vendos t’i “dimërojë” në opozitë./Zhurnal