Masat ndëshkuese që BE-ja i ka vendosur ndaj Kosovës pasi e bëri fajtore për përshkallëzim të situatës në veri të vendit përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.
“I dërguari i posaçëm i BE-së, Lajçak i kishte thirrur javën e shkuar negociatorët nga Kosova dhe Serbia për të diskutuar disa tema në agjendën e dialogut që e lehtëson BE-ja. Këto përfshinë edhe implementimin e marrëveshjes së re për rrugën drejt normalizimit të raporteve, energjinë, implementimin e deklaratës për personat e zhdukur, de-eskalimin e situatës në veri të Kosovës, organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe çështjet e lidhura me tregti”, tha zëdhënësi.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë më 19 korrik janë takuar ndaras me të dërguarin për dialogun Miroslav Lajccak në Bruksel, ku është diskutuar “për një listë të gjatë të çështjeve të dialogut, duke nisur me zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe shtensionimin”.
“Këto takime ishin të vështira dhe të gjata, dhe ato nuk prodhuan ndonjë rezultat të menjëhershëm. Megjithatë nga palët u kërkua që të reflektojnë dhe të japin vlerësime kthesë për çështjet që ishin në agjendë”, tha i njëjti burim duke shtuar se diskutimet do të vazhdojnë.
“Diuskutimet do të vazhdojnë dhe lehtësuesi i BE-së do të thërrasë takim të ri në periudhën para nesh, BE pret nga të dyja palët që të përmbushin obligimet nga dialogu dhe kërkesat e BE-së për de-eskalim pa vonesa të reja, të angazhohen në mënyrë konstruktive në proces dhe të përmbahen nga veprimet që mund të qojnë deri tek eskalimet tjera”, ka thënë ky zëdhënës.
Situata në veri të Kosovës është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.
Krytarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.